Në vitin 2000, situata qe e nderë. Kontrabanda e cigareve dhe hidrokarbureve ishte sheshit. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, për shkak se në atë kohë, investimet publike nuk ekzistonin dhe vjedhja përmes tenderëve nuk ishte një fenomen i përhapur thjeshtë sepse nuk kishte tendera. Bashkimi Evropian pati dërguar një mision disi të bezdisshëm për qeverinë e asaj kohe, një mision që asistonte doganat në luftën kundër kontrabandës. Ishte misioni që hartoi një kod të ri doganor, kod që e miratoi me presion në parlament me tre të pestat dhe që u kthye në një formë “kushtetute” që zor se mund të ndryshohet pa konsensus të gjerë politik. Ishte misioni i drejtuar nga Natalina Cea. Kur znj. Cea u detyrua të largohet nga Shqipëria, raportoi në senatin Italian mbi ministrat e lidhur drejtpërsëdrejti me skafet dhe cigaret kontrabandë.
Në atë kohë, lufta e ligjit me antiligjin, thjeshtë nuk ekzistonte. Një revistë e njohur italiane, shkruante se “në Shqipëri nuk ka luftë mes shtetit dhe mafies, sepse janë e njëjta gjë”.
Populli i tromaksur shikonte se si disa njerëz ngryseshin varfanjakë dhe gdhiheshin miliarderë. Qyteti i Sarandës u bë simbol i vendit ku derdhej paraja e fituar nën stresin e ilegalitetit. Oferta më e zakonshme për punë për të rinjtë, ishte shkarkimi i anijeve të kontrabandës së cigareve në plazhet e Divjakës apo Golemit. Çdo markë cigaresh në treg përbëhej nga dy lloje: “me pullë” dhe “pa pullë”.
Ndërsa për vendin ajo valë e paparë korrupsioni ishte një tragjedi kombëtare, për qeveritarët e asaj kohe, gjithçka përbëhej vetëm nga një problem në imazh. Një ditë, vendosën ta zgjidhin këtë problem në imazh duke nisur disa operacione spektakolare kundër kontrabandës. Dhe çështja e zbuluar, u prezantua si një rrjet i kontrabandës së kafesë. Disa zyrtarë të nivelit të ulët përfunduan nën pranga. Vijoi një proces shumë i mediatizuar. Jo të gjithë e dinë komentin e njërit prej doganierëve të arrestuar për kontrabandën e kafesë: “përse dreqin nuk më arrestuan për një nga maskarallëqet që kam bërë vetë, por më arrestuan për atë që ka bërë shefi im i madh”!...
Sipas vlerësimeve italiane, kontrabanda në Shqipëri i shkaktonte shtetit rreth 200 milionë dollarë humbje në vit. Gjyqi i vetëm për kontrabandë përfshinte vetëm rastet e kontrabandës prej gjysmë milioni dollarësh taksa të papaguara. Rreth 20 të akuzuar u dënuan me gjobë deri në 6 vite burg në shkallën e parë. Në gjykatën e apelit, nëntë nga të akuzuarit morën ulje dënimi, dy prej tyre dolën të pafajshëm. Dosja bëri një rrugë me arka bosh në Gjykatë të Lartë, prej nga u kthye sërish në apel për të konvertuar dënimet me burg, në dënime me gjobë. Zyrtarët u dënuan përfundimisht me heqje të të drejtës së punës në administratë shtetërore për tre vjet.
“Na hodhën hi syve”, do të thoshte dikush pas kësaj.
Sot...
Kur disa biznesmenë dhe zyrtarë, përfshirë një zëvendësministër, u arrestuan javën e kaluar nën akuzat për manipulimin e tenderëve publikë për ndërtim rrugësh, m’u kujtua pikërisht historia e kontrabandës së kafesë. M’u kujtua edhe komenti i doganierit të arrestuar. Këto dy vjet të qeverisjes demokrate kanë qenë njësoj me dy vitet e para të qeverisjes socialiste. E vetmja diferencë, është se atëherë, ishte kontrabanda mënyra më e lehtë, (ndoshta e vetme) për t’u bërë biznesmen i suksesshëm, ndërsa tani vëmendja është përqendruar te tenderët. Kjo puna e tenderëve është më e thjeshtë, pasi nuk ke nevojë të organizosh shkarkim anijesh natën nëpër plazhe të humbura. Punon vetëm me letra dhe fiton para.
Dallimet mes kontrabandës së kafesë dhe të të arrestuarve për tenderët e rrugëve, janë vetëm dy: e para, të arrestuarit sot janë të një niveli administrativ më të lartë se ato të kontrabandës së kafesë. E dyta, veprat penale për të cilat akuzohen këto të sotmit, parashikojnë dënime më të ulëta sesa ato të kontrabandës së kafesë.
Duke parë atë që ndodhi, pra që hetimet e prokurorisë u mbështetën me veprime konkrete nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave, pra përfshiu një numër të madh njerëzish dhe nuk u dekonspirua, siç ndodh rëndom me hetimet antikorrupsion në Shqipëri, vështirë se mundet ta gëlltisim karamelen e institucioneve që funksionojnë jashtë vullnetit politik të politikanëve qeverisës. Pra, ashtu si në rastin e kontrabandës së kafesë, ajo që po shohim është “trajtimi i problemit të imazhit”, një proces që qeveritë në Shqipëri kanë filluar ta kryejnë vazhdimisht në të mbyllur të vitit të dytë të mandatit. Duhet të kujtojmë këtu disa gjyqe të ngjashme për korrupsion në vitin 1994, si dhe fushatën “katharsiste” të vitit 2003, kur disa zyrtarë të lartë, përfshirë edhe një zëvendësministër, u futën në burg për korrupsion.
Edhe në vitin 2003, ishte i ashtuquajturi dyvjeçar i parë i mandatit të dytë të socialistëve dhe aleatëve të tyre, kohë kur grupimet brenda PS-së konkurruan me njëri-tjetrin për të akumuluar pushtet politik dhe ekonomik pa njohur kurrfarë kufiri moral. Në atë kohë u krijuan disa si tip monopolesh në vjedhjet e aseteve dhe financave publike, një situatë që një kongresmen socialist e cilësoi si: “ndarja e vendit në principata ekonomike të qeverisura nga të fortit e politikës”. Jo të gjithë doganierët mund të vidhnin, por vetëm disa syresh në një sistem piramidë të transferimit të kuotave nga paratë e vjedhura nga baza në qendër. Kjo ishte situata që e dinin të gjithë dhe që u mendua se do të zgjidhej me disa gjyqe spektakolare kundër të të korruptuarve.
Ja ku jemi sërish në një situatë ku të gjithë e shohin. Saranda është zëvendësuar me gjirin e Lalëzit, si vendi ku derdhen paratë e vjedhura në formë investimesh. Por steka e drejtësisë ndaloi aty te zëvendësministri i një dikasteri që gjatë dy viteve të fundit, kontrolloi mbi 60% të investimeve publike gjithsej. Edhe një herë, korrupsioni u trajtua dhe u zgjidh si problem imazhi për qeverinë, e cila, në këtë fazë, fillon të ndjejë afrimin e fundit të mandatit të vet qeverisës. Edhe një herë, korrupsioni ndali te zëvendësministri.