Nuk është e padëgjuar që të përgjohen kundështarët politikë, apo edhe diplomatët e huaj. Rasti i NSA amerikane është aty dhe flet vetë. Jonormale është që kjo të bëhet me ligj dhe në mënyrë të formalizuar
Ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli ka hedhur në publik edhe një herë me forcë çeshtjen e disiplinimit të shërbimeve inteligjente. Përmes një interviste në studion e Ballës, ajo ka treguar sesi shërbimi informativ i mbrojtjes kishte blerë një paisje përgjimi me vlerë 1.6 milion euro, me të cilën ishin përgjuar “opozita dhe diplomatët e huaj”, siç u shpreh vetë ministrja. Më tej Kodheli tha edhe se ky shërbim kishte në borderonë e tij plot 500 punonjës, në një forcë të armatosur që nuk i kalon 8500 vetat. Kurse në të shkuarën, kur ushtria shqiptare numëronte 70 mijë efektivë, shërbimi në fjalë kishte vetëm gjashtë persona!
Mjaftojnë këto të dhëna, për të kuptuar përmasat e një problemi që nuk është vetëm i ushtrisë, por i të gjithë shoqërisë shqiptare. Është i tillë, sepse çeshtja e decentralizimit të funksioneve të shërbimeve inteligjente, përbën prej vitesh një patate të nxehtë, me të cilën është abuzuar skajshëm nga qeveria e shkuar. Në vitet e fundit, me vullnetin e qartë për të përgjuar e frikësuar kundërshtarët politikë, maxhoranca e para 23 qershorit vuri në jetë një plan për t’ja deleguar kompetencën e përgjimit elektronik, edhe disa institucioneve të treta, që normalisht s’duhej të kishin të bënin me këtë aktivitet.
Përtej organizmave të tillë si SHISH apo prokuroria e përgjithshme, që merren në mënyrë të natyrshme edhe me këtë veprimtari, u sanksionua me ligj që mund të përgjonin edhe drejtoria e tatimeve, drejtoria e burgjeve etj etj! Gjashtë institucione e morën këtë atribut sa delikat, as edhe potencialisht të rrezikshëm për të drejtat e qytetarëve. Ajo që thotë sot ministrja e mbrojtjes, na le të kuptojmë se ky decentralizim i funksioneve të shërbimeve inteligjente, ka prodhuar një situatë krejtësisht të deformuar dhe abuzive.
Nuk është e padëgjuar që të përgjohen kundështarët politikë, apo edhe diplomatët e huaj. Rasti i NSA amerikane është aty dhe flet vetë. Jonormale është që kjo të bëhet me ligj dhe në mënyrë të formalizuar. Ashtu siç ka ndodhur dhe ndodh akoma me Shqipërinë, ku kjo veprimtari erdhi e u zgjerua me koshiencë të plotë, nga politika dhe për interesa të saj të ngushta. Për pasojë, duket se ka ardhur koha që ky aktivitet sensitiv të rregullohet dhe të bëhet transparent nga ana ligjore. I takon shumicës së sotme, e cila është përpjekur e ka luftuar gjatë, që kjo veprimtari të hynte në korsinë e ligjshmërisë dhe të respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Nuk ka pse të harxhohen më njerëz dhe para, për një aktivitet që duhet t’u përkasë institucioneve të specializuara, që merren me këto punë për shkak të natyrës dhe funksioneve që kanë. Shteti që përgjon kundërshtarët dhe qytetarët është abuziv. Ata që e vuajtën dje këtë të keqe, duhet të ndahen me të sot, kur kanë në dorë frenat e pushtetit.