Sa më shumë afron koha e zgjedhjeve administrative aq më shumë rriten dozat e demagogjisë elektorale. Kjo është e justifikueshme. Ajo që nuk gjej dot mundësi për ta justifikuar është “indiferenca” e partive politike përballë respektimit të Kodit Zgjedhor dhe afateve që përcakton ai. Askush nuk ka të drejtë të “luajë” me ligjin dhe nuk ka asnjë arsye për ta shkelur atë. Por mendoj se janë dy probleme madhore me të cilat po përballen partitë politike në këtë fushatë elektorale: e para ka të bëjë me funksionimin ose jo të vetë partive; e dyta, me përzgjedhjen e kandidaturave. Të dyja këto elemente janë të qenësishme për funksionimin normal të demokracisë në një vend, por janë edhe garancia e zbatimit të ligjit.
Le t’i referohemi problemit të funksionimit real të partive kryesore. Vonesat dhe problemet e dukshme që po shfaqen këto ditë tregojnë se të paktën dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, nuk po funksionojnë. Madje do të thosha se këto parti kanë rrëshqitur drejt shpërbërjes reale të tyre. Partia Socialiste është shndërruar në një grup pushtetarësh, që nën siglën e PS-së punojnë për të rregulluar veten, të afërmit e tyre apo klanet financiare. Partia Demokratike, dhe pse në opozitë, është inekzistente aq sa “lufta” e brendshme e ka tkurrur lidershipin e saj në një sjellje politike infantile. Ndaj, çdo kritikë që adresohet në drejtim të partive të mëdha është jo fort e qëlluar. Nuk mund të gabojë një organizëm që nuk ekziston. Mungesa e funksionimit të partive të mëdha në Shqipëri gjithnjë e më shumë afron nevojën për ndryshimin e kësaj klase politike, që në 24 vite kanë prodhuar këto parti. Shpërbërja e këtyre partive po ndodh me shpejtësi dhe një riformatim tjetër i politikës shqiptare do i shërbente realisht frymës demokratike në vend. Kur them se këto dy parti (të cilat kanë mbajtur peshën e luftës politike në periudhën e tranzicionit), po shpërbëhen, e them jo thjesht se këto organizata nuk kanë as jetë organizative e as institucionale, por e them me bindje se dhe qytetarët që i kanë ndjekur këto dy parti ndër vite, nuk kanë më atë lloj ndjeshmërie, ideologjie dhe interesi sikundër e kanë menduar dikur qenien pranë ose në një nga partitë e mëdha. Partitë po funksionojnë si klube klanore interesash ekonomike. Nuk ka më as programe as statute e as rregullore që duhen zbatuar. Ka vetëm klientelistë! Duket se dypartitizmit real në politikën shqiptare po i vjen fundi. Merita për shpejtësinë me të cilin po ndodh ky proces u takon dy liderëve aktualë: z. Rama dhe z. Basha. Këta liderë kanë krijuar një sjellje të tillë politike që e ka nxjerrë jashtë funksionit nevojën për parti politike. Partia në të dyja rastet konsiderohet thjeshte koncept teorik dhe aspak real.
Problemi i dytë që rrjedh nga i pari është problemi i përzgjedhjes së kandidatëve për administrativet 2015. Çdo ditë e më shumë po shtohen zërat për një përzgjedhje ndoshta ndër më të këqijat e këtyre 24 viteve! Nuk e di sa mund të jetë real ky përfundim, por perceptimi ka një bazë reale: mbi 40% e kandidaturave që liderët kanë përzgjedhur janë rikandidime. Kjo vlen për të dyja siglat e partive apo koalicioneve. Z. Rama, i cili ka shpallur sfidën e tij marrjen nën kontroll të territorit, sigurisht ka krijuar tek opinioni publik dhe besimin se shkaktarët e katrahurës mjedisore e territoriale do të ndëshkohen. Z. Rama disa herë i ka quajtur krime gjithçka është bërë nga keqqeverisja në nivel lokal. Por duket se “kriminelët” jo vetëm nuk do të ndëshkohen, por do t’u jepet edhe një mundësi tjetër të “promovohen” nën sigla rilindjeje apo demokracie! Dhe sikur të mos mjaftonte kjo lloj përzgjedhjeje, vijnë kandidime nga bota e mirëfilltë e krimit apo korrupsionit. Pse ndodh kjo? Mbase ngaqë lidershipet nuk kanë njohjen e duhur për kandidaturat që shpallin. Por kjo nuk besohet nga shumica, pasi kur “baza” nuk e ka pranuar kandidimin e X-it për arsye korruptive ose kriminale, askush në lidership nuk është shqetësuar për këtë, por ka shpallur atë çfarë ka vendosur më parë! Atëherë lind pyetja: Si mund të justifikohen përzgjedhje të tilla? Cili do të mbajë përgjegjësinë politike e morale për t’i besuar krimit qeverisjen vendore? Them cili, sepse nuk mund të bëj me faj partitë përkatëse. Ato sikundër thamë, nuk funksionojnë! Aq përmasa po merr frika nga kriminalizimi i pushtetit vendor sa ka detyruar edhe kishën të shprehet haptazi në një çështje që teorikisht nuk i përket! Realiteti ynë po deformohet duke ia kaluar gjithë pushtetin krimit, grupeve kriminale financiare dhe njerëzve të “bindur” që i duhen pushtetit për fasadë e për të mashtruar njerëzit! Nëse në një bashki të një qyteti kandidon një grua, sigurisht perceptimi i parë është pozitiv. Por koha do të vërtetojë se liderët e partive kanë kandiduar gra në ato bashki ku interesat e tyre personale janë më të drejtpërdrejta dhe nevoja për një dukje të re është më e madhe! Nëse gaboj, në këtë parashikim do të jem vërtet e gëzuar! Zgjedhjet e 21 qershorit duket se do të prodhojnë një gjendje aspak të mirë për pushtetin lokal. Kandidime të pavarura duket se do të ketë kudo në Shqipëri dhe kjo është një qasje e re pozitive që vjen në ndihmë të argumenteve që shtrova më sipër. Duke mos funksionuar partitë, e duke ua lënë gjithçka në dorë liderëve që përzgjedhin sipas interesave personale, kandidatët e pavarur, edhe nëse nuk sigurojnë fitoren, janë një shuplakë për politikën shqiptare.
Por ajo që dua të nënvizoj jemi ne, shqiptarët, që gjykojmë dhe zgjedhim në fund të fundit ata që na qeverisin. Nëse do të vazhdojmë të zgjedhim ata që na servirin sipas mënyrës, dëshirës dhe interesave të tyre liderët, mos ankohemi se çfarë do të ndodhë nesër. Sot koha është e maskarenjve, por them me bindje se mendja është e shqiptarëve. Këto zgjedhje janë zgjedhje për ne, ndaj të mos shikojmë siglat e partive, por njerëzit që do i kemi për të na zgjidhur hallet tona. Kemi vetëm dy mundësi: ose të vazhdojmë t’i bindemi përzgjedhjes së liderit dhe të vidhemi e të shpërfillemi nga pushtetarët, ose të zgjedhim individët që i mendojmë se do të punojnë me komunitetin në favor të tij!