Ka kaluar një javë dhe Tirana është ende e tronditur nga një atentat, nga më të rëndit në historinë e 24 viteve të fundit. Një personalitet publik, një nga figurat më përfaqësuese të kapitalizmit të ri shqiptar, u ekzekutua në zemër të kryeqytetit, para syve të qindra kalimtarëve, në zonën më të patrulluar nga forcat e rendit dhe disa hapa larg kryesisë së Kuvendit e rezidencave qeveritare që ruhen nga dhjetëra ushtarë të armatosur. Kriminelët nuk qëlluan mbi ndonjë rival të tyrin, nuk ishte një krim rruge dhe as hakmarrje personale. Artan Santo u zgjodh të vritej përpara bankës së tij, nën hundën e forcave të rendit dhe sipas mënyrës tipike mafioze për një motiv shumë të fortë. Është ky demonstrim force i krimit dhe ky motiv ende i pazbardhur që kanë lënë të shokuar miliona shqiptarë. Kjo nuk ishte një vrasje e zakonshme, por një ekzekutim që krijoi menjëherë një gjendje ankthi për atë çka fshihet pas saj dhe për atë çka mund të ndodhë më pas. Vrasja e një personaliteti me profil të lartë publik si Artan Santo shënoi kapërcimin e një kufiri ku deri më sot krimi nuk kishte guxuar të afrohej. Këtë herë ky guxim ishte përtej të imagjinueshmes.
Në kokat e njerëzve, veçanërisht të atyre që e njihnin nga afër Santon, ka plot pikëpyetje që e shtojnë tronditjen që shkaktoi vrasja. Pse duhej të vritej pikërisht përpara bankës kur dihej se ai lëvizte lirshëm, pa roje, shpesh në këmbë dhe në shumë vende larg syrit të policisë? Pse do të rrezikonin vrasësit me një atentat përpara hundës së forcave të rendit, sa të sigurt ishin ata se do të largoheshin pa asnjë pengesë dhe pa lënë asnjë gjurmë? Nuk ka dyshim se ky atentat ka qenë i mirorganizuar, sipas një plani të saktë dhe me një siguri maksimale. Ai duhej të kryhej pikërisht në ato rrethana, në qendër të Tiranës, në mes të policisë, tek dera e bankës, për të dhënë një mesazh të caktuar.
Ekzekutimi i Santos është nga ato ngjarje ku motivi është më i rëndësishëm se autorët. Është pikërisht motivi që shpjegon guximin e ekzekutuesve dhe për këtë arsye, si i tillë, është po ai që shton pasigurinë dhe ankthin tek qytetarët. Në këtë rast nuk kanë vend shprehjet ‘si u qëllua mbi biznesin’, ‘na vranë një çun Tirone’ apo akoma më shumë, deklarata idiote si ajo e ministrit të Brendshëm se ‘vrasësit zgjodhën atë vend për të bërë zhurmë mediatike’. Zhurma mediatike do të ishte bërë në çdo rrethanë që do të ekzekutohej dikush me profilin publik të Artan Santos. Ministri duhet të kuptojë se ky është një nga ato momente delikate, ku fati i betejës mes forcës së shtetit dhe krimit mafioz vihet seriozisht në pikëpyetje. Ky i fundit nuk kishte mbërritur në këto nivele dhe, pas vrasjes së Artan Santos, gjithçka mund të ndodhë.
Prandaj do të ishte serioze që si kryeministri ashtu dhe ministri të mos nxitohen me shpjegime naive si ai që, ‘kriminelët po lajnë hesapet mes tyre sa të vendoset rendi i rilindur’ apo që ‘motivi i vrasjes ishte për zhurmë mediatike’. Ata nuk janë aty për të bërë komente sipas mendjes së tyre, por për të parandaluar dhe zbuluar krimin. Për t’u dhënë siguri qytetarëve nëpërmjet veprimeve dhe jo nëpërmjet fjalimeve. Nëse ministri i Brendshëm do të dilte të fliste për këtë rast, do të ishte vetëm nëse një hetim profesional do të kishte zbardhur motivin e vrasjes, apo nëse ai do të shpallte para shqiptarëve masat ndëshkuese për të gjithë përgjegjësit që me veprimet apo mosveprimet e tyre bënë që vrasësit të largoheshin pa as më të voglin telash. Askush nuk mund t’i ngarkojë përgjegjësi Saimir Tahirit pse ndodhi një vrasje e tillë, por Saimir Tahiri duhet të gjejë përgjegjësi se përse “çunat e tij” që shëtisin me bllok gjobash në dorë rrugëve të Bllokut papritur u strukën pas pemëve, kthyen kokën në anën tjetër, nuk morën guximin të qëllonin qoftë në ajër, bënë sikur i ndoqën vrasësit duke gënjyer prokurorët apo më keq akoma, nuk dhanë asnjë sinjalizim për mjetin e dyshimtë që lëvizte para hundës së tyre dhe nuk e ndaluan atë në asnjë postbllok. Ministri duhej të shkarkonte menjëherë të gjithë ata individë përgjegjës dhe t’i dërgonte në prokurori si shembull të mosushtrimit të detyrës dhe moszbatimit të ligjit. Ky do të ishte një reagim normal i një ministri të Brendshëm, pas një vrasjeje të atyre përmasave që në një vend tjetër mund të kishte çuar edhe në dorëheqje. Batutat dhe lehtësia për të kaluar si pa të keq çdo situatë, pa nxjerrë përgjegjësi dhe emra konkretë të individëve përgjegjës, vetëm sa e shtojnë pasigurinë dhe e bëjnë edhe më të rëndë fenomenin Santo.
Qytetarët nuk kanë nevojë për komentet origjinale të kryeministrit dhe vartësit të tij, por për kapjen sa më parë të autorëve dhe zbardhjen e motiveve të një krimi me përmasa të frikshme. Ajo që ndodhi një javë më parë në Tiranë nuk ishte thjesht ekzekutimi i një individi, por një atentat ndaj gjithë shoqërisë. E cila, deri më tani ndihet e pambrojtur nga ata që i paguan për ta bërë këtë.