Kjo që do të lexoni më poshtë, është një histori e pazakontë, që ka ndodhur vetëm pak ditë më parë në kryeqytetin tonë. Është e pazakontë për nga akti i protagonistit, por edhe për kombinimin e çuditshëm mes heroizmit, thjeshtësisë, përulësisë, nga njëra anë, dhe indiferencës, shpërfilljes dhe harresës nga ana tjetër. Heroi – në të gjitha kuptimet – i kësaj historie quhej Pandi Toçe, 55-vjeçar, i martuar, baba i dy fëmijëve.
Ai, sigurisht që nuk kishte se si ta dinte që ajo paradite e nxehtë gushti do të mblidhte orët e tij të fundit. Që prej disa kohësh Pandi Toçe e kishte bërë zakon që të bënte një xhiro të shpejtë andej nga kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Muajt e fundit kishin qenë shumë të vështira për të. Për shumë vjet kishte punuar në një punë me të cilën ndihej mirë, në Teatrin Kombëtar, por sikurse është zakoni te ne “novus rex, novus lex”, ndryshimet e reja në Teatër e nxorën të papunë. Shëtitja nga Liqeni sikur e largonte nga ajo ideja fikse se duhej patjetër të niste një punë tjetër. Atë paradite ndihej disi më mirë. I kishin thënë të paraqitej në zyrat e një spektakli shumë të njohur televiziv. Dukej se kohët e këqija po kalonin më në fund.
Ne, sigurisht që nuk mund ta dimë, por Pandi, me siguri këto gjëra kishte në kokë ditën që hyri poshtë gjelbërimit të thellë të kodrave. Befas, duhet të jetë rrëqethur nga klithma e një fëmije. Ishte një 12-vjeçar. Fëmija, në kërkim të topit, kishte hyrë pa u menduar në bregun e përbaltur të liqenit e tash po thëthihej nga kurthi vdekjeprurës. Dëshmitarët kanë parë se si Pandi, pa hezituar as edhe një sekondë të vetme, është hedhur drejt fëmijës. Për disa minuta të dy po thitheshin nga balta ngjitëse. Atëherë Pandi ka bërë aktin e fundit. Është shtrirë duke u bërë si bazament për këmbët e fëmijës dhe e ka shtyrë atë sa ka mundur drejt bregut të sigurt. Në ato momente tragjike është ndodhur aty edhe një kalimtar tjetër, i cili e ka bërë kanotierën e vet si litar. Fëmija i llahtarisur ka arritur më në fund të dalë në breg. Por Pandi kishte nisur të shkonte poshtë. “A shpëtoi fëmija?”, ka pyetur herën e fundit që arriti të nxjerrë kokën mbi ujë dhe më pas është zhdukur në llumin e kafenjtë. E gjitha kjo histori tronditi një lagje të tërë afër 30 mijë banorëshe, tronditi miqtë e Pandit, dëshmitarët e rastit … Fëmija i shpëtuar ende është i tronditur. “Ai xhaxhi më shpëtoi mua dhe la fëmijët e tij!”, kështu përsërit ende pa reshtur. “Njeriu i kanotierës” është edhe ai i shokuar teksa ndan dhembjen me familjarët e Pandit. Ndjenja e përgjithshme rreth e rrotull familjes në mort është e ndarë mes dëshpërimit të thellë për humbjen e të dashurit të tyre, por edhe një krenari e thellë për aktin që kreu Pandi.
E gjitha kjo histori ngjethëse heroizmi kaloi krejt në heshtje. Vetëm diku në një televizion u shkrua – vini re, nuk u tha – si pa dashje një herë të vetme, që “në Liqenin Artificial të Tiranës u gjet trupi i pajetë i një burri të paidentifikuar rreth të ‘50-ave”. Kaq, vetëm kaq. Kaq vlente për shumë prej nesh akti heroik i një njeriu të thjeshtë. Pas kësaj fjalie “të paidentifikuar” për “burrin e paidentifikuar” ngjarja ishte e rëndësishme dhe ngjethëse vetëm për njerëzit e thjeshtë, të cilët gojë më gojë, me sms, me celular, me “Facebook” e kishin krijuar tashmë me këtë rast një media më vete, një media popullore që nuk i harron njerëzit e vet të mirë, që janë gati të japin jetën për të shpëtuar atë të një fëmije të panjohur. Shtypi gjëmon përditë me emra “heronjsh” modernë: Rama, Berisha, Basha, Fullani, Arvizu, Meta, e më pas lloj-lloj vipash e vipeshash që janë shumë të shqetësuar, sepse ende s’e kanë ndarë mendjen nëse do t’i kalojnë pushimet në Ibiza apo në Xhamajka. Sigurisht që në këtë shtyp për Pandin nuk ka vend. Ai ishte një njeri i thjeshtë, i heshtur, i qetë, një familjar i ndershëm në kërkim të punës. Ai nuk ishte VIP, ai nuk i prishte punë askujt. E pra VIP bëhesh vetëm kur prish punë, përndryshe ç’u pa?! Në media nuk kishte vend në të gjallë të tij, por nuk kishte edhe kur dha jetën në mënyrën më heroike të mundshme.
Çfarë ka ngjarë me ne? Me ne që jemi rritur me lloj-lloj heronjsh, ca të vërtetë, ca të sajuar, ca të gjallë e ca të vdekur, ca të vrarë, ca të dashur e plot të tjerë të përfolur? Mos vallë me ne eksperimenti me kultin e heronjve përgjatë komunizmit e teproi aq shumë saqë na e zvordhi edhe vetë fjalën “hero”? Mos vallë bashkëjetesa e gjatë me heronj të sajuar na ka mbushur mendjen se ata, heronjtë e vërtetë, nuk ekzistojnë? Apo e kemi pranuar si krejt normale që të jetojmë në një botë ku zbrazëtia dhe jo vlerat, tangërllëku dhe jo modestia, hajdutllëku dhe jo ndershmëria, arroganca dhe jo maturia, makutëria dhe jo të qenët i përkorë, dhuna dhe jo qetësia, na qenkan vlerat e vërteta? Përgjigjja është: që të tria bashkë.
Pikërisht ne që respektonim, vetëm se ashtu na thoshin, Heroin e Punës Socialiste që u dogj vetë në pyll, por ama shpëtoi teserën e PPSH-së duke e gëlltitur atë, pikërisht neve nuk na bëka përshtypje heroizmi i Pandit të thjeshtë, “njeriut të vogël”, me zemër të stërmadhe. Pikërisht ne marrim guximin, që jo vetëm ta shpërfillim, ta injorojmë, ta harrojmë, por edhe në rastin e vetëm, që e përmendim, ta cilësojmë “të paidentifikuar”, njësoj sikur emrat në këtë dynja të jenë një gjë e kotë.
Mbase behari është një fazë e vështirë për lajme. E vërtetë. Shumë zyra, shumë prej nesh, shumë politikanë, shumë showman e showgirl janë duke u nxirosur të qetë nën rrezet këndellëse të diellit. Por asnjë justifikim nuk mund t’ua largojë njerëzve të Pandit atë shijen e hidhur që u është krijuar nga shpërfillja e paedukatë për njeriun e tyre të dashur. Të gjithë, absolutisht të gjithë, qofshin këta edhe më të famshmit, e kanë provuar, të paktën një herë në jetë, atë ndjesinë e kotësisë që ndien kur nuk ta vë veshin apo nuk të hedh sytë njeri. Në rastin e Pandit, “heroit të paidentifikuar”, kështu duhet ta ndiejmë veten nga pak të gjithë.