Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mos e vrisni veten kot!

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Mos e vrisni veten kot!

Për atë njeri dimë fare pak, madje edhe më pak se sa mund të thuhet në njoftimet e thata të vdekjeve. Reporteri që e lajmëroi mandatën nga Vlora, me portret fare të qetë, madje disi i pezmatuar që po detyrohej të bënte fjalë për një ngjarje kaq banale, tha vetëm se në një pallat diku në Vlorë, fqinjët kanë gjetur trupin pa jetë të një 58-vjeçari, i cili ishte vetëvarur. U mësua gjithashtu se i ndjeri kishte punuar si agronom në një ndërmarrje lokale, nga e cila ishte pushuar para disa kohësh. “Vuante nga depresioni”, e përcaktoi reporteri edhe shkakun e vetëvrasjes. A thua se nuk vuajnë nga depresioni afër gjysma e shqiptarëve! Asnjë fjalë më tepër për të. A ishte i martuar, a kishte njerëz, shtëpi, fëmijë, katandi, shokë a miq? Asgjë. Madje as emrin. Për të qenë korrektë kolegu raportoi edhe se sipas mjekëve ligjorë vetëvrasja ishte kryer një muaj e gjysmë më parë. Më kot pritëm edhe një ditë tjetër se mos vallë ndokush kujtohej të na rrëfente psetë e shumta të kësaj vetëvrasjeje të harruar. E kotë. Askush nuk u mor më me të. Mbase më të drejtë. Sikurse e pamë më lart, viktima ishte askushi dhe gjithkushi njëherësh. Ishte njeriu që na kalon përditë në krah pa na bërë as më të voglën përshtypje. Ishte, si të thuash, një nga “transparentët” apo “të padukshmit” e shumtë të destinuar për të mos përbërë lajm si në të gjallë ashtu edhe të vdekur. Fundi i tyre, edhe kur nuk vrasin veten, është gjithnjë i trishtë.

Ne nuk kemi se si ta dimë nëse i ndjeri agronom do të kishte dashur  të kujtohej apo të harrohej pas vdekjes. Nuk e dimë se çfarë i ka shkuar në mendje teksa kalonte kufirin e panjohur mes jetës dhe vdekjes. Nuk e dimë nëse e ka ndier veten krenar, apo të turpëruar, apo nuk ka ndier asnjë prej këtyre ndjenjave. Tekefundit nuk e dimë as shkakun e vërtetë të vdekjes së tij. Kundër kujt donte të hakmerrej: ndaj vetes, ndaj shoqërisë, ndaj atyre që e hoqën nga puna, ndaj fatit të tij të lig? Ndaj kujt? Megjithatë, sipas studiuesve të këtyre ngjarjeve të ethshme, shumica e vetëvrasjeve në krejt rruzullin bëhen në formë hakmarrjeje ndaj shoqërisë, gruas, të dashurës që nuk të do, shoqërisë, që jo vetëm nuk të pranon ashtu si je, por përkundrazi të vë poshtë me dhunën e saj të çeliktë. Shkaqe të tjera janë tradhtitë dashurore, lidhjet e shkuara keq, një sëmundje që nuk e përballon dot, fati i keq që të duket sikur të rrethon ngado…

Ne nuk e dimë se në cilën prej dy kategorive të mëdha ta fusim të ndjerin tonë vlonjat. Por me siguri, pushimi nga puna nuk e ka ndihmuar që të kalojë krizën e tij të thellë.

E kemi të vështirë, shumë të vështirë të shkruajmë për një të ndjerë të panjohur. E vetmja gjë që mund të bëjmë, që ai të mos shkojë vetëm e i harruar në atë jetë, është që t’i shkruajmë “dy gisht letër” ta ketë më vete andej nga po shkon:

I nderuar i vetëvrarë!

Nëse këtë akt e kreve sepse deshe të ndaje me të tjerët dhimbjen tënde të padurueshme, inatin tënd, vetminë tënde, atëherë, na vjen keq po nuk ia arrite qëllimit. Nëse mendove se vdekja jote do të vinte para përgjegjësisë njerëz të caktuar, edhe kjo nuk ndodhi. Nëse, përkundrazi, deshe të shpëtoje nga makthet e tua pa u ndier e pa rënë në sy, atëherë përgëzime. Kështu ndodhi vërtet. Vetëm pakkush u kujtua për ty. Njerëzia kishte halle të tjera, edhe më të mëdha. Për fat madje nuk të përmendën as emrin. Kështu që nuk ke përse skuqesh.

Thonë që vetëvrasja është një shenjë dobësie. Ne jemi dakord me ty, që pretendon të kundërtën: përkundrazi është akt i një force të madhe, një forcë që mund ta çlirojë vetëm dhimbja e mbledhur në një kraharor të lodhur. Megjithatë, a thua shpëtove vërtet? Çfarë fitove? Në vend të jetës, sado të trishtë fitove vdekjen. Mos tento të na thuash se jeta është më e trishtë se vdekja. Kjo do të ishte tepër. Këtë nuk e ha njeri.

Meqë ti duhet të kesh qenë i mërzitur shumë për humbjen e vendit të punës na duhet të themi se je nxituar ca. Në të njëjtën ditë, kur fqinjët gjetën kufomën tënde, Rama dhe Basha vendosën të ulen bashkë e të diskutojnë për reformën territoriale po se po, po edhe statusin e Nëpunësit Civil. Ti ishe civil, apo jo? Mbase do qe bërë ndonjë gjë. Pastaj, e dimë që halli yt është më i madh se i të gjithëve, por gjithnjë thuhet se e keqja nuk ka fund. Për shembull – po të shkruajmë disa lajme që kanë ndodhur në të njëjtën ditë me gjetjen tënde – në Malajzi u ndërprenë shpresat se do gjejnë ndonjë njeri gjallë nga avioni me afër 230 vetë që e përpiu Oqeani Indian. Ngjethëse, apo jo? Mirë ti që kishe vendosur të ikje, po ata të ngratë, po njerëzit e tyre? Po aq larg sa Malajzia, në Çikago, kanë mbetur të plagosur 30 vetë. E pastaj thonë se andej punët venë mbroth!

Këndej nga ne, në mos e bukur, jeta duket ende interesante. Nuk e dimë nëse e ke pasur qejf shahun, por gjithsesi… Ditën që mbërriti mandata jote erdhi në Tiranë vetë Garry Kasparov, kampioni i famshëm botëror. E mban mend? Ai që deshi të mposhte kompjuterin gjigant të IBM-së. Shahu tani do të luhet edhe në shkolla, madje si lëndë mësimi. Kështu fëmijët, disa prej tyre, se nuk po themi do bëhen të tërë shahistë, do ta vrasin mendjen e nuk do të merren me play game apo me Facebook, apo më keq akoma, me shoqëri të keqe. Ja kështu. E shikon që jeta kudo ka ende gjëra që të gëzojnë, të trishtojnë, të zbavitin, të bëjnë kurioz. Kështu ka qenë jetë e mot, madje edhe në luftë, e jo më në paqe. E dimë fort mirë, se përballë hallit, që të çoi andej nga po shkon, këto të duken të tëra si marrëzira, por kur të jesh i qetë, krejt i qetë në asgjënë e amëshueme, do biesh dakord me ne në një pikë të vetme: asgjë nuk fitohet duke vrarë veten.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama