Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Habi

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 10 vite më parë

Edmond Tupja
Habi

Qysh në krye të herës më duhet të pranoj që titulli i këtij shkrimi mund të mos jetë fort i saktë, megjithëse edhe e kundërta nuk është e pamundur. Për çfarë e kam fjalën? Sigurisht që jo për ndonjë habi para një dukurie shkencore, kulturore apo sportive të paparë e të padëgjuar ndonjëherë në shtetin tonë hekakeq. Jo, e kam fjalën për një habi para një dukurie politike që u konkretizua të enjten që shkoi. Po atë .ditë, kur u zhvillua manifestimi i madh i opozitës për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Një manifestim proteste me pjesëmarrjen e dhjetëra mijë qytetarëve të ardhur nga shumë anë të vendit. Një manifestim i paralajmëruar nga opozita, pra, që u organizua me dijeninë dhe lejen e Policisë. Një manifestim paqësor e dinjitoz pa hunj pankartash apo lopatash që të thyheshin mbi kokat e policëve si më 21 janar 2012, rrjedhimisht, pa gjakderdhje e të vrarë.

 

Mirëpo, atë ditë gjithashtu, pra të enjten e kaluar u zhvillua edhe një manifestim modest, me pjesë- marrjen entuziaste të disa qindra militantëve e simpatizantëve të LSI-së para selisë së kësaj partie, në mbështetje të kryetarit Meta, e thënë ndryshe një kundërmanifestim. Fatmirësisht, nuk pati provokime apo përplasje militantësh me bindje a kahe të kundërta politike. “Deri këtu nuk shohim të ketë ndonjë gjë për t’u habitur, zotëri”, mund të hidhet e të më thotë me të drejtë lexuesi serioz i kësaj rubrike. Kjo vërejtje më duket plotësisht me vend, por habia fillon e shfaqet kur kujtohesh se ky manifestim u cilësua si spontan, i vetvetishëm, aspak i organizuar nga kryesia e LSI-së. Që të besosh se është kështu do të thotë që pjesëmarrësit në këtë manifestim të jenë mbledhur pa u lajmëruar nga dikush për orën dhe vendin nëpërmjet rrjeteve sociale, me telefon fiks, me celular ose gojarisht. Që këtu fillon habia. Pra, dikush është në zanafillë të këtij tubimi që u zhvillua, po e përsëris, në filan orë e në filan vend, domethënë se “dikush” është marrë me organizimin e tubimit në fjalë.

 

Nga ana tjetër, duke ditur se çdo manifestim, miting apo tubim masiv në Shqipëri, normalisht zhvillohet me dijeninë dhe lejen e Policisë, i bie që ai “dikush” të ketë marrë leje në Polici ose, të paktën ta ketë vënë atë në dijeni, çka provohet nga prania e forcave të rendit për të shmangur çdo përplasje të mundshme me kundërshtarë të asaj force politike. Rrjedhimisht e për pasojë, këtu nuk ka asgjë spontane, të vetvetishme. Mirëpo, nga një këndvështrim tjetër, sikur tubimi në fjalë të ketë qenë vërtet, përnjëmend e mirëfilli spontan, i vetvetishëm, kjo do të thotë se nuk është marrë leje nga Policia për zhvillimin e tij, pra, në njëfarë mënyre është anashkaluar ligji, meqenëse secili ka ardhur krejt individualisht për ta parë veten krejt rastësisht, o habi e habive të habitura, me shokë e shoqe, militantë e militante, simpatizantë e simpatizante të LSI-së, në të njëjtën orë e në të njëjtin vend, me një qëllim të përbashkët: për t’i shprehur kryetarit Meta një mbështetje të plotë, pa kushte, duke shtrënguar radhët si grusht çeliku rreth partisë si shkëmb graniti, e duke thyer çdo rrethim tek hedhin valle në gojën e ujkut të djathtë demokrat me thirrjen “Kryetar, dimër e verë, jemi gati kurdoherë!”

 

Si përfundim, le të më lejohet të shtoj diç- ka në vëmendje të lexuesit tim serioz e të paanshëm (por qoftë edhe paksa të njëanshëm), i cili pas arsyetimit të mësipërm kam përshtypjen se do ta pranojë, qoftë edhe pjesërisht, që vërtet habia nuk duhet përjashtuar në këtë rast. Një habi që lidhet me motivin e nëndheshëm të këtij tubimi lësëist. Mos vallë partia e kryetarit Meta kishte nevojë për këtë manifestim, miting apo tubim, pak rëndësi ka emri për të forcuar pozitat e saj në pushtet pas çështjes Doshigejt? Apo bëhet fjalë për ndonjë një tip blofi? Në qoftë kështu, le të përurojmë atëherë në gjuhën shqipe ose, më saktë, në fjalorin e politikës shqiptare, futjen e fjalës “bloftubim”! Sepse, po ta marrësh hollë-hollë e thellë-thellë, në historinë e politikës së vendeve të dikurshme komuniste të Europës Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë e Enver Hoxhës, bloftubimet kanë qenë një dukuri e ngritur në sistem. Dukuri që paska lënë gjurmë, me sa duket te e majta aktuale shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama