Tronditja nuk bëhet lehtësisht e shkuar kësaj here. Është tronditje e beftë që udhëton jo përgjatë shuarjes, por në një udhë pa krye drejt së ardhmes sonë. E thellë dhe me të ardhme të paditur është tronditja dhe dhimbja e nisur për gazetarët parisienë! Nuk i përket Francës, por krejt botës.
Dymbëdhjetë jetët e fikura të “Charlie Hebdo” në Paris janë një kosto për gjithë komunitetin e gazetarëve të botës dhe gazetarinë botërore në përgjithësi. Kurrë ndonjëherë më parë, (madje në gjithë shekullin e fundit), nuk ka pasur një akt të tillë ekzekutimi të një stafi redaksional në mjedisin e mbledhjes së zakonshme të redaksisë.
Tejkalohet në këtë akt edhe krimi nazist, edhe modelet mafioze, edhe terrorizmi i mëparshëm historik dhe disa prej organizimeve ogurzeza të kësaj natyre.
Ky ekzekutim ka ndryshuar ndjeshmërinë globale. Jo ndjeshmërinë e botës institucionale, por të asaj që do të nevojitej të mos mbërrinte në kohën dhe realitetin e harresës, siç duket se ngjan me nazizmin, me diktaturat dhe modelet e tjera të shembjes dhe vrasjes masive njerëzore. Kjo vrasje ka bërë më tokësore ndjeshmërinë e qytetarëve të kësaj bote.
Tetë gazetarët e “Charlie Hebdo” në Paris janë tashmë modeli i vetëm grupal i gazetarëve dhe heronjve të fjalës e shprehjes së lirë që u flijuan paimagjinueshëm në mënyrën tinëzare dhe në një akt obskurant, jo në periferi, në shkretëtira apo qytete që përpëliten falë fatit të keq gjeopolitik apo kryqëzatës së pakuptuar nga pjesa komforte e globit. Kjo ngjau në Paris. Ngjau aty ku dhimbja ekspozohet për shumë arsye më shumë se kudo, atje ku ndjeshmëria bëhet shumë e shumë herë më e lartë se kudo tjetër në skaje të këtij globi.
Kjo vrasje, Francën me dekret presidencial e ka zhytur në tri ditë të pikëllimit kombëtar, ndërsa botën dhe veçanërisht Europën, në një mëdyshje të pazakontë të përzier me trazim dhe mëdyshje shumë më të mëdha. Çdo qytetar i Europës ka të drejtën dhe gjendet pashmangshmërisht në peshën e meditimit të dhimbshëm dhe të dilemave që tashmë zyrtarisht janë hapur.
Si do të jetë e nesërmja dhe ç’ka ngjarë me atë që ndryshe quhet jeta në paqe mes të shumëllojshmëve?!
Në këtë dilemë nuk ka rënë gazetaria, por është zvogëluar shumë e shumë herë siguria për të qenë në lartësinë e kurajës dhe të misionit mbi censurën e autocensurën. Pushteti i frikës ka kuotën më të lartë të miqësisë me pushtetin dhe tinëzarllëkun e terrorizmit. Përballë tyre, pushteti i fjalës, media si pushtet i katërt i shoqërive demokratike është më e pambrojtshme, por jo në fatalitetin e humbjes së trimërisë.
Bota institucionale dhe sidomos Europa institucionale, bashkë me Perëndimin, janë në dëshminë e kohëvonesës dhe të ngathtësisë parandaluese të kësaj fuqie që ka marrë nëndheshëm terrorizmi dhe ideologjia e zezë e tij. Në shoqërinë tonë për kësi vëmendjesh, kujdesesh dhe sidomos mundësi parandalimesh, as që mund të bëhet fjalë. Tinëzarllëku i pushtetit të nëndheshëm të terrorizmit nuk është i shfaqshëm vetëm me maskë apo automatik vrasës në dorë, as me makinë bombë-shpërthyese apo kamikazë të pamoshë e në lule të rinisë. Brendia dhe pamja e tij është e panjohshme dhe e ndryshueshme si në të papërsëritshmen. Për këtë arsye, skepticizmi dhe dyshimi përballues i saj, pas vrasjes në “Charlie Hebdo”, është më i madh dhe më tronditës, ndoshta edhe se në 11 shtatorin e dikurshëm. Në 11 shtatorin amerikan, terrorizmi sfidoi pushtetin e sigurisë dhe atë të politikës qeverisëse në botë. Ndërsa në Paris, këtë të mërkurë të zezë, luajti si hije e zezë kriminele e vrasëse, për të ekzekutuar pushtetin dhe lirinë e fjalës si dhe kurajën e gazetarisë.
Kjo vrasje në Shqipëri shkakton sa dhimbje të veçantë kolegësh aq edhe hutesë të madhe. Dekodifikimi i saj bëhet i vetvetishëm, kur ndesh thërrmija dhe realitete të fshehura në detaje, se sa dhe deri ku, mund të jetë strehuar në shpirtra dhe ndërgjegje të indoktrinuarish kjo e zezë, kjo doktrinë pa religjion që trazon dhe kall paragjykime ndër religjione. Lidhjet e kësaj së zeze vrasëse prej mediave dhe shërbimeve të sigurisë janë ende të pandriçuara e të panjohura. Është ora të bëhemi me sytë e respektit për jetët tona dhe të fëmijëve, sikundër edhe me syçeltësinë për të mos pësuar më tragjikisht e më lehtësisht, katastrofa e tragjedi prej kësaj së keqeje të pamëshirë.
Në ditët e kësaj jave në Itali, mendimtari i shekullit tonë, europianisti kritik, ideologu i moshuar, por i paplakur i kohës sonë, Umberto Eco shprehet: “Çfarë duhet të thotë njeriu i shkretë përpara fakteve të tillë?… Bota është e mbushur me njerëz që flasin për libra të cilët nuk i kanë lexuar, bashkë me ata që thonë se e njohin Kur’anin, ndërkohë që nuk e kanë lexuar asnjëherë…”. “Po zhvillohet një luftë dhe ne jemi brenda saj deri në fyt, ashtu sikurse kur unë isha i vogël dhe jetoja ditët e mia nën bombardime…”. Mendimtari Eco është gati në një mendje, por me bilanc të ndryshëm me kolegun Charbonnieri, kur shprehet: “Është e qartë se të gjitha ndryshimet e mëdha na terrorizojnë. Shikoni mua, pak vite jetë më mbeten, por kam nipër dhe uroj që të mësojnë të jetojnë me këto perspektiva…”.
Ndërsa kolegu i vrarë në Paris, redaktori i revistës “Charlie Hebdo”, Stefane Charbonnier, në vitin 2012 deklaroi para kolegëve të vet se: “…unë nuk kam fëmijë, nuk kam grua, nuk kam makinë, nuk kam kartë krediti. Ndoshta kjo tingëllon pak pompoze, por unë preferoj në këmbë se sa të jetoj i gjunjëzuar”.
Mes modelit të kurajozit dhe mendimtarit, kurajozi mori riskun e pazhbëshëm të flijimit të jetës. Por kjo meriton vlerën e një mësymjeje për të dalë nga ankthet dhe mynxyrat kërcënuese të lirisë. Për këtë arsye, pikëllimi për jetën e kolegëve parisienë, ka vetëm këtë brendi dhe lidhet vetëm me këtë shpirt të dëshirës masive njerëzore.
Brenda së cilës duam dhe lutemi të gjendemi edhe ne, shqiptarët në të sotmen dhe të ardhmen e saponisur te Charlie Hebdo, në Parisin e janarit të 2015-s.