Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje vite pas'Ngjales'

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 11 vite më parë

Zamira Cavo
Nje vite pas'Ngjales'

Një vit pas aleancës PS-LSI, mendjet janë më të ftohta dhe pasionet ia kanë lënë vendin racionalitetit. Sot, me më shumë gjykim e analizë, mund të ndalemi për të bërë një bilanc të kësaj marrëveshje. Ndoshta edhe vetë këto dy parti mund ta kenë bërë një të tillë, por në gjykimin tim, një analizë e shëndetshme, do t’i bënte mirë politikës shqiptare në veçanti edhe opinionit publik në përgjithësi.

Aleancat sot janë pjesë e kompromiseve politike. Në botën moderne, këto aleanca gatuhen herë haptas e herë fshehurazi në kuzhinat e politikës së ditës. Por, pavarësisht kësaj, gjithnjë aleancat janë të domosdoshme për të kapërcyer ngërçe në qeverisjen e vendit. Zakonisht bota e qytetëruar investohet në aleanca të tilla pas zgjedhjeve, me synim një qeverisje të mirë të vendit. Nuk paragjykohet politikisht asnjë aleancë, pavarësisht kahut politik nga vjen apo programeve që kanë. Synimi i aleancës është qeverisja dhe padyshim që të tjerat “zbuten” me nënmarrëveshje. Në këtë kuadër, aleanca PS-LSI nuk bën ndonjë përjashtim nga aleanca tjetër PD-LSI. Por ndryshe nga kjo e fundit, aleanca PS-LSI u krye në fshehtësi disa ditë përpara se të fillonte zyrtarisht fushata elektorale. Kjo aleancë u “ngjiz” me disa karakteristika, të cilat sot mund t’i konsiderojmë përcaktuese, në jetën e kësaj aleance.

Së pari: Kjo aleancë u lidh në një kohë kur LSI ishte pjesë e pushtetit. Kjo do të thotë se LSI-së do t’i duhej të hiqte dorë nga ky pushtet, që realisht pak ditë e ndanin nga një “fund”. Them “fund” për të treguar kohën e lënies së pushtetit për shkak të zgjedhjeve dhe jo realisht fundin si pushtet të një koalicioni. Kjo e bënte mjaft komode LSI-në, e cila nuk do të humbiste asgjë nga lënia e këtij pushteti. Në fund të fundit, aleanca me PD-në i kishte ezauruar të gjitha pretendimet e LSI-së; i kishte dhënë më shumë se 20% të pushtetit, i kishte mbyllur aferat korruptive të ministrave dhe kryetarit të saj, si dhe i kishte krijuar imazhin e një partie dhe një lideri që “di të mbajë ekuilibrin” dhe “përpiqet” për integrimin! Pra nga pikëpamja politike, LSI ishte e sigurt që nuk humbiste asgjë nga prishja e marrëveshjes me PD-në.

Së dyti: LSI e kishte të nevojshme aleancën me PS-në në zgjedhjet e qershorit. Duke qenë pjesë, madje një pjesë e kalbur e qeverisjes “Berisha”, LSI e kishte shumë të qartë fundin e këtij pushteti. Intuita makiaveliste e nxiste të largohej nga anija që po mbytej. Por LSI e vetme nuk do të mundte kurrsesi të fitonte aq sa kishte fituar në 2009-n! Arsyeja ishte e thjeshtë: populli, i bindur që qeverisja “Berisha” e kishte shkatërruar vendin deri në qelizë, e kishte para syve faktin se pjesë e këtij shkatërrimi kishte qenë dhe LSI. Madje gjaku i katër të vrarëve më 21 janar ishte ende i freskët dhe pamjet e korrupsionit nga LSI ishin ende të gjalla. Ndaj politikisht, LSI “luajti” në një mënyrë perfekte; krijoi iluzionin se PS e vetme nuk do ta mundte dot Berishën! Ata që ranë në këtë “grackë” të ngritur mjeshtërisht nga z. Meta, treguan se nuk dinë të luajnë politikisht.

Së treti: LSI, nga prishja e marrëveshjes me PD-në, nuk e humbiste Partinë Demokratike si një mundësi potenciale aleance për të ardhmen. Natyrisht që largimi nga marrëveshja nuk i prishte ndonjë punë të madhe Partisë Demokratike, e cila mund ta përdorte këtë largim për të “pastruar” veten nga modeli “korruptiv Meta”. Pra “burrëria” e LSI-së mbetej, duke i lënë të kuptonte PD-së se i ishte mirënjohëse kësaj partie.

Sikundër shihet, e interesuara maksimale për një aleancë të re, ishte padyshim LSI. Dhe duke qenë se interesi i saj ishte dukshëm pragmatist, është gati e pamundur të mos kuptosh sot dhe përfitimet që kjo Parti ka pasur nga aleanca e re e “ngjalës”.

Sot një vit pas kësaj aleance, LSI gjendet sërish e “shëndetshme”.

-Ka siguruar një numër deputetësh, që as në ëndërr nuk i kishte parë. Dikush mund të thotë se ky është treguesi që PS e kishte të domosdoshme aleancën me LSI-në. Unë kam qenë e jam tërësisht kundër këtij argumenti. Nëse nuk do të ishte bërë “1 prilli” LSI rrezikonte të futej në Parlament me dy deputetë edhe pse do të derdhte të gjitha ato para për të blerë votat, sikundër edhe derdhi. Por, në rastin e aleancës me PS-në, gjeti një ombrellë të mirë për t’u shfaqur në opinionin publik si “shpëtimtarja” e situatës! Dhe kjo ishte një arritje e politikës së Metës dhe një miopi politike e Parisë Socialiste.

-Ka siguruar postet më të nevojshme në qeverinë “Rama”, duke i dhënë mundësinë të jetë komode politikisht dhe përfituese elektoralisht. Kjo do të thotë se duke marrë në dorë “frenat” e drejtësisë, i ka dhënë vetes mundësi pa limit, të ndihet e sigurt në çdo lloj modeli korruptiv të vetin. Ka marrë dy ministri të lidhura drejtpërsëdrejti me interesat e popullit; Bujqësinë dhe Mjedisin! Kjo lëvizje i jep mundësinë LSI-së të shfaqet në opinionin publik si “shpëtimtarja” e jetës së njerëzve! Ka marrë Integrimin për t’i dhënë forcë emrit të vet dhe ka pranuar kreun e Parlamentit për t’u shfaqur mbi palët….Sot LSI ndihet e fuqishme me një shpresë se elektorati i saj është në rritje dhe në një të ardhme të afërt mund të dëshmojë për “forcën” e vet politike.

- Duke pasur kryesinë e Parlamentit dhe një numër të konsiderueshëm deputetësh LSI, luan herë me “blofin” e herë me imazhin. Duke drejtuar Parlamentin në një mënyrë që i intereson publikisht vetëm kryetarit të Parlamentit, Meta realisht krijon imazhin e keq për Kryeministrin apo z. Berisha, duke ia servirur opinionit publik si “të keqen e dukshme” të politikës.

Partia Socialiste, në këtë bilanc njëvjeçar, ka siguruar të vetëm fitore “si të Pirros” qeverisjen. Por, edhe në këtë rast ka humbje. Jo vetëm në poste, por mbi të gjitha në model e imazh. Duke bërë pjesë të sajën një pjesë të qeverisjes së kaluar, ka marrë mbi vete jo thjesht dyshimin, por edhe pamundësinë reale për të ndryshuar sistemin. Duke mos ndryshuar dot këtë sistem dhe duke mos pasur as njerëzit e saj në punë, Partia Socialiste rrezikon të humbasë shumë më tepër nga elektorati i saj që në zgjedhjet e pushtetit vendor. Por edhe në këtë rast, besoj LSI do të jetë “aty” e gatshme për të bërë “darka” të tjera.

Sikundër shihet, aleanca e “ngjalës” ka funksionuar vetëm për LSI-në dhe aspak për Partinë Socialiste. Madje sot, duke i parë me një mendje të ftohtë LSI- konsiderohet si ekuilibri i politikës gërvishtëse shqiptare. Realisht duket sikur funksionon një ekuilibër, por jo me jetën e popullit, një ekuilibër i politikës për interesa të tyre, që në rastin e LSI merr ngjyrime personale. Kujt i intereson një ekuilibër i së keqes? Demokracia është lëvizje dhe jo destinacion. Kjo do të thotë që ndryshimet mund të vijnë pikërisht kur nuk e pret. Mund të vijnë nga “lart”, por edhe nga “poshtë”. Kjo është e bukura e demokracisë, pa 1 prill!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama