Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur institucionet nxisin mosbesim

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 10 vite më parë

Zamira Cavo
Kur institucionet nxisin mosbesim

Mungesa e besimit të shqiptarit ndaj shtetit është një plagë e vjetër, e cila do shumë punë të shërohet. Ka një rrugë që besimi të funksionojë dhe kjo rrugë është siguria ndaj shërbimit qytetar. Do apo nuk do politika, qytetari do jetë detyrimisht në qendër të zhvillimit ekonomik, social politik e mjedisor. Shërbimi ndaj qytetarit (do apo nuk do politika) do duhet të jetë( me hir apo pahir) në vëmendje të shtetit si veprim parësor. Ne po jetojmë epokën e internetit. Rrjetet sociale  po kthehen në të vërtetë në mjedisin virtual ku luftohet më shumë për Lirinë reale. Agora e sotme virtuale me rrjetet sociale me siguri do të sjellë dhe reflektim real të qytetarisë. Por kjo teknologji i jep mundësi dhe qeverisjes të bëjë më të mirën e saj për t’i shërbyer qytetarit e për të rikthyer besimin e tyre ndaj shtetit. Portali antikorrupsion i inauguruar disa ditë më parë është padyshim një qasje mjaft pozitive drejt një qeverisjeje të hapur e bashkëpunuese. Por teknologjia nuk bën mrekulli nga vetvetja. Janë njerëzit, institucionet që e bëjnë funksionale ose jo një mundësi të tillë. Nëse njerëzit do ta shikojnë me mosbesim këtë portal ai sigurisht nuk ka për të funksionuar. Ky është një rrezik relativisht i madh që do verë në pikëpyetje një mundësi që teknologjia e sotme e jep për demokracinë. Por ka dhe një rrezik tjetër. Rreziku tjetër vjen nga keqpërdorimi i këtij portali nga institucionet që përmenden në të. Po ndalem më thjesht:

U denoncua një ngjarje me një mjeke në spital dhe ministria nxitoi ta pezullojë nga puna, pa as më të voglin investigim moral, pale institucional. Po kështu ndodhi dhe me shkarkimin brenda ditës të drejtoreshës së shkollës “Dhora Leka”. U nxitua të merret masa ekstreme, sepse u bë një denoncim. Sot si për rastin e parë ashtu dhe të dytë, gjejmë një qasje të re institucionale. Sot shkarkohet mësuesi që denoncoi drejtoreshën, ndërsa shoqata e mjekëve pediatër bën kallëzim për atë që filmoi videon. Pse kështu? Pse gjithë ky kaos? Përgjigjja është e thjeshtë: Institucionet dhe drejtuesit e tyre nxituan për t’i bërë qejfin Kryeministrit se “janë në gatishmëri maksimale për të luftuar korrupsionin”. Një lloj servilizmi që buron nga paaftësia profesionale. Po si mund të bësh një reagim të tillë aspak profesional dhe aq më tepër njerëzor, duke dëmtuar rëndë jo vetëm figurën e individit, por edhe duke sjellë pashmangshëm një katrahurë në mendjen e njerëzve? Është në lirinë e mendimit të njerëzve të vlerësojnë në mënyra të ndryshme situatat. Por ama përfundimet janë: “E shkarkuan drejtoreshën? Shumë mirë bënë, po ja tani shkarkuan dhe mësuesin që denoncoi… he pra guxo e denonco sërish!” Kjo është një qasje. Të tjerë e mendojnë ndryshe; “shumë mirë ia bënë mësuesit, i cili nxori dufin e vet ndaj drejtoreshës”. Në të dyja rastet pasoja është vetëm një: Mungesa e besimit në drejtësinë e këtij portali.

Nuk do ta kisha ngritur si problem nëse nuk do gjykoja pasojat jashtëzakonisht negative qe vijnë nga qëndrime të tilla. Vetëm pak ditë nga çelja e portalit dhe në rrjetet sociale kanë nisur barsoletat që sigurisht çojnë në një mosbesim në rritje ndaj qeverisjes.

Kjo është vetëm një situatë e thjeshtë që dëshmon për paaftësinë menaxhuese të një forme të vlerësuar të teknologjisë moderne. Por pyetja vjen dhe bëhet më provokuese nëse shtrojmë problemin e denoncimeve të personave me poste të larta shtetërore. Si do të veprohet me denoncime të kësaj natyre? Kush do të denoncojë një zyrtar të lartë që për të mbaruar një “punë” kërkon mijëra euro? E më tej dhe nëse e akuzon a nuk do thonë nesër se nuk ke fakte ndaj dënohesh ti që ke bërë denoncimin? Si mundet që një skuadër, sikundër tha Kryeministri do qëndrojë pas marrjes së denoncimeve dhe pastaj do t’i përcjellë ato sipas institucioneve përkatëse, do të dërgojë te ministri x denoncimin për vetë ministrin? Ku mbyllet rrethi i denoncimeve?

Problemi i korrupsionit është problem që ka përkeqësuar shkallën e besimit të qytetarit ndaj shtetit. Kjo do të thotë se denoncime janë bërë dhe bëhen në forma të ndryshme, por askush nuk jep sigurinë që problem zgjidhen me drejtësi dhe aq më tepër zgjidhen në favor të antikorrupsionit! A ka denoncim më të madh sesa ngjarjet e fundit me shitblerjen e energjisë elektrike? Media e ka bërë publik faktin, pra s’ka nevojë për portalin antikorrupsion, por a është vënë në lëvizje ndonjë institucion?

Personalisht vlerësoj çdo përdorim të teknologjisë për të mundësuar një qeverisje të mirë, por mentaliteti qeverisës dhe paaftësia e disa prej personave në krye të institucioneve, e bëjnë të pavlefshme një metodë që duhej të ishte ndihmuese në problemet e qytetarëve. Kështu si ka filluar vetiu ndien të perceptuar faktin që ky lloj portali kërkon të merret me zyrtarët apo punonjësit e thjeshtë pasi për qeveritarët, deputetët apo gjyqtarët, nuk ka shans të funksionojë. Qoftë edhe për faktin që zgjidhjet priten të jenë nga institucionet. Në mendimin tim sa kohë institucionet shtetërore drejtohen nga individë që duan “t’i bëjnë përshtypje Kryeministrit” dhe jo qytetarit, besimi te shteti dhe aq më tepër siguria e qytetarëve s’kanë shans të rikthehen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama