Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Drejtesia e 'varur' ka lirine ne xhepa

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 11 vite më parë

Aleksandër Çipa
Drejtesia e 'varur' ka lirine ne xhepa

Drejtësia shqiptare përfundimisht ia ka dalë të ngulitë tek opinioni diplomatik dhe ai institucional ndërkombëtar se është një “pushtet i korruptuar”. Por më shumë se kaq; është një pushtet që ka nevojë të monitorohet ndryshe nga sa është investuar deri më tani. Brenda këtij pushteti, sistemi i tij funksional është formalizuar në atë farë feje sa nën koracën e të qenët “i pavarur”, po kamuflohet korrupsioni dhe janë neutralizuar gjithë mekanizmat kontrolluese apo monitoruese mbi të.

 

Kohë pas kohe, mediat dhe denoncimet qytetare nxjerrin në pah raste çështjesh dhe procesesh që lehtësisht mbushin opinionin publik me më tepër duf dhe pakënaqësi ndaj gjyqësorit në këtë vend. Mirëpo denoncimet e pasuara nga konstatime dhe akuza shpesh politike, me polemika dhe debate mes hallkave të këtij sistemi, vlejnë vetëm si një alibi dhe ruajtje të së njëjtës gjendje.

 

Përgjithësisht në fillim të mandatit qeverisës, çelen e zgjasin me ditë e muaj polemikat dhe konfliktet deri brenda mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë mënyrë jepet vetëm iluzioni se do të bëhet një ndarje prej kësaj trashëgimie jofunksionimi dhe kapjeje të Drejtësisë. Mirëpo shumë shpejt, iluzioni fiket dhe statusquoja merr formën e realitetit të pandryshueshëm. Tamam sikur e ka “shkruar kështu” Perëndia.

 

Politika nis e para të krijojë frontin e akuzës dhe atë të shfajësimit. Një ritual lufte i ricikluar sa nga njëra palë ashtu edhe nga tjetra. Tani, kur ende nuk janë mbushur shtatë muaj qeverisjeje, tre prej tyre janë kaluar e mbushur me polemika për vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, për emërimet në dhe nga KLD, si dhe nga polemikat mes qeverisë e Presidentit etj., etj.

 

Në këtë raport konfliktesh dhe dasish gati armiqësore, realiteti që degradoi qeverisjen e mëparshme dhe besimin ndaj drejtësisë, pra ai i pandëshkueshmërisë, jo vetëm që është në fuqi, por po krijon sërish të njëjtën mburojë dhe mekanizëm për të shënuar kapitullin e ri vijues të tij. Shpresa për ligjzbatim dhe drejtësi të besueshme, po mpaket qysh në fillim.

 

Dy prej pohimeve më të rëndësishme për gjendjen e drejtësisë dhe forcën e ligjit në Shqipëri, të bëra javën e shkuar, ishin nga kancelarja gjermane zonja Merkel dhe drejtori i politikës për Europën Qendrore dhe Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, zoti Moore. Kancelarja gjermane i kërkoi Kryeministrit Rama një reformë të thellë të këtij sistemi. Ndërsa zyrtari amerikan për rajonin, Jonathan Moore, u bë sugjerues konkret: “Lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi dhe ajo territoriale janë sfida shumë të rëndësishme, që duhen fituar”…Por kujdes?! “Lufta kundër korrupsionit duhet të kalojë përmes sistemit të drejtësisë, dhe jo nga partitë politike”.

 

Fill pas kthimit nga vizita zyrtare në Gjermani, Kryeministri Rama u shpreh ndër të tjera se: Ka një rezervë që po bëhet gjithnjë e më insistuese, që është drejtësia. Me këtë drejtësi, ne nuk do të bëhemi dot anëtarë të BE-së. Ne mund të marrim statusin, por kurrë nuk do të bëhemi anëtarë pa përmbysur këtë sistem të korruptuar, korporativ dhe të marrë fund drejtësie”,- tha Kryeministri.

 

Deklarimet e mësipërme nuk e tejkalojnë konstatimin, sikundër reagimet pasuese nga brenda vendit nuk nismojnë një reformë strukturore. Në kushtet e konfliktit të hapur pozitë-opozitë, qeveri-presidencë, drejtësi-politikë nuk mund të nisë një reformë e pastër dhe e pavarur strukturimi. Në këtë gjendje dhe përballë kësaj “grope septike” ku ka rënë besimi i vetë drejtësisë për veten dhe i jurisprudencës shqiptare në përgjithësi për trashëgiminë, askush nuk beson se do të “lindet çlirimi dhe pavarësia” e gjyqësorit. Kushdo që e bën këtë deklarim mbart ose fsheh një konflikt interesi, sikundër të mandatuarit janë penguesit dhe të penguarit e radhës për këtë qëllim.

 

Beteja për ta pavarësuar drejtësinë nuk nis nga qeveria apo partitë e shumicës për të ndryshuar apo fituar gjyqtarë që fitojnë shumicë votash në Parlament. Ndryshimi duhet të nisë nga xhepat e pakontrolluar dhe nga përsosja e mekanizmit të sekserizimit të drejtësisë. Liria për të shëndoshur xhepat duhet faruar. Këtu konsiston ndryshimi dhe nisja e triumfit mbi pandëshkueshmërinë. Realitetin e pandëshkueshmërisë e mban në këmbë fuqia e pagesës ilegale të gjykimit në gjykata. Cikli i ofertës mes dy palëve nëpër procese e ka shndërruar vlerën semantike të fjalës drejtësi në drejt(pages)i. Kjo ka marrë vlerën e parë funksionale dhe për këtë, shembullin e pazbuluar dhe të painvestiguar e kanë dhënë së pari politikanët, ata që pretendojnë ta reformojnë gjithmonë të pareformuarën ose që betohen se do ta bëjnë këtë në mandatin e ardhëm.

 

Vini re së si po shndërrohen në drama-komedi proceset e nisura dhe të mbyllura për ish-funksionarë, ish-pushtetarë vendorë, ish-ministra dhe zëvendësministra në Gjykatat e Tiranës?! Fasada dhe qëllimi koniunkturor i këtyre proceseve janë bërë aq standarde sa të zgjojnë vetëm nënqeshjen klasike të mosbesimit. Në këtë keqfunksionim nuk janë veçuar as proceset ndaj qeverisësve zhvatës apo abuzantë e as ato ndaj kriminelëve e vrasësve me pagesë. Të gjithë janë në një thes, për të shërbyer alibia si alibi edhe për të pandehurit nga politika edhe për ata nga krimi dhe bota e tij aq e pasur në këtë vend.

 

Por a mund të vetëreformohet sistemi i drejtësisë së “kapur”, siç sugjeron zyrtari amerikan i mbërritur së fundi në Tiranë? Kjo ngre shumë pikëpyetje dhe shton më shumë mosbesimin. A ka mekanizma të tjerë dhe pse nuk forumësohet diskutimi për këtë nevojë? Shembullin nuk e kemi larg nesh. Praktikën tënde nuk ta arbitron ndryshe i huaji në drejtësi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama