Për të dytin vit me radhë ‘bojkotimi” i qëllimshëm që Ilir Meta u bëri vreprimtarive të 21 janarit, ka ngjallur një pothuajse revoltë ndaj kreut të LSI-së në të vetmet ishuj lirie të pakontrolluara prej tij, në mediat sociale. Duke qenë se këtë vit, përkujtimi i ngjarjes, ku nga zyrat e kryeministrisë u vranë katër protestues ka ndezur më shumë debate brenda të majtës, largimi i përsëritur i Ilir Metës, (vjet në drejtim të Francës dhe këtë vit për në Maqedoini), është parë me zemërim. Në fakt shumë nga reaguesit nuk kanë arritur ta kuptojnë, qëndrimin ambig të LSI-së, e cila është njëkohesisht edhe me vrasësit edhe me viktimat.
Ata nuk e perceptojnë dot nëse partia bashkëqeverisëse e koalicionit të majtë vazhdon ta quajë ende 21 janarin si një grusht shteti, apo në të kundërt, një tentativë të pushtetit për të vrarë dhe për të shuar me dhunë zërat e protestës.
Ata nuk arrijnë të besojnë se si vazhdon ende të mbahet në këmbë, një parti që kërkon të ketë “një dorë në kadaif, një dorë në bakllava”, pa mabajtur qëndrime, pothuasje për çështjet më të mprehta të aktualitetit dhe historisë së afërt politike.
Natyrisht jo të gjitha kritikat shprehen të artikuluara në këtë mënyrë. Shumë prej tyre janë shpesh shfryrje dufesh me sharje dhe ofendime (për shkak të politikave tona botuese, shumë prej tyre ne i kemi fshirë nga faqja e Lapsi-t). Por në thelb ato shprehin një gjë: tradhëti, zhgënjim dhe neveri për hipokrizinë. Ata njerëz thjeshtë ndihen “zemërthyer” siç do ti quante i ndjeri Dr Flori në hitin e tij të fmashëm të dy viteve më parë.
Por, këtë radhë mund ta them me gojën plot se këta njerëz e kanë gabim. Duke u arratisur prej syve të tyre Ilir Meta bën shumë mirë. Duke i’u përvjedhur herë me vizita të sajuara në Francë dhe herë me takime shtëtërore në Maqedoni, ai veçse i respekton ata.
Le të imagjinojmë për një çast sikur këtë 21 janar, numri dy koalicionit të majtë të ndodhej në Tiranë. Ai do të detyrohej të dilte para mediave dhe të fliste. Do të detyrohej të merrte pjesë në përkujtimin e viktimave dhe e gjithë kjo ngjarje do të pasqyrohej me të njëjtën ftohtësi cinike, nga po ato televizione që katër vite më parë u përpoqën të ngrenë alibi për vrasjet dhe nga po ato gazeta që proklamonin se nuk është mëkat që të vrasësh në emër të ruajtjes së shtetit.
Papritmas njerzit do të shihnin, pamjet absurde kur Ilir Meta do të përkulej përpara kujtimit të të vdekurve. Po, po, i njëjti Ilir Metë, me parualla kundër të cilit ata kishin dalë në shesh. I njëjti Ilir Metë që dikur i kish quajtur, alabakët, kriminelët, banditët dhe kokëpalarët e Edi Ramës që sulmuan policinë e këtij populli që u vetëpërmbajt (megjithëse vranë katër vetë).
Nëse i gjithë ky skenar imagjinar do të ndodhte, do të kish qenë shumë më e rëndë. Ata që sot zëmërohen me përvjedhjen e Metës, do të kishin qenë disa fish më të revoltuar dhe disa herë më të zhgënjyer. Përpos arsyeve të veta, Ilir Meta u arratis edhe në emër të respektit për ta. Edhe në emër të kujtimit të kokëpalarëve. Ai nuk mund të merrte pjesë në homazhet e atyre të cilëve u kishte përdhosur varrimin. Ai bëri mirë që zgjodhi të ikë. Dhe do të bëjë mirë ta përsërisë edhe një vit më pas.
(Lapsi.al)