Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Llogaritë e Edi Ramës mbi gërmadhat e INUK

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Armand Shkullaku
Llogaritë e Edi Ramës mbi gërmadhat e INUK

Ruspat e INUK, të furnizuara me energjinë e kryeministrit Rama, kanë nisur dhe po vijojnë një sulm mbi të gjitha ndërtimet, shtesat apo objektet e tjera që janë shtrirë mbi trotuaret e kryeqytetit. Si çdo aksion voluntarist dhe populist i qeverisë përgjatë këtij viti, edhe ky i fundit është i mbështetur në një argumentim goxha bindës për qytetarët. A nuk është zhytur Tirana në një peizazh katastrofik, të pisët, pa rregulla dhe pa hapësira jetike për qytetarët e saj? A nuk po bëhet gjithnjë e më shumë i lodhshëm e i mundimshëm qyteti për banorët e tij? A duhet ndërhyrë që të paktën hapësira publike të çlirohet disi dhe rrugët e trotuaret të marrin një formë të pranueshme urbane? Aksioni i INUK është një përgjigje për këtë pyetje dhe në këtë kontekst, askush nuk mund të thotë se nuk duhej ndërhyrë në qytet.

Por ndërhyrja me “urdhër të peshkut” është një gjë dhe projektet e studiuara të qeverisë janë diçka tjetër. Është e lehtë të japësh një urdhër si dikur në aksionet e Enverit dhe kërkon tepër punë të planifikosh efektet që ato kanë në të ardhmen. Për kryeministrin Rama, i cili si filozofi qeverisëse njeh vetëm atë me të cilën ka vepruar si kryetar bashkie i Tiranës, duket se ka mjaftuar vetëm ideja e peizazhit të ri që do të përftohet pas shembjeve dhe ai t’i hyjë me kokë një ndërmarrjeje të tillë. Vullneti i tij, i mbështetur në modelin me të cilin ka bërë përpara në politikë, është përcaktues më shumë sesa faturat ekonomike, pasojat sociale, respektimi i ligjit dhe dimensioni human që duhet të kishte një qeverisje e majtë. Kështu ka ndodhur kur i hiqte vijat vetë si kryetar bashkie mbi trupin e kryeqytetit, kur shembi kioskat e mbolli pallatet, kur ngushtoi trotuaret të cilat po i liron sot, kur mbuloi me beton hapësira të gjelbra e monumente kulture. Të gjitha i bëri në emër të estetikës urbane, gjithnjë me aksion, me kontribute vullnetare dhe falë bujarisë së biznesmenëve që i ka sot në grupin parlamentar. Kështu po vepron edhe në këto 12 muaj, ku shembja e ndërtimeve, monumenteve, kioskave e deri tek rregullimi i Kryeministrisë, janë fryt i vullnetit të tij personal.

Kryeministri sigurisht që llogarit një efekt nga këto aksione të tij. Sulmi i fundit i INUK mund t’i sjellë shpejt rezultatet që pret. Një sistemim, qoftë edhe i përkohshëm, i kryeqytetit është i mirëpritur nga qytetarët. Hidhërimi i pronarëve të kateve të poshtme, shpërpjesëtohet menjëherë me kënaqësinë e kateve të mësipërme. Në fushatën e afërt për zgjedhjet lokale, kryeministri mund të shpërndajë kartolinën e imazhit të ri duke treguar edhe fotografitë e vjetra, siç pati bërë me godinën e Kryeministrisë. Në një llogaritje të thjeshtë duket sikur nga disa prishje, më shumë fitohet simpati sesa krijohen probleme.

Por, a mund të veprojë një kryeministër me një logjikë kaq populiste e madje dhe naive, duke menduar vetëm për efektet afatshkurtra dhe jo për politika të qëndrueshme? Punët e bëra me aksion shpesh prodhojnë më shumë probleme sesa i zgjidhin ato. Një kryeministër nuk e ka të vështirë të urdhërojë trupat e tij t’u hyjnë kioskave, tezgave e shtesave të kateve. E ka fuqinë për ta bërë këtë, ashtu si edhe lehtësinë për të shijuar veprën e tij të imazhit të ndryshuar. Por një kryeministër duhet të bëjë edhe llogaritë e faturës ekonomike që vjen më pas. Është detyrë e qeverisë që jo vetëm të planifikojë, por edhe të informojë qytetarët e saj mbi prioritetet e vendimeve që merr. Janë shumë pikëpyetje që ngrihen nga ky aksion i INUK në Tiranë dhe nga fushata për ndryshimin e pamjes së qendrave kryesore të qyteteve të tjera. A duheshin bërë në këtë kohë apo mund të shtyheshin për një periudhë tjetër, kur vendi të kishte garantuar një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik, papunësia të ulej dhe investimet publike të rriteshin. Të prishësh është një gjë dhe të garantosh mundësi jetese për njerëzit është një gjë shumë herë më e madhe. Për këtë duhet të mendojë në radhë të parë një qeveri.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rreth 30 për qind e familjeve shqiptare kanë së paku një borxh për të paguar. Dhe pjesë e kësaj shifre goxha të lartë janë edhe ato familje që kanë marrë borxhe apo kredi për të mbajtur në këmbë bizneset modeste që sot po iu prishen. Po nga i njëjti burim zyrtar rezulton se 27 për qind e individëve të aftë për punë janë të vetëpunësuar (në shërbime kryesisht) dhe 25 për qind punojnë në sektorin privat. Do të ishte shumë e dobishme dhe e ndershme nga ana e qeverisë të bënte publike numrin e bizneseve që mbyllen si pasojë e aksionit të prishjeve, numrin e atyre që humbasin një vend pune, si dhe projektin se si do të rikuperohen këto të ardhura për një numër jo të vogël familjesh. Sigurisht që fakti që një numër njerëzish e fitojnë jetesën nga shërbimet në objekte të ngritura pa leje apo në kundërshtim me planifikimin urban, nuk është certifikatë për legalizimin e tyre. Por ndërhyrja duhet të ishte e mbështetur në një plan të studiuar dhe jo në urdhrin “mos t’i shoh më këto shëmtira në rrugët e Tiranës”. Do të ishte mirë, pse jo, që qeveria të ulej dhe me Bashkinë e Tiranës për të hartuar një strategji të përbashkët që edhe qytetin ta çlironte, por edhe të gjente alternativa për njerëzit që do të prekeshin nga kjo ndërhyrje e madhe. Kjo nuk ndodhi dhe as që mendohej të ndodhte. Kryeministri kërkoi pikërisht të vinte bashkinë përballë faktit të kryer, të ishte ai “çlirimtari” madje edhe i hapësirave që vetë i kishte pushtuar dikur me firmën e tij, të dëshmonte edhe njëherë se vetëm falë vullnetit të tij personal mund të ndryshohet ky vend. E për të provuar shijen e një kënaqësie të tillë, çfarë rëndësie kanë prioritetet e zhvillimit apo faturat ekonomike?! Trofeu i rrënojave dhe i makijazhit që do të vijë më pas i takon Edi Ramës. Është kampion i këtij sporti, pavarësisht se është votuar për një tjetër sfidë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama