Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rama dhe kater kleriket, dy genjeshtra ne Paris

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Armand Shkullaku
Rama dhe kater kleriket, dy genjeshtra ne Paris

Një kryeministër me lapsa në xhep dhe katër klerikë që japin shfaqje në Paris, kanë mjaftuar për të shprazur “krenarinë” shqiptare e për të rindezur fanarin ndriçues nga duhet të kthejë sytë bota. Njëlloj si në rastet kur zbulojmë ndonjë personazh të famshëm me origjinë shqiptare, kur rrugëve, shesheve, spitalit e aeroportit i vëmë emrin Nënë Tereza, apo kur përsërisim titujt e gazetave që tregojnë “mrekullitë” e tokës shqiptare.

Kjo dëshirë për t’u dukur ashtu siç nuk jemi në të vërtetë, ndoshta vjen si kompensim i pafuqisë për të ndryshuar gjërat këtu ku jetojmë. Ky vlerësim iluziv që mundohemi të zhvatim nga të tjerët dhe që e valëvisim si flamur kombëtar, ndoshta ndërton fasadën e jashtme për të mbuluar dështimin tonë brenda. Të frustruar nga paaftësia jonë për të zhvilluar një shoqëri normale demokratike, shpërthejmë në entuziazëm irracional dhe hipokrit sa herë na jepet mundësia që bota të na shohë ndryshe.

Nisim të mitizojmë gjëra që realisht nuk na takojnë, duke u kthyer kështu në robër të iluzionit që krijojmë vetë. Flasim pafund dhe me eufori për këtë iluzion, duke mos e prekur plagën e përditshme që na dhemb. E në këtë mënyrë kurthohemi brenda një paradoksi të rrallë, ku ndryshe jetojmë e ndryshe duam të hiqemi në sytë të botës. Një gjendje e tillë bën që gjërat të mos ndryshojnë ose të ndryshojnë tepër ngadalë.

Rasti i shfaqjes së delegacionit shqiptar në Paris pak ditë më parë është një ilustrim i mirë për këtë fenomen tonin. Të dyja paraqitjet, si ajo e klerikëve ashtu edhe ajo e kryeministrit me lapsat në xhep si simbol i lirisë së shtypit, përbëjnë në vetvete një rast për reflektim. Ngjarjet u përcollën nga të gjitha mediat me tone euforike, shprehje bombastike e ngjyra të ndezura, të cilat kishin si motiv kryesor refrenin e njohur të shqiptarëve që çudisin botën, të kryeministrit që befason, të tolerancës fetare që i jep leksion Europës, të Francës që na nderon, etj., etj. Me pak fjalë, dëshirën tonë të përvëluar për të treguar se vlejmë edhe ne.

Në këtë përndezje, që vazhdon ende, të paktë ishin ata që kthyen kokën nga e vërteta që kemi brenda vetes. Që e panë atë shfaqje herë si karnavale, herë si atraksion ekzotiko- artistik e herë si një hipokrizi, që edhe kësaj radhe e manifestuam në mënyrë popullore. Por në të gjitha rastet, shqetësimi që ngrihet ka të bëjë me faktin se si mundet që për hir të një efekti që krijojmë tek të huajt, të mos ngremë zërin dhe të flasim për të vërtetat tona.

Marshimi i katër klerikëve në bulevardin “Volter” nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Por pyetja themelore ka të bëjë me faktin se ku janë këta klerikë kur në Shqipëri ka nevojë për mesazhe tolerance e bashkëpunimi? Shqipëria nuk ka patur probleme të bashkëjetesës fetare prej shekujsh, por ama ka patur probleme të rënda të bashkëjetesës njerëzore.

Europa, aty ku marshuan klerikët, nuk e ka penalizuar Shqipërinë si vend me konflikt fetar, por si vend me një konflikt permanent politik, që madje në momente të caktuara, si ai vitit ’97, ka prodhuar kriza të frikshme dhe qindra të vrarë. Është qesharake që Europës t’i kërkosh emisarë për t’u pajtuar mes vedi dhe pastaj t’i japësh leksione të paqtimit fetar. Përfaqësuesit e fesë në Shqipëri kanë mbetur larg të qenit një autoritet moral në vendin e tyre dhe një mesditë në Paris, ku qeveria i mblodhi me avionin e Behgjet Pacollit, nuk i bën të tillë.

Autoritetet fetare këtu e kanë ngritur zërin kryesisht kur kanë dashur ndonjë tokë a godinë për kishë a xhami dhe jo për fenomenet nga të cilat vuan shoqëria. Të rralla ose thuajse të munguara mesazhet e klerit si autoritet moral për të ndikuar në zbutjen e tensioneve politike në vend. Dhe këto tensione jemi dëshmitarë që jo pak herë u kanë marrë jetën qytetarëve shqiptarë.

Kanë munguar mesazhet për krizën e besimit të shoqërisë, për devijimet e saj, për ndikimin fatal të etjes për pasurim, për degradimin e edukimit, krimin në familje, ngujimet, varfërinë. Flasim për mitin e tolerancës fetare, transmetojmë foto e bëjmë like marshimin në Paris, duke e ditur se shembulli që duam t’i japim botës na mungon çdo ditë në vendin tonë. Hipokrizi kombëtare dhe kapitullim përballë mundësisë për t’i ndryshuar gjërat. Le të jemi si të jemi këtu, me rëndësi të kemi vëmendjen e botës.

Pak a shumë i njëjti mentalitet përcolli edhe lapsat në xhepin e kryeministrit. Jo vetëm gazetarët, por nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e di raportin e Edi Ramës me lirinë e shtypit. Edhe gazetarët që e shoqëronin, edhe ata që përcollën këtu mahnitjen e shtypit të huaj me klasin e kryeministrit tonë, i kanë provuar çdo ditë telefonatat e tij dhe janë bombarduar me mesazhe, për një kronikë apo tekst të vetëm.

Të gjithë janë dëshmitarë se kur ishte kryetar bashkie nuk la pronë publike pa shpërndarë e tendera pa dhënë për të kënaqur pronarët e mediave. Nuk ka gazetar që nuk e di se si lulëzuan e lulëzojnë mediat e ngritura nga biznesmenë për të bërë biznes apo se si ndahen sot paratë publike dhe favoret për ata që i bëjnë fresk kryeministrit. Shqipëria është një vend me liri të pjesshme të shtypit në çdo raport ndërkombëtar dhe për këtë një meritë të madhe ka edhe Edi Rama.

Ai është shembulli i joshjes që pushteti i bën medias, politikani që bën autointervista në shtyp dhe që përzgjedh pyetjet dhe analistët në ballafaqimet televizive. Njeriu që shpiku lajmet e montuara me kasetë që iu serviren televizioneve si qofte të gatshme dhe që eliminoi kamerat nga çdo aktivitet ku merr pjesë vetë. Ka dhe shumë e shumë të tjera…Mirëpo për këto, ashtu si dhe për mitin e tolerancës nuk duam të flasim. Na mjaftojnë ca tituj gazetash ndërkombëtare dhe fakti që tërheqim vëmendjen e botës, paçka se kemi një kryeministër që bën sikur respekton para kamerave atë që nuk e pranon dot me veten e tij: lirinë e shtypit.

Të dyja anët e shfaqjes së Parisit janë tipike për të treguar dhe kuptuar si kompleksin tonë ndaj botës, ashtu edhe hipokrizinë apo më mirë marrëzinë për të gënjyer veten si kompensim i pafuqisë për të pranuar të vërtetat tona. Ndaj pak ose aspak vend ka për krenari e entuziazëm kombëtar, mjafton të kthejmë kokën e të shohim ku jetojmë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama