Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

I vetmi reporter lufte...

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 11 vite më parë

Aleksandër Çipa
I vetmi reporter lufte...

Ka kohë që mbetet i hapur diskutimi se gazetaria e shkruar shqiptare është e kufizuar në një perimetër të gjeografisë lokale dhe rajonale. Shpesh pohohet se gazetarisë sonë i mungon dimensioni global dhe se kultura e raportimit nga hapësira jashtëkombëtare është e kufizuar. Mirëpo të arrish në një konkluzion të tillë do të thotë të mos kesh dijeninë e plotë për atë investim profesional, që është kryer nëpër gjenerata dhe redaksi shqiptare. Një provë e fuqishme e ekzistencës së një përvoje të tillë është e përditshmja e dikurshme e Prishtinës, “Rilindja” dhe ndër të tjerë edhe gazetari Nehat Islami. Për ta njohur këtë të vërtetë dhe kontributin e posaçëm të tij në disa vite rresht, por në mënyrë të posaçme në periudhën e viteve 1974-1979 dhe në disa herë të rikthyer në vite të ndryshme në Lindjen e Mesme, vetë kolegu i njohur i Prishtinës na vjen në ndihmë.

Ndodh shpesh që gazetaria politike, ajo e luftës dhe e diplomacisë, të bëhen ndihmuese në shumë plane. Libri “Hotel Bejruti” është një doracak i shkëlqyer për çdo diplomat, që jo vetëm ka ngasje për të njohur të vërtetat historike dhe peripecitë që përjetojnë për dekada e shekuj popujt e Lindjes së Afërt, të Mesme dhe hapësirës arabe në përgjithësi. Përmes këtij libri, mundësuar nga raportimet analitike të Nehat Islamit, çdo lexues fiton njohje dhe dijeni për historinë dhe popujt e këtij areali. Luftërat dhe mospërputhjet e aspiratave kombëtare e kanë shndërruar këtë areal në një vatër, ku përcëllima dhe zhuritjet prej arsenaleve dhe zemëratave, janë ajri dhe flaka për dekada.

Autori reporter i librit “Hotel Bejruti” është i pari dhe i vetmi reporter lufte në këtë hapësirë në historinë e gazetarisë shqiptare. Një cilësi dhe e vërtetë e cila, shumëpak njihet prej komunitetit të gazetarëve në të ashtuquajturën Shqipëri londineze.

Në vjeshtën e hershme të vitit 1974, Nehat Islami, me detyrën e korrespodentit të përhershëm të “Rilindjes” për Lindjen e Afërt, nisi një ndër misionet dhe itineraret më të vështira të karrierës së vet. Por natyrisht ishte edhe një nga periudhat më aureolike të profesionit të tij në kaq dekada. Në emër të përkatësisë dhe ndjenjës vetjake kombëtare, stacionimin e parë në Lindjen e Afërt e nis me vizitën në varrin e Pashko Vasës, guvernatorit të Libanit (1883-1892), shkas ky për një fejton ose siç e quajmë ne të Shqipërisë, dossier të shkruar në bazë të dokumenteve që gjeti në dosjen e historianit të njohur libanez Lahed Hater…

Por përshkrimet e Nehat Islamit janë autentike, ato mbartin forcën e informacionit dhe të tejqyrjes së faktorëve dhe rrethanave historike të secilit popull, komb dhe rajoni. Ai dëshmon një kulturë të dijenisë dhe njohjes së rrethanave dhe pleksjeve historike, politike, diplomatike dhe fisnore në këtë areal të influencave dhe fijeve qindravjeçare. Rrëfimi për Libanin e para 13 prillit të 1975, raportet e ndikimit politik të Sirisë mbi Libanin, mbi të cilin Siria tradicionalisht “ka caktuar presidentët, kryeministrat, madje edhe ministrat libanezë, pasi ky shtet nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë trysnive politike dhe ushtarake të Damaskut…”

Raportimi për ngjarjet dhe zhvillimet e përditshme në një terren lufte dhe përleshjesh, shkatërrimesh dhe refugjimesh/////////// nga gazetari i luftës, kurrë nuk shkëputet nga nevoja natyrale për të gjetur gjithkund diçka prej kombësisë dhe prezencës së kontribuar të përfaqësuesve kombëtarë shqiptarë. Në pjesën e tretë të librit, ku kapitulon një cikël shkrimesh “Shqiptarët e shquar në botë”, autori na sjell informacion dhe fakte, të cilat e bëjnë edhe më orientuese dijen dhe memorialistikën shqiptare në tërësi për shtrirjen dhe ndikimin e përfaqësisë dhe indit shqiptar në këto vende dhe qytetërime. Në mënyrë të veçantë këtë e realizon në shkrimet “Dyzet mijë shqiptarë ndryshojnë historinë e orientit”, “Pranvera arabe” etj. Ndërsa përjeton shkatërrimin dhe zhuritjen e godinave, rrugëve dhe banesave të Bejrutit, reporteri që është aq afër jetës dhe vdekjes, gjen detajin e vetëndierjes dhe provën se edhe shqiptarët janë qytetarë të kësaj bote globale. Në librarinë “Antuan” në rrugën kryesore të Bejrutit, kur u godit nga shumë predha në grumbullin e librave të djegur gjen edhe “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, botim parisien, djegur gjysma e mbulesës. Këtë libër të mbetur në çerekdjegien e kopertinës së vet, gazetari ia kërkon pronarit që po sodit fatkeqësinë e vet të shkatërrimit dhe zhuritjes së biznesit.

Libri “Hotel Bejruti” nuk është një libër me subjekt linear, por përmbledhje e disa prej raportimeve analitike që gazetari ka përcjellë pranë redaksisë së vet “Rilindja” në atë kohë dhe përmes asaj teknologjie të tejkaluar komunikimi. Është fjala për raportimin e mbi 30 vjetëve më parë. Një sprovë e fuqishme dhe e fituar koherence.

Episode dhe pasazhe të këtij raportimi si: “Robërit e aeroportit të Bejrutit”, botuar më 3 qershor 1976, përbëjnë modelin e një raportimi që nuk e zhvleftëson as koha e as ruli i kohës. Nehat Islami është rasti i gazetarit që e ka fituar mundësinë e harresës për raportimet e veta të mbi tri dekadave më parë dhe që përmes kulturës dhe dijes historike t’ia ketë dalë që në raportimet e hershme të dëshmojë edhe profecinë, por më së shumti edhe mirëparashikimet e veta.

Natyrisht pesha specifike e këtij libri ka lidhje me historinë e ngjarë, me ndodhitë e një kohe qytetërimesh dhe moderniteti në të cilën ripërsëriten episode dhe ndodhi të përgjakjes biblike. Reporteri-autor është jo vetëm udhëtar sakrifikant nëpër këto mjedise dhe territore lufte, jo vetëm një ikanak i rrezikuar dhe i kërcënuar si ai, por një vëzhgues që tronditjet dhe lëndimet, dhimbjet dhe traumat e atyre çka shikon dhe përjeton i konverton në përshkrime të dinjitetshme dhe me vlera ta papërsëritshme shkrimore. Në raportin nga Kampi Sabra, ku gjendeshin në mënyrën më martirizuese mijëra palestinezë dhe ku apoteoza e ujit, energjisë, telefonit shndërrohej në mjet torture masive për refugjatët, autori të le të besosh dhe shijosh edhe përjetimin e vet deri në lot. Me mjeshtërinë e raportuesit dhe narratorit të detajit, me një gjuhë të shkëlqyer dhe të pasur stilistikisht, me pasurinë e dijeve dhe njohjes së historisë dhe kulturave respektive të këtyre popujve dhe kombeve të këtij areali, Nehat Islami, sipas meje e rendit vetveten ndër publicistët shqiptarë që përbëjnë një model krahasimi me sivëllezërit e spikatur në hapësirën dhe publicistikën ndërkombëtare.

Libri “Hotel Bejruti” ka dimensionin e një antologjie raportimesh, por njëkohësisht edhe të një guide shumëplanëshe për dijeninë dhe orientimin e lexuesit, aq më tepër shqiptar, për atë pjesë të globit dhe popujve. Në të gjitha raportet gjendet diçka prej mëmëdheut, një detaj për prezencë shqiptare, një histori që lidhet me ekspresionin historik dhe kulturor shqiptar në botën arabe, perse, siriane, libiane, izraelite etj., etj. Kjo nuk është një përpjekje e sforcuar dhe si shprehje e sindromit për patetikë dhe vetëlëvdim kombëtar. Jo, është pjesë e zhbirimit dhe hulumtimit profesional të autorit, duke kontribuar për memorien e lexuesit dhe sidomos duke e bërë më të mishëruar gjithështrirjen e kontributit intelektual dhe politik të shqiptarëve në kohë e shekuj pararendës me të sotmin. Në shkrimin e botuar në vitin 2011, “Beteja titanike për ujë”, autori është një reportazhist i klasit të parë. Pjesa “Petra ose kthimi pas 30 shekujve” është një pasazh që të shkakton asociacionin e marrëdhënies me trashëgiminë, por edhe me një rrethanë biblike të apoteozës me ujin. Sikundër edhe shkrimi tjetër “Lëngimi i detit të vdekur”.

Në gjithë këtë antologji shkrimesh autori nuk i mërgon përkatësisë së vet profesionale. Larton në të gjitha rrethanat dhe betejat shkatërrimtare që përjeton dhe sodit nga afër, kauzën e reporterit dhe të raportimit. Rasti i “Sherif al Akhavi”, reporter i “Radio Libanit”, i cili u ngrit me shpejtësi meteori në profesionin e tij, kur radio mbeti e shkretuar, mori vetë mikrofonin dhe u shndërrua në burimin e lirë të informacionit publik. Pas qetësimit të gjendjes, ai u përjashtua nga shefat, sepse kishte keqpërdorur mikrofonin. Por dy orë më vonë, në Bejrut, i madh e i vogël u ngritën për ta mbrojtur sherifin në ato momente të vështira për Bejrutin mblodhi për mbrojtje 50 mijë vetë. Modelin e tribunëve dhe elitistëve të këtyre popujve në Lindjen e Mesme dhe atë të Afërt autori Nehat Islami e evidenton me elegancën dhe adhurimësinë e virtytshme. Në shkrimin “Gandi libanez”, duke e pasur fjalën për klerikun dhe filozofin e shquar Mousa el Sadr, i cili përfundoi i rrëmbyer dhe i vrarë nga diaboliku Gadaf në Libi, autori portretizon jo vetëm një martir libanez, por një prijës mendjehapur dhe profetik për atë që militon deri në vetëflijim për popullin dhe kombin e vet.

Peripecitë, por edhe të qenët pranë vdekjes në mënyrë të përsëritshme, gazetari e rrëfen jo si qëllim heroizimi, por si një përshkrim për këdo, sidomos te raporti “Si i shpëtova snajperit”, botuar në “Rilindja” të 1,2,3 të janarit 1976. Një përshkrim për atë çka ndodhte nëpër rrugët e Bejrutit, kur predhat mbërrinin në formën e breshrit dhe ku shkatërrimi ishte fjala e marrë e luftës së pamëshirshme. Në këtë raport analitik, Nehat Islami kujton se si në ato kushte mes gazetarëve në Bejrut u shpall një garë profesionale për përkufizimin më të shkurtër të luftës civile në Liban, mes të cilëve gazetari i “Al Naharit” kishte shkruar përgjigjen e tij më eksplicite.

Natyrisht, koha pesëvjeçare e qëndrimit të reporterit shqiptar Nehat Islami në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, këtë territor ku pleksen popujt, kombet, luftërat, diplomacitë, ushtritë, konspiracionet dhe më së shumti sakrificat dhe shkatërrimi tragjik është e mjaftueshme për të qenë një përvojë papërsëdytje. Reporteri ynë ishte i palodhshmi, një ikanak i etur për të shkelur vise e rajone, qytete e shtete. Nehat Islami, përmes autorësisë në këtë libër, na dëshmohet ne lexuesve dhe kolegëve të vet si model i reporterit që ambicien dhe shtytimin për ekskluzivitet e mbart si mishërim të punës dhe mundit të vet ditor. Koha dhe përpjekja e vet i dhanë mundësinë të jetë jo vetëm dëshmitar, por intervistues dhe bashkëbisedues me dhjetëra e qindra personalitete të diplomacisë, politikës, partitizmit dhe luftës në rajonin e Lindjes së Mesme. Është fjala për atë mori personazhesh dhe personalitetesh që pazgjidhshmërisht janë të lidhur me historinë politike dhe diplomatike të 100 vjetëshit të fundit në këtë rajon dhe në raport me arenën ndërkombëtare, si: Jaser Arafat, Xhelal Talaban, Sherif Akhavi, Musa Elsadër, Anuar Elsadat. Një përvojë të tillë, si fat të vetëgjetur, Nehat Islami na e sjell në librin “Hotel Bejruti” në formën e përmbajtjen e një antologjie raportimi, e cila pashmangshmërisht e pasuron përvojën dhe cilësinë e raportimit në gazetarinë dhe rrëfimin shqiptar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama