Shifra alarmante që është disa herë më e lartë se ritmi i rritjes ekonomike, u prezantua dje në prani të diplomatëve më të lartë amerikanë në Tiranë nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, i cili ka kryer sondazhin. Sondazhi në të vërtetë ka një qasje serioze ndaj fushave ku ka evoluar korrupsioni, i cili i jep atij besueshmëri në tendencën e vet, edhe sikur shifrat të kenë një gabim me disa për qind plus apo minus.
Së pari, me gjithë kujdesin e qeverisë që të prezantojë si arritje rritjen e të ardhurave nga taksat dhe doganat, sërish ata dy sektorë rezultojnë se kanë evoluar në korrupsion. Kjo do të thotë që të ardhurat e rritura vijnë nga rritja ekonomike dhe rritja e ritmit të saj, nga forcimi i euros dhe zhvlerësimi i lekut dhe nga gati trefishimi i sistemit të taksimit përmes referencave gati vdekjeprurëse për lirinë ekonomike në vend. Aktualisht, bizneset paguajnë tri herë më tepër në përgjithësi për sigurimet nga rritja e çmimeve të referencave për pagat në mënyrë arbitrare dhe vendosja e dyshemeve për nivelin e pagës dhe numrin e punëtorëve për disa biznese. Po ashtu, ritmi i rritjes ekonomike dhe inflacioni janë faktorë që krijojnë një vizion fals për rritjen e të ardhurave. Sondazhi dëshmon se në këta sektorë të vetmit që kanë përfituar nga qeveria janë hajdutët. Ata kanë fituar së paku 13 për qind më shumë se vitin e kaluar dhe, po të llogarisësh atë që qeveria e quan dyfishim të ardhurash, i bie të kenë fituar dy herë më shumë plus 13 për qind se vitin e kaluar, ndërsa bizneset janë persekutuar 3 herë më shumë.
Së dyti, sondazhi dëshmon qartë perceptimin e publikut se qeveria dhe Kuvendi janë jotransparentë dhe se kanë besueshmëri të ulët për nivelin e korrupsionit. Disa javë më parë, në një debat televiziv, kur kolegu Lubonja thoshte se ngjarja e Gërdecit ka rritur perceptimin e korrupsionit te qytetarët, një ish-ministër i ftuar në debat ngulte këmbë se kjo nuk kishte fare rëndësi, pasi ishte ulur importi i domateve 13 për qind dhe kjo tregonte që nuk kishim korrupsion. Kinezërirat për të justifikuar korrupsionin marrin fund shpejt. Opinioni publik është i bindur se qeveria dhe deputetët janë më të korruptuar se një vit më parë. Janë më të korruptuar, për arsyen e thjeshtë se askush prej tyre nuk ka bërë një gjest kundër fenomenit më të rëndë të korrupsionit zyrtar që mbetet Gërdeci. Të gjithë ministrat e qeverisë ‘Berisha’ janë gati të rreshtohen drejt humnerës pas Fatmir Mediut me të njëjtin arsyetim, se ai nuk ka faj, pasi punët e pista i kanë bërë ata poshtë. Në të vërtetë të gjithë e dinë se ku qëndron faji dhe heshtin. Kjo heshtje mjafton që në sytë e shqiptarëve ata të duken të gjithë nga pak Medi, nga pak Ndokë, nga pak Pollo dhe nga shumë Berishë, i cili mbetet kryembrojtësi i tragjedisë së Gërdecit, duke e quajtur atë aksident teknologjik.
Së fundi, disa institucione të vlerësuara pozitivisht nga sondazhi, siç është institucioni i Presidentit, autoritetet fetare, media dhe ndonjë institucion tjetër, janë realisht dhe institucionet që janë përplasur me qeverinë më së shumti gjatë këtij viti. Të gjithë jemi dëshmitarë të poshtërimit publik që qeveria dhe kryeministri i bënë presidentit, duke i ndryshuar mënyrën e zgjedhjes pa e pyetur fare, as si qytetar të thjeshtë. Të gjithë jemi dëshmitarë të shkrimeve haluçinante të kryeministrit çdo të diel në gazetën RD kundër gazetarëve kryesorë në vend, që duhen koleksionuar për të dëshmuar degradimin e kryeministrit në fund të mandatit të tij. Ato, të shkruara përçart, dëshmojnë për një njeri në krizë, që ka tmerr median që e lufton për korrupsionin, se ka makthe nga mundësia e përfshirjes së të birit në këtë histori të rëndë vrastare për fatin e një politikani dhe derdh fantazinë e tij deri erotike për të dëshmuar gjithë mungesat e tij, mungesën e karakterit, mungesën e ndershmërisë, mungesën e burrërisë, mungesën e mirënjohjes, madje dhe mungesa seksuale që do ta kenë shoqëruar gjatë jetës, derisa fantazon se gazetaret bëjnë seks në ashensor. Shqiptarët kanë parë gjatë këtij viti një kryeministër që fyen dhe mallkon çdo gazetar që dëshmon korrupsionin dhe për fatin e tij të keq e kanë drejtuar gishtin nga ai si hajdut dhe jo nga media. Ky është perceptimi që kryeministri Berisha ka mundur t’iua çojë qytetarëve. Ua ka mbushur atyre mendjen, se ka abuzuar me pushtetin, se ka shtuar korrupsionin dhe se po bën tentativa të qarta të mbrojë të korruptuarit nga sulmet e atyre që luftojnë korrupsionin. Tani mbetet të na mbushë mendjen se qytetarët e kanë gabim dhe se nuk e kanë kuptuar ku ndryshon ky nga kryeministrat e tjerë paraardhës, që ishin po ashtu të korruptuar. Ky ka rezultate më të larta në korrupsion.