Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Femijet e leukoplastit

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Femijet e leukoplastit

Ata janë të imët e trupvegjël, por thuajse të pamposhtur. Nuk i tremben as shiut, as erës, as ofendimeve, as urisë, as ngricës dhe as zhegut. Vazhdojnë me durim të bëjnë me dhjetëra kilometra rrugë në ditë për të shitur mallin e tyre. Përballen shpesh me indiferencën dhe  ofendimet? Ani! Ata e kanë të qartë punën e tyre. Ata janë biznesmenët më të durueshëm shqiptarë të kohëve moderne. Nëse u ngrit apo ra vlera e lekut? Kjo për ta nuk ka asnjë kuptim. Nëse qeveria e re po bën reforma të thella ekonomike? Atyre aq u bën! Nëse tendencat e tregut shkojnë drejt hapjes apo drejt mbylljes? Po pastaj!? Pa le pastaj kreditë. Këto për ta nuk janë një gjë e dobishme. Janë thjesht një borxh më shumë i të rriturve dhe kaq. Përveçse janë më të durueshmit biznesmenë shqiptarë, këta njerëz të vegjël kanë edhe një veçori tjetër, më kryesoren: Ata janë më të suksesshmit. Norma e tyre e fitimit nuk është as më pak e as më shumë sesa 100 për qind. Një gjë për t’u lakmuar anekënd vendit.

Nëse nuk e kini kuptuar ende se cilët janë tashmë besoj se ka ardhur koha ta themi. Këta janë shitësit e vegjël ambulantë të leukoplastit. Shqipëria duhet të jetë e stërmbushur me leukoplast. Duket sikur para dy apo tre vjetësh vaporë të tërë të mbushur vetëm me një markë leukoplasti kanë zbarkuar vrullshëm në Shqipëri, duke na i mbushur rrugët me kutitë e vogla shumëngjyrëshe që, në fillim, ngjasojnë si çamçakëzë. Ndonjë studiues tregu me siguri që ka qenë i bindur se një nga veçoritë tona kombëtare është të presim gishtat kudo, gjithherë e për çdo gjë.

Një “biznesmen” të tillë e takojmë teksa mbrohemi nga shiu këmbëngulës i rreptë i këtyre ditëve të fundit. Është fare imcak dhe trupi i lagur e bën të duket edhe më të vogël. Duhet të jetë diku te 12 vjeçët. “O xhaxh, a po më blen ndonji gja o xhaxh? Pazar i mirë or ti! Pesë kutija nji mijë lek!”. Kërkesa sa vjen e bëhet më këmbëngulëse dhe toni kalon nga lutja gati në ultimatum. Në fakt, ne vetë e kemi bërë një gabim. I kemi hedhur sytë me një përzierje ndjenjash që shkonin që nga trishtimi, që zakonisht ta shton edhe shiu, te kurioziteti dhe mbase edhe deri te revolta. Djali e kupton menjëherë që kemi rënë tashmë në grackë. Fshin hundën me mëngën e një bluze të hollë tutash dhe na zgjat sakaq me ngulm pesë kuti shumëngjyrëshe. “Rrofsh o xhaxh! T’rujt Zoti o xhaxh”, përkulet me nderim teksa fut në xhep monedhën njëqindlekëshe. Rrebeshi nuk ka ndërmend të pushojë, përkundrazi shtohet edhe më, dhe kështu, brenda pak minutave, mbetemi vetëm dhe të barabartë para mërisë së nënës natyrë, si shitësi i vogël, i lagur si klienti i rritur, i tharë. Prej djalit mësojmë se ai dhe shokët e tij, që janë me qindra në krejt Tiranën, i blejnë me shumicë leukoplastet “aqe te tregu” me dhjetë lek kutia (me dhjetë fije leukoplast) dhe më pas i shesin ku të munden me 20 lekë. Oferta më e mirë është pesë kuti njëqind lekë.

Shiu rrallohet ca dhe djali largohet duke tërhequr zharg pantallonat e tij të lagura keq. Ne merremi edhe do kohë me kutitë shumëngjyrëshe. Në parim duhet të jenë dezinfektantë, pra mjete që ruajnë organizimin nga depërtimi i infeksioneve. Porse kutitë janë të shpartalluara keq. Asnjë mjet mbrojtës nuk i ruan leukoplastet e vogla me ngjyra. Pastaj na bën përshtypje një kod ISO si i dyshimtë. Asnjë shënim tjetër, asnjë adresë e saktë, asnjë afat skadence, asnjë vend prodhimi përveçse shënimit më të gjerë e më të përgjithshëm të mundshëm: Made in China dhe emrit të një firme të regjistruar në Turqi.

Ka disa mënyra për ta parë këtë historinë e fëmijëve të lekuoplastit. Ajo më seriozja ndoshta është që kolegët tanë të investigojnë se si një mall, që duhet konsideruar patjetër si të gjitha medikamentet e tjera, shitet në tregun e zi njësoj si edhe fishekzjarrët.

Mënyra e dytë të cilën mund përdorim sot është ajo e parashikimit të zi të së ardhmes. Në këtë këndvështrim do të na duhej të thoshim, dhe mbase me shumë të drejtë, se sa keq është për një vend e për një shoqëri e cila të ardhmen e saj në vend që ta formojë, ta mësojë, ta kulturojë, ta edukojë, ta civilizojë, ta mbrojë, e nxjerr rrugëve në mes të vapës dhe të ftohtit në kërkim të dyqindlekëshit rraskapitës ditor. Në këtë rast do të na duhej të kujtonim gjithashtu edhe se kriminaliteti, ai që ka hyrë aq në modë kohët e fundit në Shqipëri, dashur pa dashur ushqehet me fëmijët që rriten duke punuar në rrugë. Nuk ka vetëm sporti. Ka edhe krimi ekipet e tij zinxhir, U16, U21 e deri te Kombëtarja. Edhe krimi sigurisht, sidomos kur shndërrohet në profesion, ka talentet e tij bëmëmëdhenj. Në këtë arsyetim do të na duhej të kujtonim gjithashtu edhe sesa pretendime europiane, euroatlantike, globale jemi gati të përmbushim në një kohë që nuk i pastrojmë dot as qurrat një shitësi të mitur që shet në shiun e acartë. Më në fund, si zgjatim të këtij arsyetimi, do të na duhet të kujtojmë gjithashtu se sa zyra do të duhej të merreshin njëkohësisht me fëmijët e leukoplastit: Ministria e Shëndetësisë, bashkia apo minibashkia përkatëse, Ministria e Punës dhe e shumë gjërave të tjera, Ministria e Arsimit, Ministria e Punëve të Brendshme, mbase Tatimet dhe Doganat për të parë se si e qysh kanë hyrë këto medikamente që shiten në pazar si pa të keq…

Arsyetimi i mësipërm mbase edhe mund të mbahet në këmbë, por gjithsesi është tërësisht egoist. Është tërësisht egoist, sepse ka në thelb të tij frikën tonë, të njerëzve të cilëve befas mund t’u prishet rehati, standardi i përgjithshëm i jetesës, siguria për të ardhmen dhe mbase edhe qetësia olimpike e rrufitjes së kafesë. Ai që do ta na bënte të ishim më burrërorë, më të drejtë dhe më bujarë, është një këndvështrim tjetër, ai sipas të cilit ne, të rriturit, secili sipas profesionit, mundësive dhe ndjeshmërisë së tij personale duhet ta konsiderojmë si detyrë tonën nga më parësoret heqjen e këtyre fëmijëve nga shitja në rrugë. Ata kanë të drejtën natyrale, të krijuar qysh se kanë lerë, të kenë një jetë normale si gjithë fëmijët e tjerë, ndërsa ne kemi detyrën që t’i bëjmë të ndihen të barabartë, thjesht të barabartë, as më pak e as më shumë. Kaq e vështirë paska qenë?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama