Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mandela për Shqipërinë

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Mandela për Shqipërinë

Nelson Mandela, heroi i luftës kundër aparteidit, segregacionit racor, padrejtësive shoqërore etj., etj., nuk jeton më. Mbarë bota i bëri atij homazhet më të sinqerta, kryetarët e më shumë se njëqind qeverive shkuan në Afrikën e Jugut për t’u përkulur me respekt e mirënjohje para trupit dhe veprës së tij. Emri i Mandelës sot përdoret kudo në botë për të treguar dikë që ka kaluar disa dekada në burg për idetë dhe luftën e tij kundër një padrejtësie flagrante, kundër një shtypjeje gjakatare, kundër një krimi kolektiv, kundër një gjenocidi. Edhe në Shqipëri, në vitet që ndoqën shembjen e vonuar, por të mezipritur, të diktaturës hoxhiste, emri i Mandelës u përdor dhe ende vazhdon të përdoret për ata njerëz që vuajtën dhe u torturuan, por pa hequr dorë nga idetë e idealet e tyre, në burgjet e tmerrshme të asaj kohe. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova pati Mandelat e saj.

 

Kam njohur personalisht nga afër disa Mandela që flisnin shqip, burra të mençur, fjalëpakë dhe mendimeshumë. Por, gjithashtu, veçse për fat të keq, kam takuar rastësisht, para disa vitesh, një vjedhës ordiner që m’u prezantua me emrin Mandela, duke më thënë, oh, me çfarë krenarie të paturpshme, se kishte rënë në burg gjatë diktaturës hoxhiste dhe se ishte kryetar i njëfarë Shoqate të të burgosurve ordinerë.

 

O Zot, në ç’kohë e në ç’botë paradoksesh jetuakemi – thashë me vete tek e dëgjoja të fliste pa pushim, – rrezik të kërkojnë dëmshpërblim edhe hajdutët e shtëpive, dyqaneve, biçikletave e të xhepave të atëhershëm! Shyqyr që Mandela, ai i vërteti, nga Afrika e Jugut, që bëri njëzet e shtatë vjet burg për idealet e tij dhe jo për zbrazjen e xhepave të të tjerëve, i nderuar me çmimin “Nobel” për Paqen (1993), me çmimin e “Ndërgjegjes Planetare” (2004) dhe çmimin “Ambasador i Ndërgjegjes” (2006), vdiq pa e marrë vesh (kështu shpresoj unë, të paktën) këtë mynxyrë që i kishte ndodhur në Shqipëri emrit të tij dhe famës së përbotshme që ai gëzonte dhe do të gëzojë, me siguri, ndër vite! Sidoqoftë, lexuesi im i vëmendshëm, por zemërgjerë, do të dijë të më falë që e përmenda këtë shpërdorim të emrit prestigjioz të Nelson Mandelës në Shqipërinë postdiktatoriale, ndërkohë që mbarë njerëzimi ruan e do të ruajë për atë një kujtim jetëgjatë e fort kuptimplotë. Ajo që, tani, dëshiroj t’i them lexuesit tim, janë disa porosi që Mandela, jo vetëm me fjalët, por edhe me veprën tij, u ka lënë shtetarëve, pushtetarëve dhe veçanërisht kryepushtetarëve në çdo vend të rruzullit tokësor, përfshirë edhe Shqipërinë tonë të deprimuar.

 

Porosia e parë ka të bëjë me luftën për dinjitetin njerëzor në rrafshi ekonomik, social e politik (ndërkohë që, përballë trysnisë së neveritshme të korrupsionit, te ne, dinjiteti njerëzor po nëpërkëmbet dita-ditës e natanatës); porosia e dytë ka të bëjë me të Vërtetën dhe pajtimin kombëtar (ndërkohë që te ne, përballë frymës së egër militantiste e revanshiste, e Vërteta e hidhur tregon që jemi ndarë, jo më në gegë e toskë, por në popull të majtë dhe popull të djathtë, çka kërkon me ngut të madh një pajtim në mos jo më kombëtar, të paktën social); porosia e tretë ka të bëjë me qëndrim në pushtet, sidomos në krye të shtetit, nga i cili Mandela u largua me vullnetin e tij vetëm pas një mandati 5-vjeçar (ndërkohë që te ne, pushteti është aq joshës, aq premtues për privilegje, pasuri e para, saqë të gjithë pushtetarët tanë, pa përjashtim, në nivel qendror dhe vendor, kapen me dhëmbë e me thonj pas atij, aq sa trembem se mos edhe ata do të ndjekin, një ditë apo një natë, shembullin e tashmë dhjetë shteteve afrikane ku presidentët në fuqi kanë bërë ndryshime arbitrare në kushtetutat e vendeve të tyre duke hequr kufizimin në kohë të mandatit presidencial).

 

Ka edhe plot të tjera mendime të vyera të Mandelës që politikanët tanë do të bënin mirë t’i njihnin dhe të frymëzoheshin prej tyre (për këtë, le të marrin mundimin e ndershëm të lundrojnë në Internet), por unë do të mjaftohem me këtë thënie të tij: “Për të vendosur paqen me një armik, duhet të punojmë me këtë armik, kështu e kthejmë atë në aleat”. Në kontekstin shqiptar, të ndryshëm nga ai afrikanojugor, politikanët tanë mjafton ta zëvendësojnë fjalën “armik” me atë “kundërshtar” para se ta marrin në konsideratë këshillën e Mandelës, në mënyrë që punët të ecin, më në fund, sadopak më mirë për ne të gjithë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama