Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zogu i Blendit

Shkruar nga: Edison Ypi  
Botuar më: 11 vite më parë

Edison Ypi
Zogu i Blendit

Zogu i Blendit që doli këto ditë në qarkullim po provon se Fevziu është një zogolog me vlerë.

Por jo më i madhi. Më i madh zogolog shqiptar dhe botëror është një tjetër, Lasgushi, i cili Zogut të vet i ka kushtuar vargjet monumentale;

Psherëtin më zë të tij

Jet’ e trembur se mos vdesi.

Prej të cilave vargje, siç del qartë, Zogu i Lasgushit vetëm sa i ka dhënë në përdorim zërin e vet Jetës së të tjerëve për të psherëtirë nga frika se mos vdesi, ndërsa vetë Zogu i Lasgushit nuk ka frikë nga asnjë vdekje.

Një tjetër zog, të cilit, me sa thonë, zogun nuk e përdor, Robert Elsi, vargjet e sipërpërpërmendura të Zogut të Lasgushit, i ka përkthyer kështu;

Letting out a faint sigh,
Frightened to leave this life

Pra Zogu i Elsit, Zogun e Lasgushit ja ka përcjellë botës anglishtfolëse katastrofikisht të përmbysur, duke e paraqitur sikur Zogu i Lasgushit qan nga frika se mos vdesi vetë, çka është një përdhosje e pashoqe e zogjve dhe zogologjisë shqiptare për të cilën Elsi ekzekutimin me tytën e kobures brenda në gojën plot me bukë e mish e ka pak.

Po ashtu si letërsia fictionare që lyp pak dokumentim, edhe letërsia dokumentare si kjo që praktikon Zogu i Blendit, kërkon pak artisticizim, stil.

Zogu i Blendit shkruan sikur flet në televizion. Çka është shumë mirë. Tregon se Zogu i Blendit nuk e tradhëton Fevziun e Opinion-it, dhe po ashtu si Zogu i Lasgushit, për jetët e të tjerëve, psherëtin, ndonjëherë edhe qan, dhe frikë nuk ka.

Por meqënse Zogut tim nuk i rri bytha rehat po s’vuri në dukje ndonjë lapsus a gabim, ja disa lajthitje nga libri i fundit i Zogut të Blendit.

Që në “Dedikim” Zogu i Blendit thotë se po ashtu si Zogu i Napoleonit dhe Zogu i Ahmetit, edhe Zogu i Blendit, asgjë të kësaj bote nuk e konsideron të pamundur. Gjaku kolonjar nga nëna, dhe asnjë rrethanë tjetër favorizuese, nuk e justifikojnë dot këtë çartje paralelizuese autoreferenciale.

Pak më tej Zogut të Blendit i ka rrëshqitur një batërdi kronologjike;

“Ishin orët e para të mëngjezit, ose herët në mëngjez, ose dhe drekë”, dëshmitarët janë konfuzë.

O Zog i Blendit, dëshmitarët, të cilët thonë e shkruajnë ç’kanë parë a dëgjuar, konfuzionin, nuk mund ta bëjnë dot veç e veç, e bëjnë të gjithë bashkë kur dëshmitë e tyre bashkohen. Dhe të lutem mos e ngatërro “mesditën”, që është term kronologjik, me “drekën” që është vakt për tu ngrënë.

Sipas Zogut të Blendit, fill pasi kaloi kufirin në Kapështicë, Zogu i Ahmetit thellë-thellë e dinte se ky ishte një moment kur gurët e fatit nuk i kishte më në dorë ai.

Çfarë janë këta gurë fati në arratisje e sipër o burr’ i dheut ? Sa kohë fati është fat, si mund të kihen në dorë apo mbahen nën kontroll tekat, kthesat, të papriturat, apo si i quan ti me një fjalë që s’dihet se nga të ka ardhur, “gurët” e tij ? Nëse gjatë një akti kaq dramtik si është arratisja, Zogu i Ahmetit do ishte menduar “thellë-thellë”, do kishte mbetur përgjithmonë “cekët-cekët”, e shumta ndonjë rreshter xhandarmërie, Mbret nuk do ishte bërë kurrë

Kur Geraldina, sipas kujtimeve të saj, paska zbarkuar për herë të parë në Durrës, duke j’u afruar bregut paska vështruar muret romake dhe veneciane, dhe prapa maleve shkëmbinj të lartë graniti gri.

Luaj vendit Zog’ i Blendit. Ose ja ka myt kot ndonjë përkthyes, ose ja fut pordhës la promessa sposa. Në Durrës nuk ka asnjë mal e asnjë shkëmb. Ajo që Gerladinës në këtë përfytyrim homerik i është dukur mal nga larg, e pamundur të mos e ketë konstatuar nga afër se është thjesht një kodër argjilore. Pas asaj kodre në anën lindore ndodhet qyteti i Durrësit, fundosur disa herë ndër shekuj, pikërisht sepse mali në mendjen e Mbretëreshës së ardhme është argjil e aspak shkëmb. Aq e vërtetë është kjo, sa sot e kësaj dite nga ana perëndimore, nga ana e Currilave, kodra argjilore rrjedh e rrjedh pa u ndalur baltë në det.

Po aty, Geraldinës 21 vjeçe dhe të emocionuar na i qënkish fanepsur se duke ardhur në Shqipëri për tu martuar me Mbretin paska besuar në një “happy end”. Çne ky term hollivudian në këtë kontekst ? Është vërtet për të ardhur keq që Mbretëresha jonë paska bërë gafa të tilla shumë nën nivelin e gossip-ave të sotëm.

Natën e parë të martesës Geraldinës i qënkan dridhur duart nga emocionet dhe i ka rënë nga dora gota e kristaltë e shampanjës e i qënka thyer në mijëra copra të vogla dhe aty e kuptoi se kishte rënë në dashuri. Duket si tepër vonë, madje dhe e padenjë, të biesh në dashuri me një Mbret natën e martesës.

Diku më poshtë, jo për faj të Zogut të Blendit natyrisht, vazhdojnë pjesë nga biografia e Geraldinës me breçka, dantella, perla, të dhuruara nga Mbreti. Hungarezja nuk duket sikur ka lindur e është rritur në Budapest por në një kavanoz. Këto lajthitje autobiografike mund të ishin evituar.

E panjohur dhe e zbehtë, jeta e Zogut të Ahmetit në Vjenë mbetët për tu dokumentuar” thotë diku Zogu i Blendit.

Nëse edhe e panjohur edhe e zbehtë, pse duhet pritur të dokumentohet ?!

Dhe fill fjalia tjetër; “Por veç kësaj (e panjohur dhe e zbehtë), ajo (jeta e Zogut të Ahmetit në Vjenë) luajti një rol vendimtar në formimin dhe vendimet e mëpasme për modernizimin e Shqipërisë.

Se si një jetë e panjohur dhe zbehtë, që për më tepër, pritet të dokumetohet, luajti një rol vendimtar më vonë, ndonjë tjetër mundet, por unë këtë nuk e kuptoj dot kurrsesi.

Sipas Zogut të Blendit, asnjë prej 50 delegatëve të Kongresit të Lushnjës nuk e dinte se pa dashje po hynte në një nga mbledhjet më të rëndësishme të Historisë së Shqipërisë.

Cili delegat, në cilën mbledhje në Shqipëri a në botë, mund ta dijë paraprakisht sa e rëndësishme do jetë një mbledhje në të ardhmen ? Askush ! Por mesa duket Zogu i Blendit j’a paska arritur të depërtojë në të 50 mendjet e delegatëve, dhe ka dalë në përfundimin që asnjëra prej këtyre mendjeve nuk e ka nuhatur të ardhmen, s’kemi pse të mos e pranojmë se nuk është e vërtetë.

Askush, thotë diku Zogu i Blendit, nuk di të thotë sa i sinqertë ishte Zogu.

Ah, jo. Nëse nuk e di Zogu i Blendit, e di Zogu im sa i sinqertë ka qënë Zogu i Ahmetit. Nuk ishte kurrë i sinqertë. Jo se s’deshte, por sepse s’mundëte.

E të tjera e të tjera.

Por Zogu i Blendit duhet lexuar patjetër.

Për të mësuar plot gjëra.

Se përvoja e sotme e deputetëve banditë, nuk është aspak e re. Ka nisur fill kur komunisti që vrau pas shpine Esat Pashën u shpall hero dhe bëri çorap gjithçka.

Për të kuptuar, se ndryshe nga e tashmja kur atentatet bëhen të gjitha për pare nga zengjinët e rinj, në të kaluarën atentatet janë bërë të gjitha për politikë nga zengjinët e vjetër.

Zogu i Blendit na provon me fakte ose na sjell në mendje çfarë janë efektivisht zogjtë e shumtë të atëhershëm dhe të tashëm të Shqipërisë;

Zogu i Ismail Qemalit, laraskë Turqie.

Zogu i Faik Konicës, trumcak restorantesh Amerike.

Zogu i Nolit, harabel jo dhe aq poetik përderisa, siç del nga libri i Zogut të Blendit, paska komplotuar për ta vrarë Zogun e Ahmetit.

Zogu i Lasgushit, Zog’i Qiejve.

Zogu i Eqerem Bej Vlorës, Zgalem që paralajmëroi furtunë.

Zogu i Migjenit, Nosit ngordhalaq.

Zogu i kurvit, kukuvajkë vdekjeje.

Zogu i Doktorit, Zhgabë shumkrenare që ndërtoi rrugë e tunele, dhe pas pak do kthehet si Zogu i Ahmetit.

Zogu i Edi Ramës, si Zogu i Fan Nolit me ca variacione.

Zogu im, Zog qyqeje që merret me këto budallallëqe.

Por kryesorja pse duhet lexuar libri i Zogut të Blendit është se i ka dhënë përgjigje një pyetjeje. Pyetjes së mbetur pezull për një kohë të gjatë për botën dhe jetën. Të cilat janë ashtu si janë e jo ashtu si u janë dukur zogjve të tjerë përmes lenteve të delireve. Këtë e dinte dhe e zbatonte me mirë se gjithkush tjetër Zogu i Ahmetit, që psherëtin me zë të tij në librin e Zogut të Blendit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama