Kam lexuar me qindra, ndoshta me mijëra libra, por nuk kisha lexuar asgjë nga Mira Meksi. Jo se e kam paragjykuar. Po ta kisha paragjykuar, si femër që është dhe ndërkohë që dihet se unë për femrat vdes, do ta kisha paragjykuar pozitivisht, dhe do t’i kisha lexuar çdo gërmë.
Mira Meksin e kam refuzuar me intuitë.
Por mesazhet e intuitës janë si pohimet e magjistricës, edhe të vërteta edhe të rrejshme, që duhen verifikuar.
Intervista të pafundme dhe çarçafë të tërë nëpër gazeta për romanin e fundit të Mira Meksit.
Rast i mirë për ta verifikuar intuitën refuzuese.
Se përse i është dukur e arsyeshme që ta ofendojë lexuesin që në faqen e parë duke i treguar se ku ndodhen Apollonia, Dyrrahu, Lissusi dhe të tjera vende antike në truallin e të parëve tanë, këtë, i vetmi njeri në botë që e di është Mira Meksi.
Fill pas këtij ofendimi, vjen i dyti ofendim, pakrahasimisht më i rëndë se i pari. Parathënie e shkruar nga, luaj venit, vetë Mira Meksi. Autoreferencialiteti që arrin deri tek shkruajtja e parathënies spjeguese, dhe rrjedhimisht ofenduese, nga vetë autorja është një krrupje aq e neveritëshme sa tanpërtani refuzoj ta interpretoj, ndoshta do ta bëj në një shkrim tjetër.
“Qysh kur nisa të merresha seriozisht me letërsi…” e nis Mira Meksi parathënien e vet për librin e vet duke lënë të nënkuptuar se me letërsi ka nisur të merret seriozisht në një farë moshe, që, me gjasa, do ketë qënë adoleshenca.
Ende e paqartësuar plotësisht, por fakt është se fëmijët që shkruajnë apo i bien pianos apo violinës, e bëjnë këtë me më tepër seriozitet se të rriturit. Kur, si dhe pse ndodhi moj Mira, me gjasa gjatë fëmijërisë tënde, që qënke marrë jo-seriozisht me Letërsi, dhe pse e shkruan “letërsi” me “l” të voglël ?
Po t’i bëj këto pyetje dhe të tjera në vazhdim, se asgjë nuk mund të jetë e bukur pa qënë, së pari, korrekte logjikisht.
Në vazhdim të parathënies së shkruar vetë, Mira Meksi thotë se projekti i rëndësishëm për një roman për Teutën e Ilirisë i ka ardhur nga një pasion i hershëm i fëmijërisë, “Pasion që, sigurisht, ishte rritur me kalimin e viteve, duke u bërë më i plotë dhe më i pasur…”
O Mira, Pasioni nuk rritet, nuk zbritet, nuk plotsohet, nuk zvogëlohet, nuk mbushet, nuk zbrazet, nuk pasurohet, nuk varfërohet. Pasioni nuk ka asnjë lidhje me sasinë, qoftë edhe kohore. Pasioni është vetëm cilësi, zjarr që ndez trurin, që djeg gjoksin eternalisht, para se lind e pasi vdes. Këto që thua ti Mira për pasionin janë dëngla moralistike që nuk t’i beson askush dhe nuk t’i lexon asnjeri.
“Ajo që ma pati zgjuar pasionin e parë ishte një mjegullinë misteri që e vishte Teutën nga të gjitha anët…”.
Sipas Mira Meksit pasioni, përderisa zgjohet, edhe fle, ndërsa mjegullina dhe misteri, përderisa vishen, edhe çvishen.
Çfarë ndryshimi kanë mjegullina dhe misteri ? A ka mjegullinë pa mister apo mister pa mjegullinë ? A është e mundur që një mister ta rrethojë diçka jo nga të gjitha anët por vetëm nga disa anë ?
“Dikur më zuri veshi se Teuta (mbretëresaha legjendare) kishte pas qënë edhe pirate…”
Të lumtë Mira Meksi. Ja ke marrë anën, ja ke kapur fillin. “Çfarë të zë veshi” është një gurrë e pashtershme e të bërit letërsi të keqe me shpresë të kotë se do ketë nam të mirë.
“Nuk ekziston asnjë statujë e vërtetë e saj (Teutës), asnjë monedhë, asnjë objekt,që ta ketë prekur me dorën e saj. Dukej se shkrimi i një romani historik për Teutën e Ilirisë ishte thjesht i pamundur.”
Por ti Mira Meksi, si shkrimtare heroike që je, nuk u mposhte, nuk u tute, vazhdove, e shkruajte.
“Kështu nis rrugëtimi im i gjatë përmes mijëra faqeve të autorëve të lashtë dhe modernë…”.
Mira, mblidh mendjen, mund të rrugëtosh edhe nëpër miliona faqe, t’i takosh e të llafosesh me të 7 miliardë banorët e planetit një nga një, t’i biesh qark Universit me miliarda kilometra, dhe rendimenti letrar të jetë zero, po ashtu si, ta zemë Emanuel Kanti, nuk doli kurrë nga katundi ku lindi dhe shkroi kryevepra.
“Ishim gra, Teuta dhe unë”.
Ua sa afër e afër Teuta Mbretëreshë e Ilirisë së lavdishme me ty mbretëreshë e Letërsisë së keqe.
“grumbuj fjalësh të vjetra të shqipes, por edhe të greqishtes së vjetër të përzjera me rrënjët e shqipes, të cilat do t’i përdorja për të krijuar klimën e ngjarjeve në romanin tim, sigurisht gjer në atë masë sa të mos e lodhja lexuesin tim, duke ia vështirësuar leximin”.
Mira, mos fol marrëzira. Me grumbuj fjalësh, për më tepër të përzjera, nuk mund të krijosh dot asnjë “klimë ngjarjesh”. Me grumbuj fjalësh mund të krijosh vetëm grumbuj budallallëqesh që e lodhin dhe e stërlodhin, e mërzitin dhe e stërmërzitin lexuesin, edhe kjo nëse dikush, ndonjë budalla si puna ime për shembull, do marri mundimin ta lexojë.
“mbretëresha Teutë…me bëmat e saj…(bëri të mundur) hapjen e një faqeje të re ne historinë e botës; perëndimin e Greqisë dhe daljen në skenë të Romës”.
Për të qeshur sa duhet me këto budallallëqe duhen kushte. Shëndet së pari, që të mos ndali zemra dhe të mos shpërthejë gjaku nga brimat e veshëve. Të jesh në qejf se i ke punët në vijë. Ta kesh rrogën të paktën nja 5 mijë Euro në muaj. Unë nuk plotësoj asnjë nga këto kushte, prandaj nuk po qesh aspak por po vazhdoj leximin e auto-parathënies.
Po vazhdoj për të vazhduar, por përpara më del një tmerr tjetër, këtë herë kriminal;
“Ideali i Teutës për të pushtuar Greqinë, vendin e saj shpirtëror për të krijuar mbretërinë iliro-greke….”,
Çame kaq e përdëllyer për Greqinë ?! Shqiptare që identifikon shqiptarin dhe Ilirinë me gjarpërin dhe gjarpërinë ?! Ah jo ! Kjo e kalon çdo kufi ! Ky pohim sa i pavërtetë, i paturpshëm dhe i pandershëm, antipatriotik, antiintelektual dhe antishqiptar, është një det me helm, është një mal me pleh që Mira Meksi e hedh mbi vendin e vet. Është një tmerr pa kufi, i cili tmerr e lemeri, në të kundërt me paraardhësin e sipërpërmendur, nuk lyp qeshje por qarje, kujë dhe ulurima, një tomorr me dhimbje, një shkumbin me lot, dhe këtu ky lexim e ky shkrim duhen ndalur. Por meqënse iu futëm, le ta zgjasim dhe pak.
Pak më poshtë Mira e llallallave letrareske thotë se; “jam përpjekur të ndërtoj për së brendëshmi atë botë (Ilirët dhe Teutën e Ilirisë) që arkeologët e ndërtojnë për së jashtëmi”. Arkeologët nuk ndërtojnë, ata veçse gërmojnë dhe zbulojnë, por në një parathënie të shkruar vetë budallallëku s’ka fund, dhe le të kalojmë në faqen e parë të romanit.
Në rreshtin e parë të faqes e parë të romanit të priftëreshës së budallallëqeve Mira Meksi, si e kërkon edhe kujdesi më minimal profesional, mu aty ku autorja do duhej të kishte bërë më tepër kujdes së kudo tjetër, ja fut si miza elefantit; Mbretëresha Teutë “e priti agimin në pirgun më të lartë të fortesës”.
O Mira, ti nuk ke asnjë ide si janë fortesat, dhe nuk bën asnjë dallim mes fortesës dhe kështjellës. Fortesa është një ngrehinë e vogël zakonisht rrethore me mure të trasha që ka shërbyer kryesisht për vrojtime. Kështjella është e madhe. Përveç pirgjeve të kufomave gjatë luftrave, që rasti nuk është ky, kështjella as fortesa nuk kanë pirgje, kanë kulla, bedena, shkallë, depo armatimesh, depo uji, dhe nga brenda janë të sheshta.
S’kanë fund gomarllëqet e tua o Mira.
Po në faqen e parë; “(Teuta) me orë të tëra prapa strehës së një mazgalle, kishte vigjëluar pa shumë shpresë, shkrepëtimën e dritës në qiellin e agut, përmes një rrebeshi shiu e suferine që kishin përmbytur botën”.
Asnjë Mbretëreshë apo princeshë, reale apo fictionare, s’ka pse rri me orë të tëra, prapa strehës së një mazgalle. Cila është ana e pasme e një strehe ?! Streha ka anë të sipërme dhe të poshtëme, nuk ka anë të parme dhe të mbrapme. Çfarë është një mazgallë në një fortesë ? Të presësh me orë të tëra në çfarëdolloj mënyre shkrepëtimën e dritës në qiellin e agut kur rrebeshi i shiut dhe suferina kanë mbytur botën, i bie që Teuta jote të ketë qënë një budallaqe.
Asnjë stil, asnjë sugjestion, asnjë energji, mediokritet i gjallë, boll me parathënien e shkruar vetë dhe faqen e parë.
S’kam pse e pi të tërë Adriatikun për të mësuar se uji i detit është i kripur. Mjafton të prek një pikë me majën e gjuhës.
Para llaftarive letrareske të Mira Meksit gërrhitjet verbale dhe grafologjike të analfabetëve funksionalë janë Mozart e shkuar Mozartit.
Intuita pra s’më ka tradhëtuar. Sa mirë paskam bërë që gjatë viteve s’kam lexuar asgjë nga Mira Meksi, kjo grafomane.