Sistemi i drejtësisë në Shqipëri rrezikon të degradojë akoma edhe më shumë pas konfliktit të fundit mes qeverisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë betejë të re, ku nëpërmjet figurës së ministrit Nasip Naço, ekzekutivi kërkon t’u paraqitet shqiptarëve si heroi që po i shpëton nga e keqja e madhe, është fare e qartë se bëhet fjalë për një përpjekje banale për ta marrë nën kontroll dhe jo për ta reformuar gjyqësorin. “Përpjekja e ministrit Naço për të luftuar korrupsionin ka marrë një shuplakë nga KLD”, ishte një deklaratë e përfaqësuesve të qeverisë që i jep edhe nota qesharake gjithë kësaj historie. Nevoja e mazhorancës për të marrë nën kontroll gjyqësorin dhe mënyra butaforike që ka zgjedhur për ta kamufluar këtë tentativë, e bëjnë edhe më të pabesueshme të ashtuquajturën betejë kundër korrupsionit në drejtësi.
Kur dëgjon ministrin Naço që flet për KLD e gjyqësorin e korruptuar, për fenomenin “Sude”, për apelin ndaj Parlamentit që të ndërhyjë si forcë e jashtëzakonshme etj., etj, nuk mund të mos bësh pyetjen se, a ishte po ky ministër (atëbotë pjesë e qeverisë Berisha) që lartësoi pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, kur i dha pafajësi Ilir Metës në rastin e “videopërgjimit Prifti”? Loja politike me drejtësinë është më se e kuptueshme, jo vetëm nga personat që kanë marrë përsipër ta luajnë atë, por edhe nga mënyra se si kanë zgjedhur ta bëjnë. Nën mbulesën e shqetësimit ndërkombëtar për funksionimin e gjyqësorit në Shqipëri, mazhoranca ka nisur një sulm aspak parimor që vetëm reformës nuk i afrohet. Nuk ndodh në asnjë vend normal që ministri i Drejtësisë të flasë me atë gjuhë për drejtësinë e vendit të tij. Një gjë e tillë krijon tek qytetarët ndjenjën e kaosit ku shteti i kundërvihet shtetit dhe çon drejt zhgënjimit të parikuperueshëm se në Shqipëri gjithçka është në funksion të interesave të ngushta të një grupi njerëzish. Pa dyshim që drejtësia është më shumë se problematike, se gjyqtarët dhe prokurorët e kanë rrënuar edhe vetë imazhin e tyre, herë duke u vënë në shërbim të pushtetit e herë të parasë. Por gjendja nuk mund të përmirësohet duke sulmuar drejtësinë nga pozita politike, por duke nisur një reformë serioze pa qenë nevoja për të prodhuar show mediatik. Presionet me zë të lartë, akuzat bombastike, përdorimi i individëve që rrallë mbajnë përgjegjësi për ato që thonë, duket se po kombinohen për të justifikuar në sytë e publikut ndërhyrjen e paprinciptë të qeverisë në pushtetin gjyqësor. Fjalia “përpjekja e ministrit Naço për të luftuar korrupsionin” edhe vetë kryeministrit Rama mund t’i shkaktojë të qeshura të forta, por atij i duhet të shpikë një çështje si mjet për ta çuar deri në fund presionin ndaj KLD-së dhe gjyqësorit në përgjithësi.
Mazhoranca i ka të gjitha mekanizmat ligjorë për të provuar akuzat e saj, prokuroria po heton për disa gjyqtarë, kontrollet dhe survejimet e ligjshme mund të intensifikohen dhe ky do të ishte vërtet presioni i duhur mbi individët e korruptuar. Nga ana tjetër ndryshime ligjore mund të propozohen, duke kërkuar pse jo edhe konsensusin e opozitës, për të parandaluar në të ardhmen devijimet e sistemit të drejtësisë nga ligji dhe një kontroll më efikas ndaj tij. Qeveria po ashtu mund të kish zgjedhur dikë, një personalitet me integritet të lartë dhe figurë të pastër, të pranuar si të tillë nga të gjithë, i cili mund të drejtonte një program të caktuar, të mbështetur edhe nga BE dhe transparent për këdo, ku do të ndërmerreshin hapat konkretë për reformën në drejtësi. Mirëpo në thelb të betejës së qeverisë dhe ministrit Naço me KLD nuk qëndron reformimi i drejtësisë, por nënshtrimi dhe vënia në përdorim nga pushteti i ri. Pa mbaruar ende fjalimin ministri Naço, Partia Socialiste nxitoi të kërkojë ndërhyrjen e Parlamentit, pa u shqetësuar nëse kjo bie në kundërshtim me ligjin. Prandaj më shumë se sa argumentime ligjore dhe strategji të menduara, do të dëgjojmë akuza për miliona, udhëtime me avionë, vila dhe makina. Një refren i vjetër që përsëritet sa herë që pushteti politik do të shkelë pushtetet e tjera.
Pavarësisht gjithë zhurmës së krijuar për të hutuar qytetarët, ky është qëllimi i qartë i qeverisë Rama. Në këtë dilemë mes gjendjes së rëndë ku ndodhet drejtësia shqiptare dhe tentativës për ta vënë atë nën kontroll politik, më mirë do të ishte e para. Një mazhorancë që ka vullnet vetëm për t’i shërbyer vetvetes, do ta lëndonte edhe më keq një pushtet tjetër që mezi mbahet në këmbë. Aq më tepër kur këtë mundohet ta kamuflojë si një betejë në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Ministri i Drejtësisë, për fat të keq, nuk bind aspak për këtë. Edhe kur del e flet nga selia e Kryeministrit.