Demokracia liberale është në vështirësi - ky është përfundimi ku ka arritur Fareed Zakaria, në një libër të tijin, ku, bash për ta theksuar e ulëritur këtë alarm, nuk nguron të flasë qysh në titull për demokracinë jo liberale (‘illiberal democracy‘ është një term i shpikur prej tij), me fjalë të tjera, për atë sistem qeverisjeje, në të cilin pushteti i dalë nga zgjedhjet nuk do t‘ia dijë për liritë civile, për të drejtat e njeriut, për rregullat e lojës politike e të lojës në tregun e lirë, për rregullimin ligjor e kushtetues të veprimtarisë së vet; me fjalë të tjera akoma, demokracia jo liberale është ai sistem qeverisjeje, në të cilin pushteti i dalë nga një palë zgjedhje dosido i jep të drejtën vetes për të qëndruar mbi ligjet e mbi gjithçka tjetër. Është ky rasti i Shqipërisë? Absolutisht po. Është aq e vërtetë kjo, sa të duket se Zakaria, teksa është ulur për të shkruar librin e vet ka patur në mendje vetëm modelin shqiptar, s‘ka gjë se në fakt, në tentativën për të ilustruar tezën e vet me shembuj e ilustrime të botës së sotme, ai i referohet Shqipërisë shumë rrallë.
Sipas tij, ky është një fatalitet. Kaq mjafton, që lexuesit shqiptarë të dhënë me pasion e besim pas demokracisë liberale, të bjenë në pikëllim të thellë; nëse janë dakord me mesazhet e këtij libri, do t‘u duhet të gjejnë mënyra të tjera për të ledhatuar pa fund shpresën e aspiratën e tyre për të ndërtuar demokracinë liberale në Shqipëri, dhe kështu e gjitha kjo do të rezultojë një përpjekje e dëshpëruar për të përgënjeshtruar ca të vërteta, tek të cilat besojnë dhe vetë. Është belá kur shpresa bie ndesh me besimin.
Si i bëhet? Duhet të heqim dorë nga shpresa për të ndërtuar demokracinë liberale? Duhet të dorëzohemi përballë një pushteti, i cili qasjen jo liberale e ka të nakatosur frikshëm me nepsin për ta plaçkitur këtë vend e për të vjedhur pasurinë publike? Duhet ta lëmë këtë vend në dorë të një bande, që nuk ka të ndalur në tamahun për t‘u pasuruar me çdo kusht e me çdo çmim (Gërdeci na tregon se dhe jetët njerëzore janë një hiç përballë këtij tamahu)?
Personalisht, nuk jetoj shumë me idenë e demokracisë liberale në vështirësi; aq më pak jetoj me idenë e demokracisë së pamundur liberale në vende si Shqipëria. Përkundrazi, unë jetoj thjesht me idenë se demokracia liberale është gjithsesi një lojë e një sfidë e vështirë, e rrjedhimisht, jetoj me idenë se kjo lojë mund të fitohet e se kjo sfidë mund të mposhtet duke mbetur në vijimësi e gjithë kohën një lojë për t‘u fituar e një sfidë për t‘u mundur. Demokracia liberale është një sistem qeverisjeje, që - edhe kur parimet, mbi të cilat ngrihet e nga të cilat frymëzohet, pranohen prej të gjithëve - nga njëra anë nuk mund të përsoset kurrë (a mund të përsoset vallë, fjala vjen, një sistem drejtësie?), e nga ana tjetër vuan pa fund "natyrën esencialisht të keqe" të njerëzve, të cilëve, edhe pse janë fiziologjikisht të korruptueshëm, mëkatarë e plot vese, "u është besuar" të mbajnë frerët e sistemit e ta bëjnë këtë (demokracinë liberale pra) një sistem punëmadh në të mirë të të gjithëve e kundër askujt.
***
Le t‘i ikim teorisë së rëndë e mezi të tretshme e le të zhvendosemi në një terren praktik. Nga duhet t‘ia fillojmë për të mos e lënë shpresën për pakëz demokraci liberale të vdesë përpara syve tanë? Ne, së bashku me vende e shoqëri të tjera, e në ndryshim nga ajo pjesë e botës, ku demokracia liberale - pavarësisht borive të alarmit, të cilave u bie me të drejtë Fareed Zakaria - ka triumfuar në mënyrë të pakthyeshme, e ku demokracia ka pasuar liberalizmin, duhet t‘ia fillojmë me demokracinë për të vijuar më pas me merakun për praktikat liberale; më saktë, duhet t‘ia fillojmë me zgjedhjet e lira e të ndershme, të cilat janë fillimi i fillimit të demokracisë. Nuk dua të them me këtë që praktikat liberale duhet t‘i lëmë pas dore. Jo, dua të them se në radhën e gjërave, demokracia është e para, e liberalizmi është i dyti, gjë që afërmendsh nuk na pengon të merremi me të dyja këto sfida. Dua të them gjithashtu, se liberalizmi (me të cilin në këtë kontekst nuk është gabim të kuptohet ‘shteti i së drejtës‘) është një objektiv më i mundimshëm e më afatgjatë se sa demokracia.
Prej sa më sipër, buron dhe përparësia nr.1 e shoqërisë shqiptare. Kjo përparësi pra ka një emër: zgjedhjet e lira e të ndershme. Pa u marrë seriozisht me këtë gjë, pa qenë mendjefjetur se zgjedhjet e lira e të ndershme janë shndërruar më në fund në një procedurë rutinore, do të ishte mendjelehtësi e padurueshme të tentonim arritjen e objektivave të tjerë madhorë që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Kjo është një arsye më tepër, që na bind mbi panevojshmërinë e kotësinë e reformave të ndërmarra e të reformave që priten të ndërmerren në kuadër të shëndoshjes së botës institucionale, të cilat - kuptohet, formalisht - janë reforma të natyrës liberale.
Po mirë, pse të mos bëhen edhe këto reforma? Ç‘punë u prishin reformave lidhur me infrastrukturën zgjedhore, të cilat mund të bëhen paralelisht? Këto janë pyetje që në dukje nuk kanë të sharë. Por veç në dukje amá, pasi në thelb ato së pari nuk janë reforma që synojnë shëndoshjen e botës institucionale e të shtetit të së drejtës (janë lëvizje të bëra në të mirë e në interes të atyre që i bëjnë, të cilët kanë paturpësinë t‘i quajnë reforma), së dyti - edhe sikur të supozonim se janë bërë me funksionin e pretenduar, pra në të mirë të mirëfunksionimit të shtetit - ato janë krejt të parëndësishme në raport me reformat, për të cilat kemi realisht nevojë, së treti ato çfokusojnë vëmendjen e opinionit publik e politik prej përparësisë nr.1, dmth prej zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe së katërti, duke qenë se shiten si reforma me theks liberal e duke qenë se frymëzohen e inicjohen prej politikanit më antiliberal në Evropë, ato janë një përqeshje e hapur që i bëhet sfidës së ndërtimit të demokracisë liberale.
Edi Rama, i cili, në funksionin e kryeopozitarit, është përpjekur jo pa sukses të ofrojë në një masë të madhe një sjellje e një model të ri politik (janë tërësisht gabim ata që e qortojnë për faktin, që po i vjen Shqipërisë vërdallë si një bjerradit, apo për faktin tjetër, që ligjërimi i tij publik nuk dallohet asnjë çikë për sulmet personale, për shpifjet, për sharjet, për akuzat, për tonet e larta e agresive), Edi Rama pra po bën një gabim të pafalshëm; po e bën këtë gabim, së pari duke mos u kapur aq sa duhet e ashtu si duhet pas përparësisë nr.1, së dyti duke bërë reforma që vijnë prej një logjike e frymëzimi kinse liberal me njeriun anti liberal par excellence (vetëm dy javë kanë kaluar, kur kryeministri, i zemëruar me vendimin e Gjykatës kushtetuese që shfuqizonte ligjin e gjobave ndaj biznesit të miratuar nga kjo maxhorancë, na shock-oi të gjithëve duke thënë, se "do ta reformojmë sistemin gjyqësor, pasi nuk mund të tolerohen gjykata të plotfuqishme"), e së treti duke na hequr vëmendjen prej Sali Gërdecit (janë me dhjetra njerëz që pëshpërisin rrugëve fakte të dokumentuara mbi përfshirjen e familjes Berisha në biznesin e vdekjes në Gërdec, por kanë frikë të dëshmojnë. Edi Rama e di shumë mirë këtë gjë) e duke na e drejtuar vëmendjen tek Sali ‘reformatori‘.
Ç‘duhet të bëjë Edi Rama? A mos vallë duhet të pushtojë foltoret publike e të vjellë akuza të ngritura mbi fakte e mbi dëshmi të bëra - duhet theksuar sërish, prej frikës - veç rrugëve e kafeneve? A mos vallë duhet ta pështyjë dorën e shtrirë të dialogut nga ana e Sali Gërdecit? Jo, nuk i kërkon askush të bëjë këtë, pasi kësisoj do të përgënjeshtronte e lëndonte frymën e re që po përpiqet të mbjellë, për të cilën ka marrë përgëzime e duartrokitje nga të gjitha drejtimet. Por amá vallja e dialogut dhe e konsensusit duhet të hiqet nga Edi Rama, e në këtë kuptim, kur ka mbetur veç një vit nga zgjedhjet e radhës, e kur në harkun e tre viteve të shkuara jemi ballafaquar veçse me një korrupsion të papërfytyrueshëm, dhe me atentate të pafundme ndaj demokracisë, ndaj shtetit të së drejtës, ndaj tregut të lirë, ai nuk ka asnjë arsye të humbasë kohë e energji duke bërë pseudo reforma me theks liberal me një njeri, që anti-liberalizmin e ka një gjymtyrë të qënies së vet. Ne duhet të bëjmë çmos ta detyrojmë këtë njeri të marrë masa në funksion të zgjedhjeve të lira e të ndershme, e pas kësaj, ta bëjmë të humbasë, ta bëjmë ta njohë këtë humbje e ta bëjmë të dalë në pension.
Zgjedhësit e Zimbabvesë po bëjnë gjithçka për ta larguar Mugaben nëpërmjet zgjedhjeve. Edhe ne duhet të bëjmë gjithçka për ta hequr nga skena Mugaben tonë. Nëpërmjet zgjedhjeve, sigurisht. Ndryshe, do të jemi të dënuar të bëjmë sehir konsolidimin e regjimit të demokracisë jo liberale.