Mazhoranca qeverisëse është përfshirë së fundi në një lëvizje të ethshme për të sajuar një tjetër fabul në kërkim të diversionit dhe mbulimit të paaftësisë së saj. Pas ankimeve se fajin e kanë Sali Berisha, mediat, sistemi i drejtësisë, presidenti Nishani etj., tani radha i ka ardhur Shërbimit Informativ Shtetëror. SHISH na qenka fajtori tjetër për dështimet e qeverisë, kryesisht në sigurimin e rendit dhe jetës së qytetarëve. Dhe për ta bërë sa më të besueshme një histori të tillë, Edi Rama përdori si mish për top Bamir Topin, që pas një darke të mirë me peshk iu zhdërvjelltësua mendja dhe e gjeti të keqen e madhe. Krejt papritur, ish-presidenti u aktivizua në këtë lojë duke e hedhur i pari tezën se SHISH ka përgjegjësi për shtimin e kriminalitetit në vend (nuk tha asnjë fjalë për Ministrinë e Brendshme) pasi nuk po bën detyrën, por po i shërben ish-kryeministrit Berisha. Në dy intervista, një tek Shekulli me titull apokaliptik: “SHISH, puç kundër qeverisë” dhe tjetrën në studion e Opinion, Topi e drejtoi grykën aty ku ia kishin caktuar shënjestrën.
Përdorimi i individëve apo faktorëve që gjoja vinë përtej mazhorancës, për t’u dhënë kështu kredibilitet akuzave të tyre, është një skemë që Edi Rama e njeh mirë. Gjatë viteve 2000, krerët e mazhorancës së sotme patën keqpërdorur gjerësisht elementë që godisnin apo bënin diversion, nisur nga afërsia që kishin patur dikur me PD. U krijuan parti që paraqiteshin si opozita e vërtetë konstruktive, u prodhuan analistë të djathtë që distancoheshin nga veprimet e PD, u ngritën dhe u financuan gazeta, si ingranazhe të një mekanizmi diabolik për të mbuluar keqqeverisjen dhe për të zhvlerësuar frymën opozitare.
Tani po shohim përditë se si po aktivizohet i njëjti mekanizëm, të cilit Edi Rama po ia vajis ingranazhet e ndryshkura. Bamir Topi, i akuzuar nga opozita për flirtim me PS dhe për financim të partisë së tij nga biznesmenë pranë Edi Ramës, ka ofruar shërbimet e FRD si dikur PDR në emër të së “djathtës së vërtetë”. Teza se SHISH po saboton punën e policisë, një budallallëk par exellence, mund të hante diskutim nëse ish-presidenti do të paraqiste ndonjë fakt. Por ajo ngjall vetëm keqardhje kur sheh një goxha burrë që përsërit të njëjtin tekst që recitoi edhe ministri i Brendshëm në komisionin parlamentar të Sigurisë. Saimir Tahiri tentoi të shfajësohej për gjendjen skandaloze të rendit duke e lënë përgjegjësinë në derën e SHISH. Kjo deklaratë e Tahirit vinte pas asaj të Topit dhe të disa faktorëve të tjerë që tashmë po provojnë të hapin një front të ri për të shkarkuar paaftësinë e qeverisë. E shpërndarë nga e njëjta dorë dhe e maskuar nën shprehje të mëdha që të ngjethin mishtë si “cenimi i sigurisë kombëtare”, karta e SHISH është shenja e parë që mekanizmi i manipulimit të opinionit publik është vënë në lëvizje. I njëjti mekanizëm i vjetër që si qëllim ka bishtnimin e problemeve dhe jo përballjen me to.
Kryeministri po thur një histori, së cilës po i jep përmasat e një komploti. SHISH është pjesa më e preferuar sepse ngërthen mister, përgjime, sabotime e të tjerë elementë që i shkojnë komplotit. Të krijohet përshtypja se Edi Rama nuk është kryeministri i një mazhorance super të fuqishme, njeriu i një milion votave, zëri i popullit sovran, por një udhëheqës fatkeq, i pamundur, i rrethuar nga armiq që nuk e lënë ta shpëtojë Shqipërinë. Kryeministri gati-gati po na shndërrohet në një hero solitar që po përballet me forcat e së keqes si mediat, gjykatat, prokuroria, opozita, presidenti, SHISH. E kështu atij nuk mund t’i kërkohet llogari përsa kohë fajin e kanë të tjerët. Për ta bërë të besueshme këtë fabul, Rama nuk di mënyrë tjetër veç mekanizmit të vjetër të manipulimit, që tashmë duket tepër gërdallë për të zënë vend në mendjet normale të qytetarëve.
Nuk kërkon ndonjë njohuri specifike për të dalluar që teksti i Bamir Topit (si tek Shekulli ashtu dhe në Opinion) ishte i njëjtë me atë të Saimir Tahirit. E po ashtu ky është një vend i vogël për të mos marrë vesh shpërblimet që jepen si këmbim i shërbimeve. Me këtë lojë të fundit të mazhorancës jepet një sinjal i keq tek qytetarët se qeveria nuk është e interesuar tek gjendja e rëndë në vend, por tek mbulimi dhe shpikja e fajtorëve përtej saj. Diversione të tipit se krimin po e nxit opozita, se SHISH po pengon punën e policisë, se mediat po çirren kundër qeverisë etj., nuk sjellin ndonjë përmirësim të ndjeshëm në terren dhe nuk e shfajësojnë dot kreun e rendit. Përkundrazi, ato janë shenja të qarta të pafuqisë së qeverisë për të ndryshuar gjendjen. Ajo nuk mund të ndryshohet nga një ministër me bllok gjobash në dorë dhe një kryeministër që merret me peshën dhe veshjet e doganierëve.
Sajesat me komplote e sabotime bien erë që larg pavarësisht ndërrimit të aktorëve. Ato janë të destinuara për të mos mbajtur gjatë, madje sa më shumë të përdoren aq më shumë provokojnë indinjatën e qytetarëve që ndihen të vënë në lojë. Mazhoranca e sotme e ka të gjithë pushtetin e nevojshëm për të bërë ndryshime e reforma serioze aty ku duhet, ashtu siç u ka premtuar shqiptarëve. Çdo devijim, diversion apo presion, e bën atë më të vogël, më të pavlerë, më të pafuqishme pavarësisht numrave që ka.