Sa herë që politikanët dështojnë të mbajnë premtimet, të qeverisin siç duhet, të ndërtojnë alternativa, të bëjnë reforma reale apo projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve, shpëtimin e gjejnë tek radikalizimi i klimës politike, ndarja e kampeve, fajësimi i kundërshtarit duke ndezur kështu një debat emocional që mbulon shqetësimet e vërteta. Paaftësia mbulohet me goditjen e kundërshtarit, mobilizimin e militantëve dhe ndarjen e opinionit publik. Të gjitha energjitë përqendrohen e shpenzohen në një betejë të shpikur nëpër ekrane tv, foltore kuvendi e salla konferencash dhe jo në zgjidhjen e problemeve që kanë realisht qytetarët. E kemi ndeshur këtë praktikë rëndom në betejën e shifrave për ekonominë, për nivelin e korrupsionit etj, por ajo që po ndodh së fundi me gjendjen e rendit ngre shumë shqetësime.
Si në asnjë rast tjetër, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka pushtuar ekranet e televizioneve në prime time, duke u shfaqur në shtëpitë e shqiptarëve me një dendësi të pazakontë. Deklarata shtypi, fjalime programatike të gjata e plot klishe, analiza pune që bëhen përpara kamerave, ndërhyrje telefonike live me tone arrogante në tv, ballafaqime dhe intervista në emisionet politike kryesore në vend. Brenda më pak se një jave, ministri 35-vjeçar pushtoi studiot e Opinionit, Top Story-t, Babaramos, Studios së Hapur, pa llogaritur këtu hapësirën në edicionet e lajmeve dhe faqet e gazetave. Dendësia me të cilën një politikan, aq më shumë një ministër, shfaqet para publikut, është shenja e parë e tentativës për të mbuluar mungesën e rezultateve në punën e tij. Vështirë të gjesh një rast të ngjashëm në botë, ku një ministër që ka vetëm katër muaj punë shfaqet çdo natë si Ezeli në të gjitha ekranet e tv. Sipas strategjisë së kryeministrit “dukja gjithçka, puna asgjë”, edhe një nga ministrat më të rëndësishëm të qeverisë po kërkon të kompensojë me fjalë e akuza atë që nuk po arrin të bëjë në terren. Vrulli i fillimit për mbylljen e lojërave të fatit apo tritolin në godinat që shemben përgjysmë, të cilat i priu vetë ministri, u ftoh me hapjen e tyre dhe selektivitetin që pasoi. Edhe valës së gjobave po i kalon efekti. E kështu, ministrit me të cilin mburrej para do kohësh kryeministri Rama, tani i duhet të përballet me punën e vet kryesore, që nuk është as forca e tritolit, as marrëzia e kumarit dhe as arroganca e gjobave, por siguria e jetës dhe e pronës së qytetarëve. E cila, për hir të së vërtetës, vazhdon të jetë në një pikë kritike.
Sigurisht që në këtë pikë rendi nuk mbërriti këto katër muaj të Saimir Tahirit. Rritja e kriminalitetit, vrasjeve, grabitjeve, atentateve e sulmeve me eksploziv ka një kontinuitet. Ministri i sotëm nuk mund të ngarkohet edhe me mëkatin e të tjerëve, por ai mund të gjykohet për mënyrën se si po ballafaqohet me këtë situatë. Duke zgjedhur mediat dhe jo punën kokulur e pafjalë, duke u sjellë herë arrogant si Koçi Xoxe e herë trendi si Eno Popi i Wake Up, ministri i Brendshëm po merr tiparet e një stari, të një personazhi të showbizit dhe jo të një qeveritari serioz që ka mbi supe barrën më të rëndë, jetën e qytetarëve.
Në performancat televizive të Tahirit bie në sy mungesa e modestisë dhe tendenca për të ndarë opinionin në pro dhe kundër. Ministri pretendon se me të po rilind edhe policia edhe siguria në vend, se ai po bën reforma që shënojnë një epokë të re, se era tahiriane po sjell barazinë e të gjithëve para ligjit… Pa harruar të thotë se ai ka gjetur në atë ministri një ferr më të keq se në ’97 (kur ai vetë ishte 18 vjeç) dhe se për çdo të keqe që ndodh fajin e ka qeveria që shkoi. Madje në logjikën e krahasimeve, ministri arriti kulmin gjatë intervistës në emisionin Studio e Hapur kur deklaroi se gjatë të njëjtës periudhë të janarit të këtij viti krahasuar me atë të vitit që shkoi janë vrarë 5 vetë më pak. Të krijohet përshtypja se flitet për maune të zhdoganuara apo për realizimin e planit në tatime dhe jo për jetë njerëzish. Dhe si për ironi, pa kaluar as 24 orë, krimi goditi përsëri duke marrë jetë njerëzish dhe duke grabitur një bankë në jug. Ndryshe nga sektorë të tjerë, politizimi i rendit është me pasoja dyfishe. Ai jo vetëm që nuk sjell përmirësim të situatës, por çmobilizon efektivat e policisë të cilat vendosjen e rendit nuk e shohin si detyrë në shërbim të qytetarëve por si trofe në gjoksin e ministrit. Vërtet që në këtë mënyrë ministri Tahiri mund të prodhojë një debat politik, interpelanca në parlament, akuza e kundër akuza, ndarje të opinionit në pro e kundra, por ato nuk mund të mbulojnë gjendjen reale. Ndryshe nga sektorë të tjerë ku bilancet bëhen me shifra, aty ku gjendet Saimir Tahiri, bilanci bëhet me jetë njerëzish.
Modestia do të ishte një dimension që mund t’i bënte qytetarët më të kuptueshëm ndaj ministrit të Brendshëm dhe situatës së vështirë në të cilën ai ndodhet. Në të kundërt, pozat qesharake për luftë ndaj të fortëve që parkojnë keq, daljet publike për t’ua hedhur fajin të tjerëve, trashja e zërit apo ngritja e tonit për të vendosur autoritet, mund të çojnë në ulje të besueshmërisë jo vetëm tek ministri, por për të gjithë qeverinë. E në një rast të tillë, Edi Rama nuk do të mendohej gjatë për të bërë një kurban, qoftë edhe një nga delet e preferuara të vathës së tij.