Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Admirimi per ato qe dine te prodhojne lajm

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 10 vite më parë

Mustafa Nano
Admirimi per ato qe dine te prodhojne lajm

Ja se çfarë ka shkruar, mes të tjerash, Albatros Rexhaj në një artikull me titull “Fevziu dhe zhurma pas tij” të publikuar dje në shtypin e Prishtinës: “Është fuqia dhe aftësia e Fevziut për të prodhuar lajm dhe për të krijuar ngjarje, përfshirë këtu edhe ballon e famshme në Pallatin e Brigadave, [që ka prodhuar zhelozinë tipike ballkanike]. Për ta thjeshtëzuar, problemi është te zilia, pse librat e Fevziut po kërkohen nga publiku dhe pse pas Fevziut ngrihet zhurmë dhe jo pas X-it apo Y-it?”. Albatrosi merret në shkrimin e tij me ata që “pretendojnë se gëzojnë monopolin mbi temat, trajtimet e qasjet …[e]…. që mendojnë se mund t’i tregojnë dikujt tjetër se çfarë mund dhe çfarë teme nuk mund të trajtojë… e me ata që e sfidojnë të drejtën e autorit për të shkruar një libër të tillë”. Në këtë pikë, unë jam dakord me Albatrosin e jam solidar me Fevziun, s’ka gjë se nuk më kanë zënë sytë ndonjë shkrim serioz, ku Fevzos t’i jetë kërkuar llogari “pse ka shkruar për Ahmet Zogun në një kohë që është gazetar, e nuk është historian”. Por nuk e përjashtoj që mes nesh, edhe mes sërës së intelektualëve publikë, të ketë njerëz me – po citoj sërish Albatrosin – “tendencën për monopol mbi fjalën e lirinë intelektuale”. Janë të marrë, nëse mendojnë vërtet kështu.

Por ka një moment, ku Albatrosi është zhgënjyes. Është fraza, ku ai thotë, fare pa të keq, se “është fuqia dhe aftësia e Fevziut për të prodhuar lajm dhe për të krijuar ngjarje, përfshirë këtu edhe ballon e famshme në Pallatin e Brigadave, [që ka prodhuar zhelozinë tipike ballkanike]“. Dhe me këtë lë të nënkuptohet se jo vetëm s’e ka qortuar atë lloj përurimi të librit që bëri Fevziu, por përkundrazi, është magjepsur prej asaj balloje të famshme në Pallatin e Brigadave. Që të jem i sinqertë, më lë pa gojë “fuqia e aftësia” (e Albatrosit në këtë rast; por edhe e të tjerëve) për ta mirëkuptuar, madje më keq akoma, për ta idealizuar e admiruar magjinë e dikujt për të prodhuar lajme, e për ta spektakolarizuar deri në kufij absurdë një arritje, një sukses, sidomos një libër. Kësaj i thonë të biesh dakord me bleonaqerreti-zimin e frikshëm të kulturës e të veprimtarisë intelektuale, dhe kjo gjë, edhe sikur të kishim garanci se nuk do të ishte në gjendje ta komprometonte vlerën e charm-in e ideve intelektuale, do duhej refuzuar në emër të një qibre humane.

Nuk kuptohet mirë kjo magjepsje e njerëzve pas aftësisë së dikujt për të prodhuar lajm. Kjo aftësi e disave për ta shndërruar në lajm nacional çdo harbim, zbavitje a vanitet të tyrin është një gjë për t’u kritikuar, e jo për t’u poetizuar. Këtej nga anët tona ka njerëz më të aftë sesa Fevziu në këtë lëmë. Është Bleona po se po, por është dhe një çupë me emrin virtual Kallashi që publikon autoportrete erotike çdo ditë. Ka dhe plot çupa të tjera që bëjnë të njëjtën gjë. Nuk kanë asnjë talent e asnjë meritë këto vajza, por ia dalin të jenë në qendër të vëmendjes në sajë të aftësisë së tyre për të prodhuar lajm, aftësi që Albatrosi e admiron edhe te Fevziu. Unë nuk do doja kurrë që fëmijët e mi të kishin për model të rinj të tillë. Dhe këta bëhen modele sociale jo vetëm nëpërmjet asaj që ata vetë bëjnë (ka njerëz pa fund që duan të shohin cicat e Kallashit, apo të informohen për bëmat urbane të personazheve të Big Brother-it), por edhe nëpërmjet idealizimit të kësaj aftësisë për të bërë lajm. Albatros! Ne nuk duhet të shprehim admirim për ata që dinë të prodhojnë lajm; ne duhet të bëjmë tjetrën, t’i mësojmë e inkurajojmë reporterët e gazetave e televizioneve që të ndjekin shqetësimet reale të vendit e të shoqërisë, e jo të bien në grackën e atyre bandillëve që dinë të prodhojnë lajm. Sepse lajmi i prodhuar nga ata që dinë ta prodhojnë lajm nuk është lajm.

Ka dhe një problem tjetër në këtë mes. Promovimi faraonik i Fevziut u shit si lajmi më i rëndësishëm kombëtar për atë ditë. Dhe në një farë mënyre e gjithë kjo e kish në dukje një logjikë. Atje ishte i gjithë establishmenti politik, kulturor, ekonomik. Dini ju ndonjë ngjarje tjetër, ku bëhen tok Presidenti i Republikës, kreu i qeverisë dhe i mazhorancës, kreu i Parlamentit dhe kreu i opozitës? Me siguri nuk dini, por ja, atë mbrëmje në Pallatin e Brigadave ishin që të gjithë. Në këto rrethana, mendja të thoshte se përurimi i librit të Fevziut (sepse lajmi ky ishte: përurimi i librit të Fevziut) kish arsye të jepej, dhe në fakt u dha, si lajm i parë në edicionet informative të televizioneve shqiptare. Por a ishte publikimi i librit të Fevziut një ngjarje që meritonte këtë vëmendje? Unë nuk e kam lexuar, por edhe sikur në të të flitet për ndonjë revelacion të ri, edhe sikur në të të flitet për ndonjë takim që Fevziu ka pasur me Zotin në majë të malit të Dajtit, nga i cili vetë Fevziu ka zbritur më pas si Moisiu prej Sinait dhe ka shpallur a new Book of the Covenant, interesi do të ishte më i vogël. Jo për ndonjë gjë, por revelacionet fillimisht shihen me dyshim, në mos me armiqësi.

Përurimi i librit të Fevziut pra ishte me hir, me pahir kryelajmi i ditës, por nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi, se në pikëpamje gazetareske, kjo që ka ndodhur është e padrejtë. Qysh nga momenti që është shpikur gazetaria, lajmi më i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me një problem a shqetësim me interes të madh publik e kombëtar, dhe qysh nga momenti që është shpikur televizioni, e lajmet në TV, publikimi i një libri është një lajm që futet në rubrikën e kulturës, që është rubrikë e fundit (e kanë lënë të fundit, si dhe sportin, ngaqë janë rubrika të hareshme e argëtuese; opinioni publik duhet të njihet fillimisht me shqetësimet reale të vendit, e pastaj me lajmet e natyrës kulturore e sportive). Ndërsa këtu te ne, “aftësia e fuqia e Fevziut për të prodhuar lajm”, tok me mendjen marroke të autoriteteve më të larta të vendit, bën të mundur që një libër të shndërrohet në lajmin e parë kombëtar.

Kjo është e padrejtë, gjithnjë në pikëpamje gazetareske, edhe për një arsye tjetër, dhe këtu vijmë te zemërimi i akademikëve. Këta të fundit mund të kenë motivimet më të liga kur përqeshin librin e Fevziut, mund të kenë xhelozi, kompleks dobësie, ligështí senile etj., por të gjithë e dimë se një libër me vlerë i ndonjërit prej tyre do të kalonte pa asnjë vëmendje. Kristo Frashëri, Arben Puto, Pëllumb Xhufi, Shaban Sinani, fjala vjen, janë autorë, me të cilët mund të mos biesh dakord, por nuk ka asnjë njeri serioz të pasionuar pas historisë së Shqipërisë, që të mos i vlerësojë si autorë. Por në cilat edicione informative është folur për librat e tyre? Sa minuta u janë kushtuar përurimeve të librave të tyre në raportimet gazetareske? Ua them unë: e shumta, dy minuta për secilin. Doni një ilustrim tjetër? Aurel Plasari ka punuar 15 vjet për të bërë librin e tij për Skënderbeun, por nuk kam dëgjuar në asnjë edicion informativ të televizioneve që të flitet për këtë libër. Nuk po them këtu që duhet bërë çmos që libri i Plasarit, apo i autorëve që përmenda më sipër, të bëhen best-seller-a (jo, kjo s’ka se si të ndodhë, pasi librat e tyre janë për një audiencë të kufizuar). As nuk po hamendësoj se libri i Plasarit është më i mirë sesa i Fevziut (S’kam si ta di pasi, jua thashë, të Fevziut nuk e kam lexuar). Thjesht po them që këtyre librave duhej t’u jepej e njëjta vëmendje në edicionet e lajmeve. Fevziu ka ndikim në TV Klan, ashtu si dhe unë mund të kem ndikim në plot televizione, por puna është se edicionet e lajmeve, ashtu si dhe programet TV që drejtojmë, nuk mund t’i mbushim me raportime qokash, masturbimesh, ballosh. E prandaj, Albatrosi as nuk do duhej të pyeste se “pse më herët nuk është folur për këta libra [akademikësh]“. Përgjigjen e dinë dhe fëmijët: Nuk është folur për librat e tyre, sepse është folur për librin tim, për librin e Albatrosit, për librin e Fevziut. Nuk është folur për librat e tyre, sepse jemi ne që e kemi pushtuar skenën. E nuk na mjafton ky teprim, a ky privilegj, por u dashka që t’i promovojmë librat që shkruajmë edhe me ndihmën e ca ballove në Pallatin e Brigadave. Io non ci sto.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama