Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje tryeze qe u duhet te dyve

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 11 vite më parë

Skënder Minxhozi
Nje tryeze qe u duhet te dyve

Ka një spektakël të shëmtuar si ai i Parlamentit, ku dy partitë e mëdha shahen “me libër shtëpie”. Mund të ketë, së afërmi, edhe një tjetër anë të medaljes, shumë më të përmbajtur dhe normale, që me sa thuhet, është duke marrë formë në këto orë, pas kuintave të politikës. Fjala është për një takim mes Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Basha, në lidhje me reformën territoriale. E cila është, mesa duket, një ndër ndërmarrjet më afatgjata dhe më serioze të mandatit të së majtës.

Edi Rama dhe të tjerë zyrtarë të lartë të shumicës, kanë deklaruar shumë herë këta muaj, se i kanë votat për të qeverisur të qetë, por edhe për të kryer reformat që kanë premtuar. Kanë vota për të kaluar ligjet me shumicë të thjeshtë, por edhe ato me shumicë të cilësuar. Nuk mund të prekin ndërkaq as Kushtetutën, e as të lëvizin nga vendi kreun e shtetit.

Kjo pozitë komode ka megjithatë një defekt jo të vogël. Ajo është pjesë përbërëse e një sistemi që fut ujë nga shumë anë. Shqipëria është një demokraci e brishtë dhe e korruptuar, me institucione të dobëta dhe zbatim të ulët të ligjeve. Për pasojë, mazhorancat apo opozitat, kanë vetëm rëndësi dhe peshë relative brenda sistemit. Tradicionalisht, ndërkombëtarët kanë pëlqyer që politika shqiptare të arrijë konsensuse sa më të gjera në reformat që ndërmerr, si një parakusht themelor për soliditetin dhe jetëgjatësinë e vetë reformave. Edhe socialistët, ashtu si demokratët dikur, e dinë fare mirë këtë mësim të thjeshtë të tranzicionit. Për këtë arsye, e majta është sot hezituese në dërgimin në Parlament të disa paketave reformuese, përfshirë drejtësinë, rendin, e natyrisht, edhe reformën territoriale. Ajo ka ndalur edhe disa nisma të shpejta ligjore, të cilat e acarojnë opozitën, me qëllim që projekti kombëtar për ndarjen administrative të avancojë.

Duke e ftuar në tryezë Bashën, pra opozitën, Rama po kërkon t’i japë legjitimitet më së pari, një ideje që faktikisht ka qenë e hershme në axhendën politike të PS-së. Reforma territoriale përbën një përmbysje të zhurmshme, në ujin e ndenjur të politikës shqiptare, ku zakonisht gjërat ndodhin ngadalë dhe në minutën e fundit, kur është tepër vonë dhe në përmasa gjithnjë të pamjaftueshme. Dhe që ky projekt të mos zgjojë smirën e atyre që ndodhen përballë (unë nuk dua që këtë ide ta kesh ti, prandaj nuk e votoj), por edhe që ai të ketë sa më shumë mbështetje nesër, prania e së djathtës në tavolinë është jetike. Në këtë sens, kërkesa e Bashës për më shumë garanci në votimin e pandryshuar të paketës, duket e arsyeshme dhe normale.

Duhet kuptuar se reforma territoriale do të nxjerrë eventualisht nga loja disa mijëra krerë komunash, këshilltarë të të gjitha rangjeve dhe zyrtarë të tjerë më të vegjël. Një ushtri gjysmanonime, e cila mund të motivohet negativisht në zgjedhje, kundër atyre që do të votonin largimin e tyre. Ose ndryshe, lënien e tyre pa rrogën e përmuajshme e përfitimet “ekstra”. Ky rrezik është gjithnjë prezent, nëse opozita del kundër reformës, ndërkohë që nëse ajo ulet në tryezë, parashtron kërkesat e veta dhe bëhet pjesë e procesit, politika shqiptare do të ketë një zë të vetëm. Në zgjedhjet e ardhshme lokale, e përtej tyre.

Ramës nuk i duhet një reformë e nisur dhe e konkluduar vetëm me votat e tij. Nuk është në filozofinë që predikoi para zgjedhjeve, për bashkëpunim të gjithanshëm me opozitën. Nuk është as në leverdinë e tij, për momentin delikat që kalon qeverisja e majtë, në këtë dimër gri.

Nëse kjo është pamja e tryezës, nga ana ku do të ulet Edi Rama, panorama nuk duket më e pakëndshme, as nga poltroni ku pritet të ulet Lulzim Basha. Pasi edhe kryetari i PD-së duket se ka një nevojë po aq të prekshme sa Kryeministri, për një akt bashkëpunimi me palën tjetër. I ardhur në krye të partisë në stinën më të errët të pesimizmit, që nga viti i largët 1997, Lulzim Basha, ka marrë mbi supe barrën e rëndë të ringritjes së aksioneve të së djathtës. Por edhe të rikthimit të entuziazmit në radhët e votuesve të saj, pa harruar kurrsesi edhe sfidën e krijimit të një profili të qëndrueshëm politik për veten e tij. Lidershipi duket se është problemi bazë i mandatit të Bashës në krye të PD. Sepse kur puna ka ardhur te ky i fundit, hija e Berishës ka qenë deri tani e rëndë dhe dominuese mbi të gjithë partinë.

Një negociatë direkte me Ramën, do t’i jepte jo vetëm më shumë legjitimim vetë Bashës, por do ta evidentonte kryetarin e ri të partisë si pjesë të zgjidhjes, jo si pjesë të problemit. Një tryezë Rama-Basha, do të ishte antipodi më i lexueshëm i stilit luftarak e sherrxhi, që ka përdorur Berisha ndaj mazhorancës në Kuvend, prej shumë javësh. Në një optikë më të gjerë, ulja e Bashës përballë Ramës, do të qe një gjest që ta fuste edhe më tej në krizë, kulturën e vjetër politike të konfliktit të përjetshëm, e cila përfaqësohet nga ish-kryeministri. Ajo që mbetet të verifikohet, është se cili do të qe reagimi i Berishës në këto orë dhe sesa do ta lejonte ai vetë mbajtjen e këtij takimi, të cilin me shumë gjasë, nuk e sheh aspak mirë. E kjo është një pikëpyetje jo e vogël mbi fatin e tryezës së përfolur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama