Ato çka ndodhën në Lazarat na mësuan a na rikujtuan plot e plot gjëra. Na bënë me dije se përpara vullnetit të një shteti për të vendosur ligjin nuk ka më trima të çartur, po ashtu na mësuan se kur një Polici ka pas vetes popullin, është krejt e lirë për të bërë detyrën që i ka caktuar ligji. Më tej akoma, na bënë me dije se ndikimet politike vetëm dëm i kanë bërë deri më tash rendit publik dhe asgjë tjetër.
Një nga mësimet lazaratase ka qenë edhe një herë fakti që Shqipëria është një depo e jashtëzakonshme armësh, një arsenal pa numra e pa lista, por një depo nga ato që mund t’i bëjnë gjëmën si atyre që e kanë, ashtu edhe atyre që i kanë afër. Është e kotë ta lidhim këtë gjë me pranimin tonë ose jo si vend kandidat në një të afërt të largët për anëtar në BE. Kjo është punë e politikës si brenda dhe jashtë vendit. Nëse do niseshim nga kjo logjikë do të shkruanim fjali të tilla të tipit mosbesues: E ç’i duhet një depo armësh e pakontrolluar Europës!? Ose, më keq akoma: Ku ta derdhim gjëmimin tonë luftarak të kahershëm!? Po sigurisht që këto gjëra nuk kemi përse t’i themi. Këto i përkasin sferave të larta si brenda ashtu edhe jashtë nesh.
Në një pikë duket se jemi të gjithë dakord. Një nga vatrat që i bënte karshillëk shtetit është nënshtruar dhe kjo e ka shtuar shpresën e shqiptarëve në të famshmen fjali: Ky vend mbase edhe bëhet!
Veç kësaj, Lazarati na kujtoi edhe një herë se ne jemi një depo stërgjigante armatimi. Një depo fort e rrezikshme, e aftë të bëjë krime, tregti, karshillëk ndaj shtetit, dhe jo vetëm kaq, por që mburret me këtë në poezi, ndër këngë epike, ndër qëndrime kafenesh… me një fjalë, një popull i armatosur që ka për armik veten e tij. Si i bëhet? S’do fare mend që kjo situatë nuk ka aspak lidhje me kontinentin ku aspirojmë të hyjmë. Le të mblidhen bashkë të gjithë, Buzuku, Bogdani, Bardhi, Skënderbeu, Pal Engjëlli, Papa Albani, Kristoforidhi, Samiu, Ismail Qemali… që të gjithë njerëzit që donin të na shihnin në Europë, kërkesa do të ishte vetëm një: Po lëshojini ato armë bre burra, kundër kujt po luftoni? Shqipëria ka kohë që është më vete!?
Kjo puna e lidhjes së armëve me njeriun shqiptar nuk është aq e thjeshtë dhe nuk ka edhe fort lidhje me kohët moderne. Duke qenë një popull që kanë dashur ta gllabërojnë, pra një popull me Zot por shumë të largët, ne kemi qenë të detyruar që të mbrojmë orë e minutë livadhet, mullarët, përrenjtë, arëzat, pra trojet tona. Kjo nuk është aspak përrallë e bukur patriotike, por një e vërtetë që ka vazhduar deri në prag të kohëve postmoderne. Pra pushka, dhe jo buka, trimi dhe jo i mençuri, flijimi dhe jo jeta e paqtë, kanë qenë instrumentet tona të mbijetesës. Në kohët kur Ballkani ishte po aq larg Europës sa edhe Zelanda e Re, kjo ka krijuar ndër të huaj e ndër ne idenë idilike e shqiptarit që fle me “pushkë ndën krye”, apo të shqiptarit që lë pa vaj fëmijët e uritur sepse vajin e paktë e kishte për të lyer pushkën, për të mos lënë jashtë vargun e famshëm se “pushka është zgjatimi i shtyllës sonë kurrizore”. Bukur fort, porse tashmë super e tejkaluar.
Mark Milani (1833-1901), ishte një ndër vojvodët më të famshëm malazezë, kundërshtar i rreptë, por i respektuar i shqiptarëve të Hotit e Grudës. Ky ka lënë pas një libër që ende lexohet me ëndje. Ai shkruan diku në veprën e tij “Legjenda mbi shqiptarët”: “…Konsiderohej faj i madh nëse dikush vritet pranë teje dhe pushka e tij gjendet plot. Ti je i detyruar ta marrësh pushkën e tij dhe të qëllosh menjëherë, në mënyrë që, armiku kur të vijë aty, ta gjejë pushkën bosh. Kur ata shkojnë pranë të vdekurit ose të plagosurit rëndë dhe e gjejnë pushkën të zbrazur, atëherë edhe vetë gjakësi mburret, pasi kjo është provë që tregon se ka luftuar me një trim, të cilit edhe pse i vdekur, i ka ndezur pushka, dhe jo me një mjeran, që mund të vritet fare lehtë…”. Goxha epike, goxha respekt mes kundërshtarësh, porse veç e shkruar këtu e më shumë se 100 vjet më parë!
Pra para se të niste shteti shqiptar ne ishim këta. Njerëz që flinim me pushkë nën krye, për motive të ditura, por edhe të paditura, thjesht edhe mbase se kështu na ishte bërë zakon. Pastaj erdhi i njohuri Ahmet Zogu. Ky, kishte ndër mend të bënte një shtet si ata të Europës. Kështu që politika e tij, shumë herë e ashpër, nuk shkonte për shtat me njerëzinë e armatosur në të gjithë vendin. Veç të tjerash kjo gjë ishte edhe rrezik për pushtetin e tij personal. Kështu që në kohë moderne nisi e para përpjekje serioze për çarmatimin e shqiptarëve. Ne jemi mësuar të themi Ahmet Zogu, por në fakt deri në 1938 ishte gjenerali anglez Percy ai që, në krye të xhandarmërisë vendosi rendin në Shqipëri duke hequr idenë e armiqësisë mes shtetit dhe njerëzisë, ide që e kishim trashëguar që nga sundimet e huaja, dhe që për dreq vazhdoi, në një mënyrë apo në një tjetër, deri në këto ditët tona.
Bernd J. Fischer, një nga studiuesit më të paanshëm të asaj periudhe, shkruan: “… Gjatë periudhës së presidencës së tij numri i vrasjeve për gjakmarrje u pakësua së tepërmi, për faktin se një numër i madh njerëzish u detyruan të dorëzonin armët. Presidenti arriti të bindte shqiptarin e mesëm se, me përjashtim të rasteve kur ai mund të kishte lidhje të fortë politike, çdo vrasje do të konsiderohej si krim. Kusaria u pakësua në atë shkallë saqë tani karvanë të tërë mund të kalonin dhe të rikalonin nëpër rrugë të largëta pa iu trembur sulmeve të bandave të armatosura. Si rezultat i kësaj shifrat e shkëmbimit tregtar u rritën në mënyrë të dukshme në krejt vendin”.
Pas Luftës së Dytë Botërore, komunizmi nacionalist që sundoi vendin, vazhdoi të njëjtën traditë të dashurisë për pushkën, që na mbronte nga armiqtë që na kishin rrethuar, meqenëse ne ishim i vetmi fanar ndriçues, jo vetëm në Europë, por në krejt botën.
Me këtë goxha bagazh historik na gjeti 1997, kohë në të cilën e gjithë popullsia duke nisur që nga fëmijët dhe deri te më pleqtë u armatosën deri në dhëmbë. Problemi ishte se shteti, jo vetëm se nuk ishte i tyre, por në shumë raste ishte edhe kundër tyre, njësoj si një gjë e huaj që ka ardhur nga një planet tjetër. Kjo ide, e kundërshtisë mes qytetarëve dhe shtetit, duhet zhdukur njëherë e mirë, pavarësisht se cila parti është në qeverisje.
Shenja më e parë, më e dukshme është ajo në fushën e Rendit. Shembulli i Lazaratit, ishte vetëm hapi i parë. Por nëse me kaq mbyllet gjithçka, në një vend që është një depo e stërmadhe, e shpërthyer, e papërgjegjshme, e pakontrolluar, gati e ligjshme armatimesh, atëherë është bërë vetëm një gjysmëhap dhe asgjë tjetër. Hapi i dytë i madh është Shqipëria pa armë. Cilido që ta arrijë këtë, do të ketë absolutisht mirënjohjen e brezave të ardhshëm.