Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dy krahet e kohes

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Dy krahet e kohes

Shumë kohë më parë, një nga themeluesit e romanticizmit francez dhe bashkëkohës i Dantonit, Uashingtonit, Robespierit dhe burrave të tjerë të shquar, viskonti Fransua Rene de Shatobrian (1768-1848), shkruante: Koha ka dy krahë të mëdhenj, me njërin shemb dhe me tjetrin ndërton. Sikurse ndodh rëndom me njerëzit e mëdhenj, por jo gjithnjë me njerëzit e njohur, koha vetë, për të cilën ai shkruante, i dha të drejtë shkrimtarit. Është vërtet kështu. Koha nuk është gjë tjetër veçse një zinxhir i pazgjidhshëm mohimesh dhe pohimesh që pasojnë njëra-tjetrën. Nëse këmbëngulim vetëm në njërin prej krahëve të kohës, le ta zëmë te pohimi, atëherë nuk prodhojmë veçse shoqëri sedentare të vetëkënaqura dhe gjysmëbudallaqe, që me gjasë përfundojnë në diktatura entuziaste. Nëse këmbëngulim vetëm te mohimi, atëherë ka sërish shumë gjasë që të ndërtojmë një shoqëri të paaftë të mbahet në këmbë përderisa arrin deri atje sa të mohojë edhe veten, pa le më ata që ka rreth e rrotull.

 

“Dy krahët e kohës” veprojnë sigurisht edhe mbi ne, përditë, çdo orë, çdo minutë, anipse ne, të zënë sikurse jemi me ekzistencën e përditshme nuk ua vëmë edhe aq sa duhet veshin. Në politikë, dy krahët janë fare të dukshme: opozita dhe opozita. Jemi mësuar tashmë me të parën që këmbëngul vetëm në krahun e arritjeve, të shpresës, të vënies në dukje të arritjeve, ose më saktë të asaj që asaj i duken arritje dhe, nga ana tjetër kemi opozitën që mohon thuajse çdo gjë që ndodh, qoftë jo e lidhur me qeverinë, apo jo. Aq e forcuar është kjo politikë, saqë shumë prej njerëzve të thjeshtë pritën që Kryeministri të kritikohej dje edhe për tërmetin që ra andej nga Lushnja apo Belshi.

 

Opozita është në mos më e madhja, ndër më të mëdhatë pasuri që kemi sot në vend. Të gjitha mbarojnë, nafta, kanabisi, vera, frutat, glikoja, rakia, bulmeti, turizmi që do ndryshojë… Vetëm pasuritë tona esenciale natyrale, malet, deti, lumenjtë, pozicioni gjeografik, forca njerëzore, vetitë morale (nëse na ka mbetur ndonjë), të gjitha këto do të mbijetojnë sado të marrë që të bëhen në një moment të caktuar njerëzit e këtij vendi. Mes tyre, pra mes pasurive tona bazë, duhet konsideruar edhe opozita. Ajo nuk është një pjesë që i takon vetëm Berishës, PD-së, Bashës, apo të tjerëve. Nëse veprojmë kështu e kemi konsideruar opozitën si një parti e vetme dhe pikërisht prandaj të vetmuar. Opozita në tërësi është pjesa e njerëzve që mendojnë ndryshe, që kanë mendimin e tyre alternativ, e atyre njerëzve që nuk pranojnë mendime të fabrikuara njësoj si një kuti biskotash, e atyre që nuk bëhen njësh me turmën e shumicës, por që ruajnë deri në fund pavarësinë e mendimit. Duke qenë e tillë opozita është monumenti i vetëm që ne si komb kemi për lirinë. Është shenja e parë dhe më evidente se ne, më në fund, jemi një popull i lirë. Mirëpo duam apo nuk duam, në Parlament, atje ku vendosen ligjet, opozita përfaqësohet nga një a më shumë parti.

 

Pikërisht mbi PD-në partinë historike të opozitës ka rënë barra e përfaqësimit të kësaj mendjeje që nuk lodhet së menduari ndryshe. A e ka kryer në mënyrë dinjitoze në këta muaj opozita rolin e saj? Vështirë të thuhet.

 

Më e para nga të gjitha, askush nuk ka thënë që të jesh në opozitë duhet të thuash gjithnjë jo, sikurse ka ndodhur në gjithë këta muaj. Si mund të bëhen shndërrimet e mëdha që presin shqiptarët nëse opozita lë vendet bosh në Parlament? Opozita duhet të jetë prezente në të gjitha reformat e mëdha, në drejtësi, në pronë, në arsim, në administratë, duke shprehur fort fjalën e saj dhe duke korrigjuar pushtetarët, të cilët, si çdo pushtet kanë prirjen të përvetësojnë monopolin e së drejtës.

 

Opozita duhet të ketë mirë parasysh se ka përgjegjësi si përpara militantëve apo zgjedhësve të saj, por edhe ndaj apolitikëve dhe madje edhe ndaj atyre që kanë votuar kundër. Opozita duhet të përçojë mesazhin, qoftë në qëndrime, qoftë edhe në sjellje, se në një vend demokratik kundërshtitë politike nuk janë një betejë me kallash. Parlamenti nuk është një vend për t’u sharë, por një vend për të debatuar e për t’u marrë vesh. Politika nuk është sheshi i betejës së gjelave, por vendi ku shpalosen mendime të vyera. Nuk është vendi ku rinia dhe adoleshentët mund të pasurojnë fjalorin e fjalëve të ndyra, përkundrazi.

 

Nuk dihet se kush ia ka shtënë ndër mend opozitës – disa thonë vetë Berisha, disa të tjerë shkolla berishiane e mendimit dhe veprimit – që herë pas here të gjejë një telenovelë dhe të mbahet për do kohë rreth saj, duke e ditur mirë se ky qëndrim nuk shpie askund. Në fillim ishte diçka tjetër, më pas doli droga, dhe me siguri nga behari do dalë ndonjë serial tjetër. Pastaj bëhet zhurmë e madhe, më pas një komision parlamentar, që i ngjan një tymçeje që nuk shpie askund dhe kështu harxhohet frymë, energji, para, kohë, nerva, që të gjitha pa bukë, në një kohë që vendi ka nevojë absolutisht për mendimin e opozitës, për opozitën opozitë dhe jo për tymnaja që diheshin edhe nga fëmijët e gjimnazit, sikurse ishte puna e drogës së Lazaratit për shembull. Pastaj vijojnë protestat. Edhe vetë krerët e opozitës besojmë se e kanë parë që njerëzia tani janë ca të lodhur nga protestat ndër sheshe dhe thirrjet triumfuese të tipit: Ta shporrim qelbësirën. Edhe folklori politik ka kurbën e vet. Njerëzit duan të shkojnë një jetë të qetë me aq sa munden. Mitingje, demonstrata, rrahje, vrasje, atentate, skërmitje, urrejtje, mllefe, mënira… me të gjitha këto u ka ardhur deri në fyt edhe militantëve më të shquar. Meqë jemi në këtë pikë, një nga detyrat e mëdha të opozitës është që t’i edukojë njerëzit me idenë se ndryshimet në demokraci bëhen në paqe dhe vetëm nëpërmjet saj, se jetojmë në kohë evolucionesh dhe jo revolucionesh, të paktën kështu kemi shpresuar. Megjithatë, këto shënime të shpejta burojnë vetëm nga respekti që autori i këtyre radhëve ka pasur e ka për opozitën dhe madje edhe për emra të saj të përveçëm. Ato nuk janë gjë tjetër veçse produkt i një dëshire të kahershme që iu kujtua bashkë me citatin e Shatobrianit. Deri më tani kemi pasur një opozitë, qoftë të majtë, apo qoftë të djathtë, e cila ka përdorur vetëm një krah, e megjithatë kemi arritur do suksese. Pa imagjinoni një herë sikur të përdoreshin njëherazi të dy krahët e kohës? Me siguri do ishim ku e ku më përpara.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama