Problemi i arsimit nuk është një problem i dorës së fundit, madje as i dorës së dytë. Arsimi është projektimi i së ardhmes së një vendi. Ndaj meriton të gjithë vëmendjen e shoqërisë. Por e vërteta në Shqipëri është mjaftueshëm e hidhur sa në biseda mes miqsh konsiderohet jo rrallë e “pashpresë”. Ky perceptim lidhet me faktorin “kohë” Për arsimin çdo ditë e kaluar është një ditë më keq për të ardhmen. Ndaj po i rikthehem edhe njëherë problemit të arsimit. Unë kam qenë dhe jam e mendimit se Arsimi ynë ka nevojë për Revolucion. Kjo do të thotë për ndryshim thelbësor filozofie mbi të cilën duhet ndërtuar sistemi ynë arsimor. Ka disa arsye që vazhdoj të këmbëngul në këtë drejtim.
Shqipëria ndodhet përballë dy qasjeve: gjendjes së vendit, me të gjitha karakteristikat, dhe kapja e trenit për Europë, pra vendosja e standardeve bashkëkohore. E para kushtëzon të dytën. Nuk mund të ketë sukses asnjë reformë arsimore e kopjuar nga cilido vend tjetër perëndimor ose lindor. Arsimi shqiptar ka disa veçori të trashëguara ndaj dhe duhen marrë parasysh e gjithë e kaluara jonë historike, por dhe e tashmja e përditshme.
Së pari: Shqiptarët nuk është se janë shumë të dhënë pas arsimit. Nuk bëj fjalë për përjashtime, të cilat kanë qenë të tilla që në Rilindjen tonë kombëtare. Por raporti i shqiptarit me shkollën vazhdon të mos jetë i përgjegjshëm. Me fjalë të tjera edhe sot arsimin e shikojmë si një mundësi për të pasur një vend të mirë pune dhe kaq. Pra shqiptarët duan të arsimohen, jo se e ndiejnë nevojën e tij për të ditur dhe edukuar vetveten, por si instrumentin që të siguron një punë, mundësisht në shtet! Dhe sistemi i diktaturës nxiti pikërisht këtë perceptim, duke punësuar çdo individ që mbaronte arsimin e lartë, sipas preferencave partiake. Ndaj burimi nxitës për të mësuar vinte nga përfundimi i tij: puna në shtet! Sot gjendja është përkeqësuar me ritme të frikshme. Interesi i nxënësve për të mësuar ka rënë aq shumë, sa në klasa mezi gjenden nxënës që pyesin apo lexojnë jashtë detyrimeve shkollore. Kjo është njëra anë që duhet ta mbajmë në konsideratë kur flasim për reforma në arsim. Pra ne duhet të synojmë në radhë të parë të kthejmë interesin e shoqërisë shqiptare për shkollën dhe arsimin.
Së dyti: Shqiptarët janë popull që kërkon të krahasohet me më të zhvilluarit. Ose të paktën sillet si i tillë. Ai preferon celularin më të fundit, laptopin më të fundit, makinën më të fundit dhe realisht vazhdon të jetojë në varfëri. Të rinjtë e sotëm përdorin teknologjinë bashkëkohore, por kultura e tyre është e pakrahasueshme me bashkëmoshatarët e tyre në Europë! Nga anketimet që kemi bërë në 250 nxënës të shkollave të mesme të Tiranës rezulton se vetëm 2.3% e tyre e përdorin internetin për të mësuar dhe nga këta, 80% e përdorin për të “gjetur” detyra të dhëna në klasë nga mësuesi! Pra ekziston një kontradiktë e madhe mes dëshirës për të rrokur majat e teknologjisë dhe aftësive arsimore, kulturore dhe edukative të të rinjve shqiptarë, për ta përdorur me eficensë këtë teknologji. Pra, nëse flas për revolucion në arsim kam parasysh edhe këtë kontradiktë, e cila patjetër kërkon ndryshim rrënjësor të arsimit. Nuk është e rastit që disa organizata ndërkombëtare kur kërkojnë specialistë porosisin nën zë: të jetë i shkollës së vjetër dhe pse mund të mos dijë kompjuterin….
Së treti: Institucioni shkollë ka ardhur duke humbur vlerat e tij duke pasqyruar kështu vetë realitetin 23-vjeçar të Shqipërisë. Korrupsioni, indiferenca, mosrespektimi i vlerave, papërgjegjshmëria janë ato elemente që e kanë sjellë shkollën përpara një revolucioni të vërtetë. Dhe jo thjesht organizativisht
Së katërti: arsimi shqiptar duhet të ndjekë dhe ritmet e zhvillimit bashkëkohor, pasi nesër vendi do jetë pjesë e BE dhe të rinjtë do ta ndiejnë se nuk mund të “maten” me moshatarët e tyre pasi niveli i dijeve dhe aftësitë praktike janë në largësi të madhe. Ndaj them se ka nevojë për një përmbysje të perceptimit aktual të shoqërisë për shkollën. Le të marrim komponentët e shkollës.
• -Mësuesit- Brezat e tyre tashmë kanë zëvendësuar njëri-tjetrin dhe sot kemi një brez mësuesish të rinj që “nuk kanë dashur” të bëhen mësues. Pra shumë prej tyre nuk kanë dëshirën për t’u bërë të tillë. Arsyeja? Shumica thonë “Arsye Ekonomike”. Pra nxjerrin si justifikim “pagën’ që nuk është normale për të kryer këtë profesion. Realisht në raport me pagat e tjera të sektorit publik paga e mësuesit është e krahasueshme me pagën e specialistëve në administratën publike. Nëse i shtojmë kësaj page dhe mundësitë më të mëdha për pushime, profesioni i mësuesit nuk është më pak joshës së profesioni i ekonomistit apo dikujt tjetër. Dy janë mundësitë ose të rinjtë e sotëm kërkojnë punësim në administratën publike me shpresën se do “bëjnë para” aty ku dhe nëse nuk rrjedh pikon, pra me konceptin se punësimit në shtet të jep mundësi fitimi( dhe kjo është e prekshme te të rinjtë tanë) ose nuk duan të zgjedhin të studiojnë për mësuesi, pasi e konsiderojnë si të pavlerë apo të pakarrierë këtë profesion. Këtu mendoj se duhet të ndryshojë rrënjësisht trajtimi dhe perceptimi për mësuesit. Nuk ka pse “përfundojnë” mësues nxënësit më të dobët të cilët riciklojnë natyrisht një brez të dobët! Unë kam qenë dhe jam e mendimit se Universiteti i Edukimit do të ishte një hap i mirë në këtë drejtim.
• Curicula është elementi tjetër që duhet rikonceptuar në themel. Curricula përcakton më tej dhe librin shkollor. Tekstet shkollore janë jo vetëm të vjetra në informacion, por shpesh të shkruara keq, jo të qarta dhe interesante për një nxënës, i cili gjen më interesant përdorimin e celularit sesa shpjegimin apo leximin e tekstit. Unë gjykoj që curricula duhet ndërtuar në mënyrë që të marrë parasysh faktorët e mësipërm. Pra në varësi nga ciklet ne duhet t’u vëmë përparësi atyre lëndëve që nxisin të mësuarin, nxisin logjikën, nxisin qytetarinë dhe nevojën për kulturë. Më tej në ciklet e larta ne duhet të krijojmë përparësi për ato sfera të jetës sonë shqiptare ku kemi nevoja të mëdha. Ne kemi mangësi në edukimin e politikanëve tanë, ne kemi mangësi në turizëm, në ndërtim, në IT, në igovernance etj.
• Metodologjia në edukim ka nevojë për revolucion. Moralizimet e kanë humbur vlerën e tyre, por morali jo. Liria është motoja e të rinjve të sotëm, por rregulli qëndron dhe duhet të jetë rreptësisht i fortë për një shoqëri si kjo e jona që nuk e ka kuptuar thelbin e lirisë dhe e konsideron si “të bësh ç’të duash”. Mësuesi i shekullit të 21-të nuk mund t’i drejtohet klasës si dhjetë vjet më parë! Po nuk e kuptuam këtë, s’kemi si presim që fëmijët ta duan shkollën dhe arsimin.
Këto janë disa mendime të hedhura sa për një “kujtesë” se nuk ka kohë për të pritur sidomos në arsim.