Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

PD-PS, shkelja fillon brenda 'gardhit'

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 12 vite më parë

Skënder Minxhozi
PD-PS, shkelja fillon brenda 'gardhit'

Më 14 dhjetor 2009, pak muaj pasi kishte fituar mandatin e dytë qeverisës, Partia Demokratike zhvillonte Kuvendin e saj të radhës. Ndihej që PD ishte e kënaqur dhe e ngopur me vetveten. Aq e kënaqur, saqë në fund të punimeve u bë sikur u “harrua” që nga punimet e Kuvendit nuk dolën disa prej forumeve kryesore të saj. Me fjalë të tjera, as që u votua fare për Këshillin Kombëtar të partisë dhe lidershipin e saj të lartë, sekretarin e përgjithshëm dhe nënkryetarët. I vetmi person me mandat nga ajo sallë doli, siç pritej, Sali Berisha. E ndërsa pas disa muajsh PD mundi ta zgjedhë Këshillin Kombëtar dhe kryesinë, forumet e tjera drejtuese vijuan me mandatet e vjetra, që tashmë quheshin të skaduara.

Të pyetur disa herë rreth kësaj anomalie të rëndë statutore, zyrtarët kryesorë të PD kanë përsëritur në kor se angazhimet qeverisëse kanë sjellë shtyrje, për shkak të detyrimeve të rëndësishme dhe mungesës së kohës. Madje, Berisha shprehej asokohe se po mendonte ta kthente PD në një parti elektorale të stilit amerikan! Pra, që pushonte së ekzistuari në periudhën ndërzgjedhore, e shfaqej vetëm gjatë fushatave elektorale.

Vështirë që një vend si ky, ku sistemi partitokratik është i ngulitur thellë në jetën politike e sociale, të besojë justifikime të tilla. Në një vend ku partitë janë një kult i hershëm, nuk ka vend për sisteme si ai amerikan. Por edhe më e vështirë të besohet se këtë traditë të konsoliduar të demokratëve, gjatë tetë vjetëve të pushtetit të tyre, do të fillonte ta ndiqte edhe PS e muajve të fundit. Që prej 26 shtatorit të vitit të shkuar, kryetarit të PS i ka mbaruar mandati. I zgjedhur në të njëjtën datë të vitit 2009, pas dorëheqjes që dha pas zgjedhjeve, Edi Rama ndodhet tashmë më shumë se tre muaj përtej datës kur duhet të kishte lënë postin, për t’u votuar në bazë të parimit “një anëtar, një votë”, i cili ka hyrë në fuqi tashmë si normë e detyrueshme statutore.

Por kjo nuk ka ndodhur. Në PS është ngritur prej muajsh një grup pune, i cili ka bërë më të thjeshtën: e ka lënë punën që duhet të kryente përgjysmë! Edhe sot nuk ka ende një njoftim të qartë në lidhje me zgjidhjen e këtij ngërçi delikat statutor. Megjithëse statuti i PS e shpreh qartë (në letër) se Asambleja Kombëtare duhet të kishte thirrur kongresin e jashtëzakonshëm, brenda 30 ditëve nga mbarimi i mandatit të kryetarit, për të shqyrtuar kandidaturat për kryetarin e ri, kjo kërkesë vijon të shpërfillet. Duke e lënë Ramën me një mandat i cili, sipas asaj që shkruhet e zeza në të bardhë, tashmë është i parregullt.

Kjo situatë është krejt e pakuptueshme dhe pasqyron një arrogancë të panevojshme dhe aspak të këndshme për shqiptarët që presin më shumë përgjegjshmëri dhe respekt për rregullat, nga partitë që i drejtojnë. Duke nisur nga gardhi i shtëpive të tyre politike.

Nuk ka pasur asnjë pengesë për Berishën dje dhe për Ramën sot, që të aplikojnë me korrektesë sinoret statutore që kanë përcaktuar vetë. Nuk ka pasur as për PD në 2009, e as për PS në 2013, ndonjë emergjencë të brendshme, ndonjë fraksion apo krisje, që të pengonte proceset elektorale respektive në forumet e larta të tyre. Ajo që mbetet të supozohet është se këto parti, ashtu si të gjitha siglat politike të spektrit shqiptar, janë të ngritura mbi parime të demokracisë së brendshme, që janë false dhe të pavërteta.

Nga ana tjetër, po kthehet në një modë të njohur, që kur partitë e mëdha vijnë pushtet, harrojnë të shohin çfarë ndodh brenda vetes. Harrojnë detyrime statutore, norma e rregulla të detyrueshme që vetë i kanë hedhur në letër. Madje në forume të tilla angazhuese kombëtare, siç janë kongreset, kuvendet apo konventat. Atrofizimi edhe formal i asaj që në letër duhej të ishte demokracia e brendshme e një force politike, është një fenomen që nuk lidhet, ashtu siç pretendohet, me angazhimet qeverisëse dhe mungesën e kohës. Partitë politike i kanë vënë vetes detyrime të qarta për funksionimin e brendshëm të forumeve të tyre, për zgjedhjen e institucioneve drejtuese dhe kompetencat që ato kanë.

Rrëshqitja në korsinë e paligjshmërisë statutore, duket se pasqyron në fakt një sëmundje që është shumë më e gjerë sesa lista e rregullave të brendshme partiake. Ajo përfaqëson një koncept të qartë dhe të lexueshëm neglizhence dhe shpërfilljeje ndaj parimeve të përfaqësimit dhe të demokracisë së brendshme partiake. Duke zbuluar më tej, edhe falsitetin me të cilin politika shqiptare i trajton rregullat demokratike, të cilat i predikon vetë gjithë ditën.

Kur një parti si PD nuk zgjedh forumet më të larta, por thjesht i lë personat respektivë në postet drejtuese edhe me mandat të djegur, kur një parti si PS nuk shqetësohet se kryetarit të saj i ka mbaruar mandati prej tre muajsh, e gjitha kjo nuk është një detaj statutor periferik, por një problem i madh e serioz demokracie. Moszgjidhja e të cilit e rëndon deformimin dhe shkeljen e rregullit, çdo ditë që kalon.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama