Ka disa kohë që veprimtarë dhe krijues pasionantë të këngës dhe interpretimit folklorik vijojnë një debat për termin “iso-polifoni”. Shumë prej tyre këtë çështje terminologjike e kanë marrë me aq pasion, sa që po zhurmojnë me të madhe. Po përfshihen në të gjitha format e debatimit dhe reagimit; Jepen intervista, ka shkrime polemike, interpretime shkumëzuese pasionante dhe patetike, sulmime akademikësh dhe deri edhe nisma për peticione.
Debati ka një arsye dhe natyrisht, protagonistëve të rinj të tij nuk u mungon as arsyeja e as argumenti. Sikundër përballë tyre qëndron fakti i kryer si kundërargument.
Në disa prej të përditshmeve dhe sidomos në hapësirën e shtypit të shkruar që planifikohet për redaksitë e kulturës, botohen herë pas here intervista polemizuese nga veprimtarë të tillë dhe studiues diletantë e popullorë një pjesë e mirë e të cilëve janë të afirmuar dhe me ndikim në opinionin publik lokal e pse jo edhe atë kombëtar.
Nuk dua të merrem me të drejtën e tyre apo tejkalimin e saj. Sikundër nuk kam dëshirë të shprehem në pozicion avokatuesi për pagëzuesit e termit të ri, për vlerën e vyer të trashëgimisë sonë kombëtare: Polifoninë.
Aty ku ka një vlerë të tërëjetshme, aty ku kemi të bëjmë me një produkt dhe pasuri mademesh të popullit është e natyrshme që mund të kemi edhe një pasuri sinonimesh e emrash lokalë e dialektorë. Në këtë mënyrë polifonia ka për fjalë e shprehje sinonimike: këngë shumëzërëshe, vënçe, labçe, këngë kokë më kokë e deri te preferenca më e re e tim eti (Lefter Çipa), si një ndër kontributorët në mbi 40 vjet që preferon ta emërtojë rishtas “fosforina shqiptare”.
Në fakt, termi zyrtar tashmë është fiksuar iso-polifoni. Për këtë emërtim shteti, institucionet kombëtare dhe sidomos të gjitha guidat që servirin këtë visar të trashëgimisë kulturore shqiptare në botë e kanë emërtuar: iso-polifoni. Madje, në fat dhe në vlerësim të kësaj pasurie unike shqiptare, më 25 nëntor të vitit 2005 arrihet dita historike që “Iso-polifonia popullore shqiptare”, futet në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”. Një listim për gjithë ato pasuri unike, të cilat merren nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ky fakt i kumtuar në gjithë mediat e botës, i ripërmendur në aq e aq institucione kombëtare dhe ndërkombëtare të kulturës, mbart pashmangshmërisht edhe vlerën e një marketingu të papërsëdytshëm për pasurinë kulturore shqiptare. Tashmë ky është fakt i kryer dhe ne kemi arritur atë që shumë popuj dhe kombe nuk kanë pasur fatin të arrijnë për kësi pretendimesh dhe vlera të ngjashme unike të kulturës së tyre kombëtare.
Por le të kthehemi tek ajo çka sjell debati i ri, i cili sido që të zhvillohet nuk ndryshon asgjë, madje, se të shprehemi dhe vlerësojmë se çfarë shkakton në marketimin dhe besueshmërinë globale ndaj autenticitetit të saj.
Një debat i tillë duhet thënë se është si “kofini pas të vjeli”. Tashmë kjo pasuri e certifikuar është bërë me dije në gjithë hapësirën globale si “iso-polifonia shqiptare”. Polemizuesit dhe debatuesit për termin më së shumti me ripagëzuesin shkencor të saj, akademikun Vaso Tole, duket se po rendin të marrin flamurin e “gjuetarit të gabimit” dhe jo të garojnë për investigim kulturor, studimor dhe grumbullim artefaktesh, të cilat do të mund të pasurojnë fonotekën e polifonisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Sot në Shqipëri guidat dhe sidomos fondi i konsultimeve me prurjet polifonike shqiptare në arkiva dhe fonoteka, nuk e tejkalojnë shekullin kohor. Ndërkohë që jemi certifikuar prej UNESCO-s për një pasuri botërore e cila, duhet dhe është si e tillë prej shekujsh!
Polemika për emrin tashmë është dëmsjellëse, është e barasvlefshme me një dashuri që vetëndëshkohet. Çfarë dobie ka ky debat dhe aq më tepër ç’seriozitet shpreh veprimtaria refuzuese e këtij emri që mbërrin në administratën e UNESCO-s në formën e peticioneve dhe kontestimeve shqiptare?
Është vetëm një investim negativ për të dëmtuar imazhin dhe marketimin e një pasurie kombëtare që e kemi futur në listën e trashëgimisë botërore. Kjo dashuri vetëvrasëse kulturore, tradhton jo vetëm seriozitetin tonë, por edhe ndërgjegjen e papërgjegjshme kulturore kombëtare. Zotërinj dashnorë dhe adhurimtarë të polifonisë, mos harroni një fakt kokëfortë: Për të arritur dhe mundësuar që polifonia shqiptare të listohet si “Kryevepër e njerëzimit”, u desh të shqyrtoheshin 60 kandidatura të propozuara bashkë me kryeveprën tonë. Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris është gjendur para propozimesh të këtillshme nga shumë shtete dhe vende shumë herë më të fuqishme për nga kapacitetet e lobimit dhe marketimit kulturor, siç janë për shembull makamet e Irakut, opera e Pekinit, vedat indiane etj., etj. Asnjë prej vendeve kandidate dhe pretenduese për të certifikuar pasuritë e tyre prej UNESCO-s, nuk ka pasur dhe nuk ka çelur debate të tilla emërtuese për kryeveprat e tyre.
Sipërmarrjet për këtë debat dhe sidomos zhurma e shtuar dhe e zgjatur në kohë për këtë çështje, nuk sjell asnjë dobi e nuk mbart asnjë vlerë. I vetmi korrektim i mundshëm është që në gjithë botimet periodike, guidat, fondet e reja të publikimeve e aktet e tjera që përbëjnë ngjarje për tregun kulturor etnomuzikor shqiptar, institucionet kombëtare që përgatisin dhe kanë përgjegjësitë botuese e publikuese të mund të përfshijnë edhe emërtimet sinonimike për këtë pasuri të lashtë e autentike shqiptare. Në këtë mënyrë edhe të pakënaqurit popullorë qetohen, edhe serioziteti i terminologjisë dhe akademizmit tonë bëhen më të plotësuar. Paskësaj debati, polemika dhe sidomos patologjia e reagimit kulturor, tradhton jo vetëm brendinë dhe autorësinë e kësaj kryevepre, por në mënyrë të përhershme, mbetet dëmsjellëse për trashëguesit e kësaj kryevepre, pra për vetë shqiptarët.