Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Test për politikën tripolare

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 17 vite më parë

Mero Baze
Test për politikën tripolare

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ndërhyrë dje publikisht për të ekspozuar një betejë që po konsumohej në heshtje. Prej disa javësh, presidenti, Bamir Topi dhe kryeministri, Sali Berisha, janë përfshirë në një krizë komunikimi për shkak të dekretimit prej presidentit të 5 kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët nuk janë konsultuar më parë me shumicën ose opozitën në rrugë zyrtare.

Në praktikën normale të rigjenerimit të këtij institucioni ishte krijuar një praktikë konsultimi me dy blloqet kryesore politike dhe në disa raste ka pasur dhe konsensuse të ndërmjetme. Kjo së paku ka ndodhur në kohën kur zoti Moisiu ishte president dhe zoti Topi kryetar i grupit parlamentar. Nuk është e sigurt po ashtu, nëse presidenti është konsultuar në distancë me grupin më të madh të opozitës, por shihet qartë që emrat e dekretuar janë të mirëpritur prej tyre dhe nuk ka shumë rëndësi konsultimi. Për Partinë Demokratike duket se emrat janë dukshëm acarues. E gjithë kjo nuk ka ndodhur pa vetëdije. Pas reformës “me goditje të përqendruar” ndaj Kushtetutës, ku mënyra e zgjedhjes së presidentit u ndryshua pa u pyetur as formalisht presidenti, ky është gjesti i parë që i kthen reston në këtë rast Sali Berishës. I drejtë ose jo, serioz apo joserioz, kjo është një sprovë e qartë politike e presidentit për t’i dëshmuar kryeministrit se nuk ka ndërmend ta pyesë për ngastrën e pushtetit që ka vetë nën kontroll. Ky konflikt ka së paku një muaj që zjen brenda shumicës dhe askush nuk e kishte bërë publik. Sorollatjet formale që iu bën Topalli dekreteve janë po ashtu brenda hapësirës që asaj i jep ligji për t’u vonuar. Të gjithë këtë situatë e shpërtheu dje kryetari i opozitës, i cili hetoi ngërçin brenda shumicës dhe sulmoi Topallin për një procedurë, të cilën ajo po e përdorte për të shtyrë shpërthimin publik të konfliktit. Tani që konflikti u bë publik, palët e përfshira në të duhet të flasin politikisht. Ndërhyrja e qartë e Edi Ramës pro dekretimit të pesë emrave për Gjykatën e Lartë do të thotë se opozita do t’i votojë këta pesë emra. Kjo e bën shumë delikate situatën brenda grupit parlamentar të PD, ku një numër deputetësh, së paku dhjetë prej tyre, janë të rreshtuar qartazi rregullisht pro veprimeve politike të zotit Topi. Kjo betejë, e para pas përpjekjes për ta injoruar publikisht vullnetin e presidentit për mënyrën e zgjedhjes së tij, është në të vërtetë një test për atë që dikur Berisha e ka quajtur politikë tripolare. Këto dekrete duhet të miratohen në Kuvend dhe për disa nga këta emra PD ka kundërshti të qartë. Nëse presidenti Topi arrin të mbajë nën kontroll mbështetësit e tij, ai mund t’i kalojë këta emra, duke ia kthyer borxhin qartazi kryeministrit Berisha për atë që i ka bërë një muaj më parë me Kushtetutën. Nëse jo, ai humbet një betejë të rëndësishme politike brenda PD dhe thuajse zeron influencën e tij, duke çuar dëm kështu dhe një sërë drekash dhe darkash që tentonin të prodhonin një korent politik brenda asaj partie. Tani që lufta u bë publike, ai duhet t’iu dalë zot mbështetësve të tij ose, thënë më qartë, duhet të sigurohet se ata janë me të deri në fund. Përndryshe, një rrëzim i dekreteve do ta detyrojë atë të konsultohet për emrat që do të çojë në Kuvend, duke degraduar kështu fuqinë e tij politike brenda shumicës dhe duke e ekspozuar si të humbur në betejën me Berishën.

Nga ana tjetër, grupi i PD që do të kundërshtojë dekretet ka humbur kohë për të biseduar më parë për këtë çështje me opozitën. Siç u morën vesh për shumë gjëra në interes të dy liderëve kryesorë, ata mund të ishin marrë vesh dhe për një listë prej 5 gjyqtarësh, natyrisht duke i lënë pjesën e vet dhe presidentit dhe kriza të ishte kaluar. Por tani është vonë. Edi Rama është rreshtuar me qejf pro presidentit dhe po shantazhon kryetaren e Kuvendit, për t’i kujtuar se nuk ka shumicën në grupin e saj. Dhe këtë s’mund t’ia bënte kurrë pa marrë siguri nga dikush brenda grupit ose siç u përpoq të thoshte dje zëdhënësja e Topallit, “shokët e Edi Ramës”. Kjo betejë është një test për fuqinë e mbetur të presidentit brenda PD. Deri më sot kjo fuqi nuk është provuar asnjëherë përveç në menytë e restoranteve. Një herë që ai kishte nevojë për ta në Kuvend, ata firmosën dhe pastaj u tërhoqën. Tashmë është rasti i fundit, kur ata mund të marrin një vendim, të dëshmojnë se do të funksionojnë si një fraksion brenda grupit apo do bëhen luajalë me Berishën, i cili ka në dorë rikandidimin e tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama