Qeverisësit për poshtë do të vijnë nga qeverisësit “lart”. Kjo nuk është diçka e re për përvojën postkomuniste shqiptare në realitetin e qeverisjes vendore. Por risillet në vëmendje pikërisht pas një realiteti të pranuar tashmë edhe juridikisht se harta administrative e vendit ka pësuar ndryshime të rëndësishme dhe serioze. Politikisht kjo ndarje është e kontestuar prej opozitës, mirëpo vullneti refuzues politik i saj, tashmë është në përballje jo vetëm me shumicën politike në Parlament, por edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas ankesës zyrtare të depozituar kohë më parë nga PD.
Sidoqoftë, zgjedhjet vendore në Shqipërinë e këtij viti nuk janë në kohë shumë larg. Koha për periudhën paraelektorale ka mbërritur. Të dyja palët gjenden në pika dhe momente me plot dilema parapërgatitore. PD dhe PS kanë të dyja si forca kryesore problemet e veta në raport me këto zgjedhje dhe sidomos në raport me pretendimet e mundshme të tyre. PS është në varësi të formulës dhe pretendimit bisedimor që do të ketë me partnerin e vet në qeverisje LSI. Ndërsa PD është aktorja që po udhëton paqartësisht drejt këtyre zgjedhjeve duke u evidentuar së pari në dilemën e bojkotit dhe në natyrën e një force që më shumë si alternativë ka pretendimet dhe kontestimet antagoniste me Kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij.
Shqipëria paraelektorale e 2015 të lë një shije si Shqipëria elektorale e 1996-s. Natyrisht për arsye dhe faktorë kryekëput të ndryshëm. Perceptimi është thelbi i reminishencës, jo realiteti.
Opozita e kryesuar formalisht nga Lulzim Basha udhëhiqet realisht nga aksioni dhe mendja udhërrëfyese e Sali Berishës. Kjo është e dukshme në të gjitha aspektet, naiv do të ishte gjithkush që mund të mendonte ndryshe. Koha politike e zotit Berisha nuk ka përfunduar, ndërsa koha kalendarike e udhëheqësisë së tij zyrtare është mbyllur përfundimisht. Për shkak të dominimit që koha politike e tij i bën “kohës kalendarike” ai mbetet ende një faktor dhe aktor i fortë politikëbërës në vend. Udhëton në kohën e tretë politike të vetes, i pagjykuar dhe i pandalur në aftësinë gjeneruese të formës dhe brendisë së tranzicionit postkomunist. Kjo aftësi e tij është tashmë i vetmi gjerator i dhunës psikologjike mbi shoqërinë dhe strukturat e shumta të saj që dëshmojnë prirje dhe aftësi maturimi. Këtë aftësi apo dhunti të tij, për arsye ndoshta edhe të leverdisë ditore e pranon dhe i gjegjet kundërshtari në pushtet, Kryeministri Rama. Përballja reale Rama-Basha, por me efekte të nënkuptueshme në relacionet-Rama-Berisha, përbën tashmë thelbin e kapitullit në antagonizmin real mes pozitës dhe opozitës së vendit. Ky kapitull duket i pandalshëm nëse merr parasysh sjelljen dhe strategjinë e shfaqur të opozitës. Kryetari zyrtar i PD-së, zoti Basha, dje në takimin me anëtarët dhe simpatizantët e opozitës u shpreh për strategjinë e reagimit populist: “Drejt lirisë!” Opozita e ka shprehur qartësisht se format më të shumëpërdorura të reagimit dhe aksionit të vet do të jenë protestat dhe reagimet refuzuese e kontestuese. Rikthimi i saj në Parlament, pas bojkotit disamujor, nuk e ka tjetërsuar shijen e marrëdhënieve politike në vend.
Në ditët e afërme, kur procesi përgatitor për zgjedhjet e qershorit të këtij viti janë detyrim kushtetues, duket se do të kemi ende konsistencën refuzuese të opozitës për përgatitjet dhe sidomos administrimin e tij. Grupi i vëzhguesve shqiptarë të votimeve vlerësoi dje se përgatitjet dhe sidomos masat përgatitore për zhvillimin e zgjedhjeve sipas hartës së re administrative seriozisht janë të neglizhuara dhe lënë premisa të forta për dyshime. Kjo padyshim që bëhet edhe më alarmante kur vihet re indiferenca e opozitës. Pra, gjithçka të lë shijen në këtë fillimviti të 2015, me atë atmosferë që përjetonte Shqipëria e gjendur në pikun e tranzicionit “Berisha-Nano” të vitit 1996. Po a do të mbesë në fuqi ky perceptim dhe kjo ndjesi?
Politika nuk po dëshmon prova për ikje prej saj. Kryeministri Rama po sillet injorueshëm sikur ka të bëjë me një realitet larg dhe jashtë tij. Mirëpo cilësia e tij si “administrator politik” i kësaj situate dhe këtij realiteti, duhen bërë me dije jo nominalisht për të, por për forcën politike dhe koalicionin politik që kryeson në qeverisje.
Zgjedhjet e pritshme vendore në qershor të këtij viti, nuk mund të jenë dhe s’ka dyshim se s’do të jenë monokrome. Domethënë me një konkurrues që mund ta ketë mundësinë për ngjyrimin e fushatës apo të pjesëmarrjes. Konkurrimi elektoral në këtë vend ende do të vijojë të jetë mes dy aktorëve që përfaqësojnë dy ngjyrat klasike politike të së majtës dhe së djathtës.
Koha është e re, por loja dhe klasa politike mbesin besnikërisht në skemën e vjetër. Kjo tendosje dhe sidomos antagonizmi i lënë në fuqi i politikës së konfliktit, kësaj here ka për qëllim të imponojë në vend rishtas, delegimin e qeverisësve vendorë nga “lart”. Kjo formulë nuk parathotë ikjen nga rasti i radhës për zgjedhje, por lënien në fuqi të krizës së përfaqësimit dhe të zgjedhjeve sipas parimit meritokratik të konkurruesve. Opozita që ka marrë flamurin e dekriminalizimit të politikës, kësaj çështjeje nuk mund t’i fshihet dot. Ikja prej saj, nuk gjen alibi. Rruga dhe pista politike me dilema që mban në fuqi, janë alibia e saj për të mos futur në rend të ditës këtë kriter themelor. Opozita, sot dhe jo nesër, nevojitet ta fusë dhe imponojë si platformë ndryshimi, kriterin e daljes së kandidatëve për qeverisjen vendore nga miratimi qytetar dhe jo si të deleguar nga selitë. Nëse do të lihet në fuqi formula “Berisha-Rama” atëherë tranzicioni ynë vijues do të degradojë shumë e shumë më tepër krizën e sotme të demokracisë dhe përfaqësimit të sovranit në nivelet e pushteteve.