Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duhet te kemi ndopak mirekuptim per kolaboracionistet?

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 11 vite më parë

Mustafa Nano
Duhet te kemi ndopak mirekuptim per kolaboracionistet?

Ka një numër studiuesish që nuk duket se kanë ndërdyshje kur vjen puna te vlerësimi i kolaboracionistëve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata janë të sigurt se këta kolaboracionistë e kanë vendin apriori në koshin e historisë, dhe në pamje të parë duket se vetë kjo e fundit, historia pra, u jep të drejtë.

Kolaboracionistët janë dënuar kudo gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore. Shembullin e norvegjezëve që dënuan me vdekje Vidkun Quisling-un, prej të cilit lindi damkosja “kuisling”, e ndoqën pothuaj të gjithë. Regjimet e pas Luftës II, edhe kur nuk mundën t’i dënonin kolaboracionistët (një pjesë e këtyre ia dolën t’i braktisnin në kohë vendet e tyre), dënuan megjithatë kolaboracionizmin. Këtë gjë e bënë si regjimet demokratike, ashtu dhe ato komuniste, mes të cilave ishte dhe regjimi i Enver Hoxhës. Në këtë kuptim pra Enver Hoxha nuk përbënte një risi, a një përjashtim. Risi e përjashtim ka qenë jo dënimi i kolaboracionistëve, por zelli për dhunë të shpërpjesëtimuar që ai ka ushtruar për të mbajtur më këmbë regjimin e tij. Por kjo dhunë nuk është se u ushtrua veç ndaj kolaboracionistëve. U ushtrua, me logjikën trillane të diktatorit shqiptar, ndaj të gjithëve.

Mbetemi te kolaboracionistët shqiptarë, megjithatë. Por në fillim “po ngutem” të bëj dy nënvizime, me të cilat opinioni mainstream e ka të kollajtë të bjerë dakord. Së pari, kolaboracionizmi në Shqipërinë e Luftës II Botërore është një fakt i provuar dhe i dokumentuar. Është edhe i dënueshëm. Dhe këtë nuk e them në ndjekje të një gjykimi të stereotipizuar, të cilin e ka bërë të vetin edhe historiografia botërore (Nuk ka mbetur kush pa dënuar kolaboracionizmin e kolaboracionistët; edhe në kohët e sotme mendohet për këtë gjë ashtu siç është menduar menjëherë pas Luftës II). Jo, në këtë diskutim përpiqem t’i kontekstualizoj personazhet e ngjarjet, e për rrjedhojë arrij të gjej edhe pakëz mirëkuptim për ata që rezistencën kundër fashizmit apo nazizmit nuk e kanë parë si formë të vetme të shprehjes së qëndrimeve atdhetare. Por më duhet të them se në të gjitha rastet i ndiej më të afërt, sidomos në planin human, ata që zgjodhën të ngrihen kundër pushtuesit nazifashist. Zgjedhjet e tjera, siç ka qenë asnjanësia, apo rreshtimi në frontin kundër komunistëve, që kishin dhënë prova se ishin të rrezikshëm (në Rusi), apo edhe flirti me pushtuesit, mund të shfajësohen deri diku për shkak motivimesh e rrethanash historike, por gjithsesi të bindin shumë më pak se sa zgjedhja e luftës kundër këtij pushtuesi.

Thënë me fjalë të tjera, nuk ka asnjë mënyrë a rrugë që t’i nxjerrë kolaboracionistët të larë nga kjo histori. Nuk ka asgjë, as kultura e tyre, as bëmat në përpjekjet për themelimin e shtetit shqiptar, as motivimet atdhetare që ata i bënë bashkëpunimit me fashistët apo nazistët (e nuk janë fare pa gjë, të paktën në një numër rastesh, këto pretendime të tyret që lidhin të mirën kombëtare me këtë bashkëpunim), e as ndonjë meritë/logjikë tjetër që t’ua heqë këtë njollë prej jetës së tyre. Në këtë kuptim, nuk është e lehtë t’i ndjekësh në arsyetimet e tyre ata që kolaboracionizmin e tyre e shohin si një punë të mençur e të paqme; nuk është e lehtë t’i ndjekësh as ata që kolaboracionizmin e shohin thjesht si një zgjedhje, dhe aq. E prapëseprapë – vijmë tek nënvizimi i dytë – vlerësimi historiografik i çdo kolaboracionisti, edhe në rastin më të bujshëm të kolaboracionizmit, nuk ka pse të ngrihet veç mbi këtë moment të jetës së tyre, s’ka gjë se ky moment është shumë i rëndësishëm. Jeta e të shumtëve mes tyre nuk ka qenë vetëm ky akt, dhe këtyre, edhe pse nuk ka diskutim që kanë qenë kolaboracionistë, nuk u duhen harruar merita e kontribute të tjera të mëparshme e të mëpasshme, në njërën fushë a në tjetrën.

Edhe Philippe Petain-it, që bashkëpunoi qartazi me pushtuesit gjermanë, francezët nuk ia harruan meritat politike e ushtarake. Gjykatat e dënuan me vdekje për tradhti të lartë, por ishte De Gaulle-i që ia uli dënimin në “burg të përjetshëm”, dhe këtë e bëri pra në nderim të kontributeve që Petain-i kish pasur në të mirë të Francës para se t’i thosh truri, në mënyrë trillane kuptohet, që kjo e mirë e Francës, në atë rrethanë konkrete historike, mund të lidhej edhe me pushtimin nazist.

Kolaboracionistët tanë, sidomos disa syresh, kanë në historinë e Shqipërisë kontribute shumë më të mëdha se sa ato që Petain-i ka pasur në historinë e Francës. Historia e Francës nuk ndryshon asnjë çikë nëse prej saj hiqen meritat e bëmat e kreut të regjimit të Vichy-së, apo të bashkëpunëtorëve të tij gjatë Luftës II. Ndërsa historia e Shqipërisë katandiset si mos më keq, nëse prej saj hiqen kontributet në kulturë të Ernest Koliqit, të Mit’hat e Mehdi Frashërit, të Lef Nosit, të Anton Harapit, të Lazër Shantojës, të Mustafa Krujës, të Eqrem Vlorës, etj., etj. Këta janë pionierë të kulturës e themelues të shtetit shqiptar, për rrjedhojë, kanë në historinë tonë atë vend që në historinë e Francës e kanë zënë Rabelais-ja, Montaigne-i, Moliere-i, etj., apo mbretër të ndryshëm. Kjo barabitje mund të tingëllojë si një parodi për historinë e Shqipërisë, por ja që punët kështu janë. Historia e Shqipërisë është historia e Shqipërisë.

Mund të ketë dhe arsye të tjera, që mund të na bëjnë t’i shohim me pakëz mirëkuptim e zemërgjerësi bëmat e kolaboracionistëve tanë, siç mund të jenë antikomunizmi i tyre visheral i pa të sharë, magjepsja prej projektit të një Shqipërie të madhe që premtohej nga nazistët, natyra e tyre jo antisemite (deri dhe Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva, që kanë qenë kukulla në duart e nazistëve, nuk janë shquar për antisemitizëm; përkundrazi), etj., por arsyeja kryesore, sipas meje, ka të bëjë me kontributet e tyre në kohë të ndryshme në të mirë të Shqipërisë dhe me vendin që këto kontribute zënë në historinë e vendit tonë. E prandaj studiuesit tanë do të bënin mirë që, në vëzhgimet e hulumtimet e tyre, të mos ndaleshin veç te çalltisja kolaboracioniste e këtyre personaliteteve, e cila mbetet pa një, pa dy e dënueshme, por ta hapnin konin e shikimit e t’i zbulonin ata në të gjithë dimensionin e tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama