Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Drejtesia, nje emergjence kombetare

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
Drejtesia, nje emergjence kombetare

Ka pasur një debat në orët e fundit, në lidhje me një paketë masash të qeverisë, për të pajisur me më shumë kompetenca Gjykatën dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në luftën kundër korrupsionit. OSBE-ja dhe misioni amerikan në fushën e drejtësisë OPDAT, kanë kritikuar qeverinë për këtë hap, duke pretenduar se po krijohet mbivendosje, mbingarkesë dhe devijim i punës së këtyre organeve.

Ky diskutim publik vjen në momentin kur një videopërgjim i Fiks Fare ka zbardhur me detaje njërën ndër skemat e rëndomta që konsumohen nëpër cepat e gjykatave shqiptare, me gjyqtarë e prokurorë ryshfetxhinj që u marrin “edhe mishin, edhe kockën” hallexhinjve, e me sekserë që numërojnë paratë me shkathtësinë e një biletashitësi stadiumi. Të dyja këto ngjarje, debati parimor rreth reformës apo nismave për modifikime ligjore nga njëra anë, e rastit flagrant të Pukës nga ana tjetër, ndodhen në dy skaje, të cilat vërtet kanë të bëjnë me të njëjtën materie, drejtësinë e korruptuar, por që flasin me dy gjuhë krejt të ndryshme. Dhe ja pse.

Një reformë në drejtësi është një proces që nuk e ka shpikur as qeveria “Rama” dhe as klasa politike shqiptare. Për reformë në drejtësi flasin e debatojnë sot e gjithë ditën shoqëri shumë më të avancuara se e jona. Në parlamentet e Italisë, Francës e vendeve të tjera europiane, reforma në drejtësi, ligji zgjedhor, sistemi i taksimit dhe formulat ekonomike të zhvillimit të vendit, janë debate organike të klasave politike drejtuese e institucioneve demokratike. Nuk kemi shpikur asgjë të re, pra, madje jemi shumë vonë, për të hedhur hapa të shpejtë, në drejtim të normalizimit të një situate në sistemin e drejtësisë, që mund të konsiderohet pa më të voglën mëdyshje si një emergjencë kombëtare.

Por ka një element që edhe këtë proces kaq të natyrshëm e të domosdoshëm, e kthen në hipokrit, të pavërtetë e për pasojë pak të besueshëm. Në letrën që OSBE-ja ka dërguar, në lidhje me nismën e qeverisë për Gjykatën dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të drejtë thuhet se “Në mendimin tonë, kuadri ligjor aktual nuk mund të shihet si arsyeja e deritanishme e dështimit të luftës ndaj korrupsionit. Siç theksohet në Raportin e Progresit të Komisionit Europian, problemi qëndron te mungesa e një qasjeje proaktive, si dhe te mungesa e burimeve dhe pajisjeve të përshtatshme. Një luftë serioze ndaj korrupsionit do të përqendrohej së pari tek aksioni dhe jo te reforma thjesht ligjore…” Përtej rastit konkret, për të cilin mund të ketë disa qëndrime dhe interpretime, ajo që OSBE-ja e lexon drejt (megjithëse bën pjesë tek ato institucione që kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh për korrupsionin në Shqipëri në këta njëzet vjet), është më se e vërtetë. Korrupsioni galopant në vendin tonë nuk ka ardhur nga ndonjë mungesë a boshllëk ligjor. Rregullat e lojës për të luftuar këtë fenomen kanë qenë dhe janë aty. Ka munguar vetëm vullneti politik për të zbatuar ligjin. Edhe reagimet e klasës politike për rastin e Pukës ishin dhe vazhdojnë të jenë ose të rrëmujshme, ose hipokrite, si provë e qartë e mungesës së vullnetit politik. Nga njëra anë qeveria duket se nuk e ka ende të qartë se nga do ta nisë procesin e shëndoshjes së drejtësisë. Nga ana tjetër, opozita, dikur qeverisja tetëvjeçare, vazhdon të ngulmojë për ruajtjen e status quo-së, duke i mëshuar parimit të garantizmit, më shumë sesa nevojës për ndryshime rrënjësore. Politika vijon të luajë me drejtësinë, një segment të cilin ajo e ka manipuluar e keqpërdorur në vite, për të fshehur e justifikuar zullumet e saj.

Për t’u kthyer te konflikti i dukshëm mes reformës së propozuar nga qeveria dhe videopërgjimit të Pukës, sot kushdo që jeton në këtë vend, paguan taksat e voton, ka të drejtën të bëjë një pyetje fare të thjeshtë: çfarë tjetër duhet, që zyrtarët e shfaqur në video të marrin një dënim të shpejtë dhe të merituar, sipas dispozitave përkatëse ligjore?! Dhe prej këtej, problemi zgjerohet me të tjera dilema e pikëpyetje. Çfarë duhet, për të kuptuar se kasta e gjyqtarëve e prokurorëve të këtij vendi, ka një standard jetese që kurrsesi s’mund të jetë fryti i një pune të ndershme “me rrogën e muajit”?! Edhe sa prova të tjera, si ajo e Fiks Fare, duhen për të bindur institucionet që kanë vulën dhe firmën, për të lëvizur nga vendi?!

Në nëntor të vitit të shkuar, revista Java botonte një shkrim investigues, rreth një hetimi që është kryer mbi një numër gjyqtarësh e prokurorësh, në lidhje me stilin e jetesës dhe pasurinë e vënë ndër vite. Hetimi konsistonte në verifikimin e lëvizjeve së këtyre personave jashtë vendit dhe rezultatet kanë qenë befasuese. Një numër i madh i tyre rezultojnë se kanë dalë jashtë vendit thuajse çdo fundjavë, duke marrë madje edhe vendime gjyqësore pa qenë fizikisht në Shqipëri (një kundërvajtje e hapur ligjore). Me fjalë të tjera, një stil jetese që përkon me vilat e makinat luksoze që ky komunitet përdor çdo ditë në këtë vend.

Verifikime si këto të mësipërmet sot i disponon edhe kupola e drejtësisë në Shqipëri. Faktet janë të njohura, por askush nuk merr ndonjë masë konkrete. E këtu videopërgjimi i Pukës me paketën e masave të qeverisë, bien ndesh në mënyrë flagrante. Çfarë duhen modifikimet ligjore, kompetencat e zgjeruara, kur faktet për korrupsionin në drejtësi janë sheshit?! Edhe sa mynxyra të tjera, si ajo e vrasjes së komisarit të Shijakut do të duhen, që të kuptohet se drejtësia ka bërë krushqi me krimin e korrupsionin prej vitesh?! Edhe sa video si ajo e Pukës duhen, që të kuptohet se një gjyqtar dhe një prokuror marrin lekë nën dorë nga çdo fatkeq që troket në derën e tyre?!

Ajo që po vihet re këto ditë, është se rreth drejtësisë si sistem dhe korrupsionit si fenomen, ka shumë retorikë. Shumë zhurmë, shumë deklarata publike. Shumë tym, por pak, fare pak zjarr. Vetëm në ditën e djeshme u regjistrua një mbledhje e KLD-së jashtë radhe, e provokuar nga videopërgjimi i Pukës, u ndërmor një padi penale për ata që kanë garantuar ligjërisht ndërtimin e kompleksit Jon në Vlorë, si dhe u mor nga qeveria vendimi për shembjen e tij dhe kompensimin e banorëve. E gjitha kjo, në sfondin e rezultateve të indeksit të perceptimit të korrupsionit, të publikuar nga “Transparency International”, ku Shqipëria renditej krahas vendeve si Tanzania dhe Etiopia. Ky pozicion alarmant i vendit tonë në listën e korrupsionit botëror, duhet të bëjë të mendojnë seriozisht politikanët dhe shtetarët, që kanë përgjegjësi për imazhin e tij. Ndoshta po trokasim në derën e gabuar, sepse politika është një tjetër sektor i krimbur në korrupsion i shoqërisë shqiptare. Por fatkeqësisht nuk ka derë tjetër, është e vetmja që ofron sistemi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama