Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mos u tallni me të!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Fevziu
Mos u tallni me të!

E panë apo s’e panë? E vunë për nderim apo provokim? Ishte neglizhencë apo test? E bënë komunistët dhe nostalgjikët, apo nga pak kanë përgjegjësi të gjithë?  A duhet marrë seriozisht, apo thjesht duhet injoruar, siç injorohen së fundmi shumë gjëra që kudo në Europë do të kishin ngritur në këmbë median dhe opinionin publik? E bëri politika, apo ajo ishte thjesht viktima që u gjend në vendin e duhur, por në një skenografi të gabuar?


Kam dashur të kem këto ditë një përgjigje të këtyre pyetjeve, ndërsa lajmi për fotografinë e Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë në ceremonialin zyrtar të shtetit shqiptar për 29 Nëntorin zuri faqet e para të shtypit. Jam munduar të gjej një shpjegim duke u endur nga mundësia e një incidenti banal, nga ato që ndodhin rëndom me shtetin shqiptar sa nga paaftësia, aq edhe nga papërgjegjshmëria e strukturave të tij; deri te testimi i opinionit në një tentativë për ta shndërruar simbolin e Enver Hoxhës në një mundësi për ca pak vota nostalgjikësh dhe militantësh fanatikë që ende 25 vjet më pas vajtojnë si qaramanë “privilegjet” bazike dhe mjerane të asaj kohe.


Nuk i kam dhënë ende një përgjigje, por kjo ka pak rëndësi. Ajo që të bën të ndihesh më keq është neglizhenca dhe shpërfillja e drejtuesve të lartë politikë që e shohin më shumë si një marri nostalgjikësh të rralluar, sesa një incident që implikon vetë Shqipërinë postkomuniste. Nuk e di a kanë të drejtë dhe personalisht besoj se kambanat e alarmit janë më të vlefshme sesa injorimi që i bëhet rastit në fjalë. Po tentoja të imagjinoja se ç‘do të ndodhte në Berlin nëse fotoja gjigante e Hitlerit do lartohej mbi supet e Kancelares Merkel në një ceremoni zyrtare? Ç’do të ndodhte në Itali nëse Presidenti Napolitano do shfaqej në një tjetër ceremoni duke parakaluar njëherazi para të rënëve dhe fotos zyrtare të diktatorit Benito Musolini? Nuk ka nevojë për imagjinatë të fortë. Do shndërrohej në një skandal pa precedent dhe pa dyshim që më e vogla që do të pasonte do të ishte një falje publike, një falje që në Shqipëri nuk e artikuloi askush.


Ka shumë mënyra për ta parë ngjarjen. Do doja ta shmangia trajtimin emocional. Nuk dua të shënoj sërish se njeriu që ngrihej disa pëllëmbë mbi Kryeministrin Rama Presidentin Nishani dhe që shihte ironik elitën politike të Shqipërisë demokratike, është përgjegjës për më shumë se 6000 të pushkatuar pa gjyq, mbi 38 mijë të burgosur dhe mbi 120 mijë të internuar; është vrasësi i shërbyesve fetarë, rrënuesi i kishave dhe xhamive dhe njeriu që ndaloi me ligj praninë e Zotit në vend; është arkitekti i rrënimit ekonomik të vendit dhe përgjegjësi për eksodin masiv dhe biblik të shqiptarëve në fillim të viteve ’90; është urdhëruesi dhe frymëzuesi për vrasjen e mbi 800 vetave që humbën jetën mbi telat me gjemba, me të cilat ai kish rrethuar mijëra kilometra të kufirit shqiptar. Nuk dua të ripërmend asnjë nga këto, por doja që ta shihja në një këndvështrim të ri.


Presidenti, Kryeministri dhe kreu i Kuvendit u bënë pjesë e një ceremonie zyrtare që më shumë sesa nga portretet e të rënëve dhe kurorat për ta, dominohej nga fotoja e diktatorit. Garda që këqyr çdo detaj në vendin ku ata shkelin; Protokolli i Shtetit, një tufë këshilltarësh dhe përgjegjësish imazhi që paguhen nga taksat e shqiptarëve nuk e vunë re praninë e diktatorit në ceremoni.
Si pasojë, krerët më të lartë të një Shqipërie që konsideron si vlerën më të rëndësishme të saj demokracinë dhe pluripartitizmin, bënë homazhe duke pasur në sfond armikun më të madh të demokracisë dhe pluralizmit politik!


Krerët e një vendi që hapur dhe e konsideron integrimin europian si vlerën mëtë madhe të tij, bënë homazhe duke pasur në sfond njeriun që krijoi vendin më të izoluar në globit dhe armikun më të madh të Europës së Bashkuar dhe vlerave perëndimore!


Krerët e një vendi që është anëtar i Këshillit të Europës bënë homazhe duke pasur në sfond foton e një diktatori që është ndëshkuar me dy rezoluta të KiE, një në vitin 1996 (Rezoluta 1096) dhe një në vitin 2006 (Rezoluta 1481). Rezoluta ku Shqipëria ka qenë nismëtare!


Krerët e një vendi që ka dënuar me ligj dhe me rezolutë parlamentare të prillit 1992 të shkuarën e vet diktatoriale dhe rolin e Enver Hoxhës, bënë homazhe duke pasur në sfond portretin e tij!
E fundit dhe më e keqja, krerët e një vendi që ka rehabilituar viktimat e komunizmit dhe që i ka varrosur ata unanimisht në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit (viktimat e Ambasadës Sovjetike etj.), bënë homazhe nën vështrimin cinik të fotos së atij njeriu që i çoi ato viktima në varr pa gjyq, pa ligj, pa asnjë princip demokratik!


E bënë dhe askush s’e pa. E bënë dhe sot askush s’kërkon falje dhe askush s’mban përgjegjësi! Madje nuk bënë as një shpjegim formal!


Dhe së fundmi, opozita s’ka nevojë të reagojë me hartime që zëdhënëset i lexojnë në podium dhe as me orientime politike të kryetarit të saj! Opozita duhet të ndërmarrë një nismë ligjore në Parlament, për të ndaluar (ose rindaluar sepse ligji ekziston) çdo simbol të së shkuarës komuniste, çdo përdorim publik të imazheve të diktatorit dhe çdo lloj himnizimi të tij. Nëse pozita refuzon ta kalojë një ligj të tillë, atëherë nuk bëhet fjalë për një gabim rutinë, por një strategji. Një strategji absurde, sepse është paradoksale të mendosh që ndonjë forcë politike ose ndonjë lider i dëshiruar për një grusht votash radikalësh, do tentojë të hyjë në BE dhe të transferohet në Bruksel, duke mbartur jo vlerat demokratike dhe parimet e lira për të cilat ai Bashkim është ngritur, por nostalgjinë për një kampion të izolimit, dhunës dhe terrorit!
Ka ende kohë për ta kaluar me të qeshur një personazh të dhunshëm, por edhe qesharak si Hoxha! Sot ende duhet reaguar ndaj simbolikës që ai përcjell…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama