Pozicionimi i dy palëve politike për “rastin Divjaka” tingëllon si raport ligjërimor i njëjtë me realitetin tronditës të narkotrafikut. Ndryshimi specifik i së thënës, mes shumicës parlamentare dhe opozitës, mund të perifrazohej sipas vargut të poetit Kavafis: “Njëlloj si ne, që fjalë të thëna thamë po me tjetër kuptim”.
Ky rast, sipas logjikës së opozitës, implikon qeverinë dhe “tradhton” betimin e saj për luftën kundër fenomenit në fushatën, e cila e solli në pushtet. Ndërkohë që në të shkuarën e afërt qeverisëse të opozitës së sotme, oazet e kultivimit të narkotikëve kanë bërë bujë dhe i kanë dhënë emër për keq Shqipërisë. Në këtë trashëgimi dhe këtë realitet shpërthyes, të dyja palët po e orientojnë politikëbërjen dhe debatin politik, jo te thelbi, por te tymnaja për shembje imazhi politik. “Opozita u duartrokit”, shprehen drejtuesit aktualë të opozitës, duke u krenuar me detajin ende të pazbardhur plotësisht të paralajmërimit të trafikut përmes ajrit në Divjakë apo sipas profecisë së ish-kryeministrit Berisha, pse jo edhe në Kardhiq e mbase edhe me nëndetëse! Sfida e informacionit specifik “Berisha” është ende në fuqi për qeverinë e Kryeministrit Rama.
Është një sfidë që për qëllim të parë dhe të fundit nuk ka asgjë më pak e më shumë, por sfidimin me skandal të ripërsëritur të trafikimit të narkotikëve përmes infrastrukturës së transportit ajror dhe ndoshta edhe atë detar.
Është një sfidë që flet për një informacion të zotërueshëm me saktësi prej ish-kryeministrit dhe që buron apo vjen si njohje e lidhjeve me struktura apo organizata kriminale, jo vetëm kombëtare për trafikimin e lëndëve dhe substancave të drogës. Sipas kolegut këmbëngulës dhe me jetëgjatësi investigimi, Artan Hoxha, prej kohësh në Shqipëri dhe vendet fqinje trafikimi ka siguruar jo vetëm mundësinë e paprekshme apo të zhbëshme të kultivimit, por edhe ka të instaluar në zonat jashtë kontrollit dhe administrimit policor, industrinë e paketimit apo edhe të përpunimit-ambalazhues. Nëse ky raportim i kohëve të fundit prej kolegut që investohet kurajshëm në këtë fushë, është i zbulueshëm në ditët dhe kohët e ardhme, atëherë shumëkush ka të drejtën të pohojë se kjo gjendje e tanishme nuk mund të zbulohej si e tillë pa të shkuarën e vet.
Në këtë raport aq të lidhshëm mes së shkuarës së afërt dhe së tanishmes, politika ka lidhjen dhe përgjegjësinë e përbashkët. Akuzuesit e sotëm, pra opozita, tetë muaj më parë ishte në qeverisjen me territore jashtë kontrollit. Sikundër nuk është vetëm Lazarati! Ashtu sikundër mund të thuhet sot, se për qeverinë e zotit Rama sfida e parë potenciale pas ekonomisë është edhe kjo e territoreve ende të paadministruara apo jashtë kontrolli, në të cilat kultivohen bimët narkotike.
Kjo sfidë ka lidhje me “triumfin e munguar të ligjshmërisë” dhe triumfimin tronditës e antishtet të paligjshmërisë.
Opozita shqiptare, në mitingun e kësaj fundjave me moton për rrëzimin e “qeverisë së Kryeministrit të drogës”, mendjelehtësish kishte harruar se akuzuesi i akuzuar e mbart përhershmërisht provën e vetëndëshkimit me vete. Fokusimi i kamerave të një pjese të kastës së Policisë së Shtetit që drejtonte strukturat në kohën e qeverisjes së ish-kryeministrit Berisha, ndërsa gjendeshin të tubuar përkrah kryekomunarit të Lazaratit, pati efektin e zhvleftësimit moral të kauzës antitrafik. Mjaftoi ky fokusim apo fotot e qarkulluara nëpër rrjetet sociale për të shpërndarë qeshjen për vlerën qesharake morale të protestës dhe sidomos të pretendimit të parashpallur opozitar.
Edhe qeveria, falë korpusit të mediave që ka pranë, e përdori dhe shpërndau këtë imazh, por edhe mediat pro opozitës e humbën efektin e pritshëm për të drejtën morale opozitare në raport me rastin e avionit gomëthyer në Divjakë. Seanca e ashpër në Kuvend që vijoi ndërsa jashtë tij zhvillohej protesta, përkoi në përmbajtje me absurdin e fokusuar prej kamerave. Përkrah parullave “Rama ik” dhe protestuesit të kryekomunarit Aliko, gjendej e dalluar prej shumëkujt edhe buzëqeshja ironike e gjithkujt.
Të dyja palët ranë në groteskun e amoralitetit bilateral politik që shtiret se mbron dhe përfaqëson moralin e ligjshmërisë. Ky absurd shqiptar, saktësisht skicohet me një talent stilistikor pak muaj më parë në një reportazh të Nju Jork Times-it: “Ekziston një vend në Ballkan, i cili kufizohet me vetveten. Ku të papunët më së shumti punojnë. Ku të gjithë nxitojnë për në punë dhe askush nuk arrin në kohë… Ku gazetarët janë të lirë të shkruajnë çdo gjë që ju urdhërohet. Ku sekretet shtetërore janë publike. Aty ku historia përsëritet çdo ditë… Aty ku të mençurit i deklarojnë të çmendur, dhe të çmendurit të aftë. Aty ku analfabetët e shkruajnë historinë. Aty ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale. Aty ku jetohet për të ardhmen, sepse për të tashmen nuk kemi të drejtë. Aty ku çdokush e përqesh tjetrin dhe askush askujt nuk ia dëshiron të mirën. Aty ku proceset gjyqësore zgjasin më shumë se jeta. Ku përmbytjet janë e vetmja mënyrë për ujitje. Ku konsiderojnë se vendi do të përparojë më shumë nëse rri në vend gjithnjë e më tepër. Ku normalët nuk janë të nevojshëm, dhe punësohen të përshtatshmit e jo të aftët. Është në Ballkan një vend ku me ndershmëri, sinqeritet dhe zell, kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar…”
Këtë realitet në stanjacionin shqiptar e mbajnë në fuqi politikanët e vjetër dhe fatkeqësisht edhe të rinjtë. Kjo ngjet e ka për të ngjarë derisa të hiqet duarsh tyre sistemi dhe të “sundojë” politikën demokracia dhe jo politika të lejojë parcela dhe disa rrugë për demokracinë.
Kjo mënyrë dhe ky rend qeverisës ka uzurpuar mekanizmat dhe levat e sistemit. Ligjshmëria nuk triumfon me ndërgjegje të pjesshme apo me ndërgjegjësime sa për fushata.
Diçka më e thellë dhe me proces mbjelljeje e lind ndryshimin. Sikundër diversiteti është një alternativë e provuar mundësimi.
Por a ka diversitet të fortë e të besueshëm brenda politikës? Mes kësaj klase që funksionon si kastë? Tejkalimin e stanjacionit dhe pengmbajtjes së sistemit e realizon vullneti dhe kuraja e ndryshuesit. Kryeministrit Rama po i ikën koha shpejt për shumë arsye, por njëra ndër më të dukshmet është edhe për shkak të pengesave komplekse që i ka lënë në shtet e politikë paraardhësi. Për ta tejkaluar këtë i nevojitet të braktisë vrullshëm kompleksin e implikimit, të cilin ia ka injektuar që në muajt e parë të ardhjes në qeveri, lënaku i palënë, zoti Berisha. Gjithçka tejkalohet me triumf të ligjshmërisë, nëse këtë të fundit, kjo qeveri, e ka lënë ndoshta për arsye dhe rrethana të ndryshme, në vend të pamerituar të renditjes. Ka kohë dhe vrull ta rikthejë në vend të parë si “çelës” për reformën dhe ikjen nga tranzicioni i ndenjur. Në të kundërt, me të ndenjurit në tranzicionin e ndenjur, nuk gjeneron dot ndryshim e aq më tepër tejkalim.