Në faqen 36 të të përjavshmes londineze "The Economist", diku midis shkrimeve të rubrikës së përhershme "Europe", syri të zinte një ndreqje gabimesh, ku thuhej: "Në numrin tonë të shkuar, në hartën që shoqëronte raportin special mbi zgjerimin e BE-së, është ngatërruar kot më kot Sllovenia me Sllovakinë. Në atë raport thuhej gjithashtu gabimisht se Turqia dhe Kroacia janë në fazën e aplikimit për anëtarësim në BE, ndërkohë që të dyja këto vende janë në fazën e negociatave për anëtarësim. Ju kërkojmë falje". Nuk është hera e parë që "The Economist" bën një ‘mea culpa‘ të tillë në faqet e saj. Sa herë qëllon që publikohet ndonjë lajthitje (nuk është se qëllon shpesh kjo gjë), në numrin pasardhës vjen menjëherë korrektimi.
Duke u ndalur te rasti në fjalë, gabimi i parë, domethënë ngatërresa e Sllovenisë me Sllovakinë në hartën e zgjerimit të BE-së, është sipas të gjitha gjasave një ‘lapsus calami‘, ndërsa gabimi i dytë bën vaki që ka ardhur prej padijes së gazetarit, gjë që duhet t‘i ketë bërë drejtuesit e njërës prej revistave më të famshme të planetit të ndihen keq. Në të vërtetë, një reviste të tillë, e cila kalon në duart e miliona lexuesve dhe shkrimet e së cilës mbajnë firmën (edhe pse emrat nuk shfaqen) e njerëzve me know how të admirueshëm, nuk i falet një gabim i tillë. E për këtë arsye, atë ndreqje gabimesh - sipas meje - duhet ta kishte bërë me gërma më të mëdha e duhej ta kish vënë në një vend më të dukshëm.
Afërmendsh, nuk kam për qëllim t‘i mëshoj kësaj "lajthitjeje" më shumë se sa kaq. Edhe kjo do të më duhej; do të ishte kot më kot pretencioze, nëse do t‘i lejoja vetes të theksoja një njollëz në sfondin e qelibartë të kësaj reviste, në një kohë që unë i përkas një bote mass-mediatike, ku i gjithë sfondi është një njollë gjigande e ku tek-tuk mund të dallosh ndonjë stërkalë të qelibartë. Dhe me këtë që sapo thashë, gjej rast të hyj në temë.
Pas shumë kohësh, vetëm dje më zynë sytë në gazetën "Shqip" (faqen 7), që më në fund ishte shkruar saktë fjala "konvaleshencë". Deri më dje, gati në të gjithë artikujt e shkrimet që kanë patur të bëjnë me të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit e me strehimin e tyre të përkohshëm në shtëpinë qeveritare të pushimit, kjo fjalë është shkruar gabimisht. Nga ca e ca është shkruar "kavaleshencë" e nga ca e ca të tjerë është shkruar "kovaleshencë", dhe është e çuditshme se si askush nga drejtuesit e gazetave nuk ka marrë mundimin të bëjë verifikimin e duhur nëpër fjalorë. Nëse nuk janë mësuar të shfletojnë fjalorë të gjuhëve të huaja (kemi të bëjmë me një fjalë të huazuar nga gjuhët e huaja), do të mjaftonte të shfletonin edhe "fjalorin e gjuhës së sotme shqipe", botim i vitit 1980, në të cilin kjo fjalë është shkruar ashtu si duhet: konvaleshencë. Por as këtë nuk e kanë bërë. Me sa duket, janë aq të sigurtë në dijet e tyre të dyshimta (kështu ndodh gjithmonë: njerëzit me dije të dyshimta janë më të sigurtë se sa njerëzit me dije të sigurta), sa e konsiderojnë të tepërt e të kotë humbjen e kohës për verifikimin e riverifikimin e gjërave, që kujtojnë se njohin njëherë e mirë. Dhe është për të vënë duart në kokë, kur mendon se nuk kemi të bëjmë me një gjë, që i ka shpëtuar vetëm një njeriu a vetëm dy njerëzve; përkundrazi, kemi të bëjmë me një lajthitje që është përsëritur ditë pas dite e nga të gjitha gazetat, duke iu përvjedhur "syçeltësisë" së një ushtrie të tërë të përbërë nga gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, korrektorë.
Të kuptohemi, nuk është fjala për humbje syçeltësie. Është fjala për një gabim të bërë prej një padijeje të fortifikuar për një kohë të gjatë, në harkun e të cilës mendjet përtace të shumë njerëzve nuk dinë e nuk duan të bëjnë verifikimin e ca dijeve të marra këmbëngulshëm e ditë pas dite, e të cilat bash për këtë arsye janë të qëndrueshme par excellence e tërësisht të kalcifikuara në trurin e tyre. Le ta themi troç: kemi të bëjmë me një tabiat të paditurish. Vetëm këta të fundit vijojnë t‘i thonë arbitrit albitër, off-side-it (ovsaidit) opsaq, kioskës qoskë, vagabondit bagabond, corner-it korne, pasaportës pashaportë, somnambulit samnambul, etj, etj.
***
Gabimi koral në përdorimin e fjalës "konvaleshencë" mund të trajtohet si një çikërrimë, me të cilën nuk ia vlen të merresh. Por në fakt, nuk është hiç kështu. Ky nuk është thjesht një gabim, që ngacmon vetëm njerëzit e lexuesit me shije sqimatare. Përkundrazi, është një gabim, që nxjerr zbuluar një padije dramatike, gjë që të bën ta shohësh gjithë botën mass-media-tike me dyshim e pa respekt. Personalisht, jam i prirur të besoj se në themel të të gjitha problemeve të kësaj bote nuk qëndron - siç mund të mendohet - kontrolli i kësaj bote nga ana e financuesve të saj dhe nga ana e politikës, por qëndron para së gjithash e mbi të gjitha shkujdesja e padija endemike e kapilare e punëtorëve të mass-media-s. Madje, kemi të gjitha arsyet të besojmë se është në radhë të parë kjo shkujdesje e kjo padije që prodhojnë e legjitimojnë kontrollin e mass-media-s nga ana e padronëve dhe e politikës.
Nuk ka dyshim që padronët e gazetave e të televizioneve shqiptare nuk kanë ndërmend të zbresin vullnetmirë nga froni i sundimtarit të kësaj bote (ata nuk kanë e nuk pritet të kenë asnjë fije prej shpirtit mecenat të padronëve të "News-week"-ut, të "The New-Yorker"-it, të "The Economist"-it, të "Washington Post"-it etj, etj), por nuk do të ishte e drejtë që të gjitha mëkatet e mass-media-s shqiptare të lidhen ekskluzivisht me ta. Nuk janë ata që po e tabloid-izojnë në mënyrën më të shëmtuar shtypin tonë nacional, nuk janë ata që hapin rubrika të përditshme me tituj bulevardeskë e të mbushura me lajme-hedhurina, apo që kanë shpikur edicione speciale, të cilat i kushtohen harbimit nëpër pub-et e Tiranës (nuk është faji i atyre që harbojnë; është faji i atyre që gjurmojnë harbimin, e që këtë duan ta shesin për gazetari).
Sigurisht, janë padronët që lejojnë, porosisin e urdhërojnë gazetarët për të ndjekur politikanët në të gjitha lëvizjet e tyre e për të pasqyruar gjithçka që ata thonë, por nga ana tjetër nuk di të ketë ndonjë rast, kur një gazetar, redaktor a kryeredaktor t‘u ketë thënë: "Të dashur padronë, nuk ka pikën e kuptimit që ne të transmetojmë çdo ditë në edicionet informative vizitat e kryetarit të Partisë Socialiste nëpër fshatrat e Shqipërisë, ecejaket e kryetarit të LSI-së në zonën e tij elektorale, shiritat e prerë nga Kryeministri për investimet e pambyllura; nuk ka pikën e kuptimit që ne të transmetojmë të gjitha fjalimet e Kryeministrit në mbledhjet e qeverisë, të gjitha mbledhjet e forumeve të partive, të gjitha dënglat e broçkullat e lëshuara nga njëri apo tjetri politikan; nuk ka kuptim që të konsiderohet lajm thjesht fakti që një politikan pret dikë në zyrë, apo që ai del nga zyra".
Ky është minimumi që mund t‘u kërkohet padronëve (në rrethanat, kur janë këta të fundit që e urdhërojnë këtë sjellje gazetareske); e mund t‘u kërkohet edhe në respekt të atyre që na ndjekin e na lexojnë, edhe në respekt të profesionit që ushtrojmë. Por këtë mund e duhet ta bëjnë të gjithë ata, që nuk e kanë humbur e nuk mund ta humbin kontaktin me librat e me dijen; mund e duhet ta bëjnë të gjithë ata, që përpara priviligjeve e favoreve të ardhura prej raporteve konfidenciale me padronët e me politikanët, dinë të vënë pasionin për profesionin e tyre. Këtë pra nuk mund ta bëjnë gazetarët e paditur, nuk mund ta bëjnë ata që konvaleshencës i thonë kovaleshencë apo kavaleshencë.