Vrasja e Artan Santos është një akt terrorist. Kjo si inskenim i ekzekutimit të tij: koha, vendi, ndjekja dhe precizioni, të gjitha imtësisht të Alfred-Lela-reeeeee-150x150stërholluara për të dhënë një mesazh të qartë. Kjo, në nivelin e kronikës së një vrasjeje të pa lajmëruar. Në rrafsh social e politik, akti ish një atentat i shumëfishtë: mbi qytetarët e këtij vendi dmth mbi sigurinë e jetës, pasurinë, dhe sipërmarrjen.
Mbi sigurinë e jetës. Ka ndodhur gjithçka në një orë të pikut, atë orë të mëngjesit kur në baret e Tiranës pihet kafeja dhe fillon lëvizja, dhe e gjitha në zonën më të populluar e më popullore të kryeqytetit; aty ku biznesi, financat por edhe institucionet e shtetit gjenden; një të hedhur guri larg njëra-tjetrës. Ora dhe vendi, rrjedhimisht ekspozimi, japin në mënyrë flagrante e mizore synimin për ta bërë publike këtë vrasje. Për të dëshmuar forcë me anë të këtij atentati. Me motivin: jemi të fuqishëm sa e bëjmë këtu dhe kështu!
Mund të hidhet sigurisht edhe pista e një ‘inati të madh’ a ‘trimi të çartur’, që kërkon shpagim, por gjasat janë se ky është një ‘atentat i shtrenjtë’ me vrasës me pagesë të shumëpaguar e mirëtrajnuar, i cili kërkon me vetëdije ta dekonspirojë, jo emrin por ‘llojin’ e porositësit. Për të demonstruar forcë. Është një sinjal për shtetin sigurisht dhe sidomos i tillë për arsye të profilit të lartë të të ndjerit Santo, por edhe të vendit të përzgjedhur për ta luajtur ‘skenën’. Shumë afër të gjitha gjërave me rëndësi e peshë në kryeqytet. Kjo shenjë force ndaj shtetit dëshmon sigurinë e brishtë të të gjithë qytetarëve të Republikës. E bën fitoren e Lazaratit të duket si një lojë në kompjuter. Na bën të gjithëve të mendojmë: e kemi jetën të pasigurt.
Mbi pasurinë. Vrasja e të pasurve është një akt linçimi publik që i ka rrënjët ndër të tjera edhe te parehatia sociale me pabarazinë. Ndërsa shoqëritë e hapura e të zhvilluara janë pajtuar me statusin social të të suksesshmit, shoqëritë e mbyllura e të pazhvilluara, në të kundërt, zhvillojnë një lloj venerimi të pafre për të pasurin e të suksesshmin, por nëse gërvisht sipërfaqen poshtë ‘nderimit’ gjendet një urrejtje e koracuar.
Për këtë, në bisedat informale historitë e suksesit të shqiptarit nuk janë kurrë të tilla, por interpretohen si kombinacion konspiracionesh e pisllëqesh. Aftësia dhe kreativiteti nuk futen kurrë tek atutë e pasurimit. Zhvatja, kundravajtja, korrupsioni, aferat e paligjshme gjithmonë. Në Shqipëri, i pasuri shihet si shqetësim dhe jo si komoditet. Në këtë kulturë ka ndikuar sigurisht forma mentis-i komunist i barazisë, shpronësimit, kulakut, beut, tregtarit e të tjera. Vrasja e Santos dje ishte një konfirmim i kësaj mendësie. Edhe shoqëria ‘e keqardhur’ shqiptare ka marrë pjesë në të.
Mbi sipërmarrjen. Vrasje individësh të profilit të Santos, liderë në bashkësinë e sipërmarrësve, por edhe një prodhim i bankingut Made in Albania, dërgojnë rrathë rrëqethjeje dhe paniku në komunitetin e biznesmenëve vendas dhe ndezin një të kuqe alarmi për investitorët e huaj. Klima e doing business përshkohet nga mjegulla dhe re të zeza. Nëse në kujtesën e publikut të brendshëm terrori i ngjarjes kalohet dhe harrohet pa vonuar (përjashto familjarët e miqtë e zemrës që do e kenë gjatë në kujtesë) në skedat e investitorëve potencialë të huaj Shqipëria do t’ia theksojë vetes statusin e ‘vendit të pasigurt’. Statusi ‘vend kandidat për në BE’ rrjedhimisht thotë asgjë.