Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Po sikur…

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Po sikur…

Këtë javë, një kanal televiziv francez do të shfaqte një film fiction, siç thuhet sot, me titull "Manipulations", ku bëhet fjalë (oh, çtmerr!) për marrjen peng të qeverisë franceze nga një grup terroristësh. Mjerisht, nuk pata mundësi ta shoh këtë film, por menjëherë mendja më vajti te qeveria jonë: po sikur… po sikur, vërtet, të vinte në Shqipëri një grup komandosh terroriste dhe ta rrëmbente me sukses të plotë qeverinë tonë të nderuar? Oh, çtmerr! Po, po, çtmerr! Këtë ndjenjë ma përforcoi edhe lajmi i para disa ditëve, i përcjellë nga një stacion televiziv vendas, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pakënaqura nga shteti ynë ngaqë në Shqipëri janë rishfaqur celulat islamiste.

Po sikur… filmi fiction në fjalë të kthehej në realitet këtu, mes nesh? Shtoi kësaj shpërthimet e shumta me tritol këto javët e fundit, shtoi gjithashtu pështjellimin brenda organeve kompetente, si Ministria e Brendshme dhe SHISH-i, pështjellim që të kujton lojën e pingpongut, shtoi së fundi çoroditjen e opinionit publik të tronditur nga situata e freskët tritoleske, dhe filmi francez të kall vërtet datën pa qenë e nevojshme ti hedhësh një sy kalendarit. Gjithsesi, le të hamendësojmë për një çast sikur grupi i komandove terroriste e merr peng qeverinë tonë dhe bën të ditur kushtet e tij nëse ne, shqiptarët, duam që Kryeministri dhe ministrat tanë të nderuar të rikthehen shëndoshë e mirë në krye të detyrës së vështirë që kanë marrë përsipër për të qeverisur ndoshta popullin më pak të qeverisshëm në botë. Sigurisht, që SHBA dhe BE do të na vinin në ndihmë pa më të voglën vonesë, aq më tepër që jemi një shtet anëtar i NATO-s.

Nga ana tjetër, me shumë gjasë, situata do të ndërlikohej nga akuzat e pozitës kundër opozitës, aq më tepër që ka zëra, sipas të cilëve, e para, pra pozita, i vesh së dytës, pra opozitës, përgjegjësinë e tritolizimit të aktualitetit shqiptar. Por opozita, me po aq gjasë, do ti kundërpërgjigjej pozitës duke e akuzuar se, për të dalë heroikisht nga pështjellimi ekonomik e social që ka përfshirë vendin, ajo, pra pozita, e ka sajuar vetë rrëmbimin e qeverisë rozë që kjo të dalë në sytë e popullit si viktimë heroike e bashkëpunimit djallëzor të opozitës me, bie fjala, Al- Kaedën, me filiale të kësaj mjegullnaje apo me ndonjë grupim tjetër terrorist të rruzullit tokësor ose të aksh planeti tjetër, ku i dihet? Në fakt, këto akuza e kundërakuza pak do tu interesonin terroristëve, të cilët, me shumë gjasë dhe sipas praktikës së tyre, do të nxirrnin në stacionin televiziv "Al- Xhazira" videokaseta me pengjet, të cilët do tu luteshin jo vetëm SHBA-ve e BE-së të negocionin lirimin e tyre, por edhe forcave politike të vendit, pra, pozitës dhe opozitës, të merreshin vesh midis tyre për të organizuar urgjentisht zgjedhje të parakohshme kuvendore me synim formimin e një qeverie teknike në mënyrë që rrëmbyesit të kishin një bashkëbisedues zyrtar për tu marrë vesh lidhur me lirimin e pengjeve. Le të hamendësojmë tani që terroristët u lënë forcave tona politike vetëm tri ditë kohë dhe asnjë orë më shumë për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe formimin e qeverisë teknike në fjalë. Sigurisht, duke pasur parasysh marrëdhëniet tejet të tendosura midis pozitës dhe opozitës sonë, kemi të drejtë të hamendësojmë që tri ditët do të kalojnë ethshëm dhe qeveria teknike do të shpallet vetëm në çastin e fundit.

Megjithatë, të gjithë ne, shqiptarët, së bashku me ndërkombëtarët, do të marrim frymë të lehtësuar, por fatkeqësisht, terroristët, dinakë siç janë dhe siç e kanë treguar veten, do të… oh, çtmerr!… do ta rrëmbejnë edhe këtë qeveri, me Kryeministrin e ministrat e saj, mbase edhe me zëvendësit e tyre, do të vënë kushte të reja për lirimin tashmë të dy qeverive dhe do të kërkojnë që, kësaj radhe, për bashkëbisedues të kenë të dërguarit e posaçëm të qeverisë amerikane dhe të instancave më të larta të Bashkimit Europian! Në këto rrethana, rrezik të plasë një luftë, ndoshta Lufta e Tretë Botërore, o çtmerr!… Për fat të mirë, e gjitha kjo nuk është tjetër gjë veçse fryt hamendësimesh të mirëfillta me zanafillë te një film fiction francez, "Manipulations", të cilin e përmenda në krye të këtij shkrimi, kështu që lexuesi im i vëmendshëm dhe shpesh i shqetësuar mund të marrë frymë i lehtësuar dhe të rrijë i qetë, sepse askujt nuk i ka rënë, nuk i bie dhe nuk do ti bjerë ndër mend ndonjëherë që të vijë në Shqipërinë tonë të shkalafendur për të marrë peng qeverinë tonë të nderuar, e cila, me sa duket, ka vendosur ta zërë lepurin e krizës pa qerre!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama