Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur bie imazhi, rrezikon rrezimin

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 17 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kur bie imazhi, rrezikon rrezimin

Ka disa kohë që lajme të bujshme, akuza për afera dhe skandale që implikojnë qeverisësit vijnë nga mjedise jashtë politike, parapolitike dhe media ndërkombëtare. Këtyre goditjeve gjatë këtij viti të qeverisjes "Berisha" u janë shtuar edhe debatet, kontestimet dhe akuzat për marrëdhëniet problemore të Kryeministrit me disa prej krerëve të institucioneve kushtetuese të pavarura.

Askush nuk e shlyen lehtë nga kujtesa realitetin që u lidh me shkarkimin e ish-prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, zotin Theodhori Sollaku. Tejzgjatja në kohë e asaj lufte u shndërrua në një kosto për vetë shumicën dhe shkaktoi konsumimin e një energjie të madhe parlamentare. Në kohën pasuese u çelën debate të reja për varësi institucionesh nga qeveria dhe për atakime të Kushtetutës, për shkak të funksionimit, sipas konceptit kryeministror, me pavarësi të kufizuar të disa institucioneve që lidhen me të ashtuquajturën luftë kundër korrupsionit dhe abuzimit. Konflikti mes qeverisë dhe Drejtësisë (disa krerëve institucionalë dhe hallkave të sistemit) gjithashtu ishte një tjetër fushë-debati, ku marrëdhëniet dhe funksionaliteti institucional u cenuan ndjeshëm dhe imazhi autoritarist i qeverisë dhe veçanërisht i Kryeministrit u madhua edhe më tepër.

Gjatë muajve të fundit polemikat dhe akti përballës i shumicës parlamentare me rrëzimin e dekreteve të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për pesë kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë, janë një akt tjetër konfliktual në jetën institucionale të vendit.

Kjo kronikë përplasjesh dhe betejash të fituara autoritarisht prej Kryeministrit, kanë sjellë për atë si politikan karriere dhe koalicionin e djathtë, një realitet të ri kompleks me shumë të njohura dhe të panjohura, me kënaqësi të pakësuara dhe pakënaqësi të shprehura dhe të pashprehura. Kjo tablo e ndjekur prej tymit të pashuar të skandalit dhe tragjedisë së Gërdecit, ku gjetën vdekjen 26 banorë për shkak të shpërthimit të tonelatave të municioneve, është vënë aktualisht në fokus të të gjithë observatorëve politikë e diplomatikë. Ndërkohë që hapja për llogari ligjore e këtij skandali në Uashington, mbërritja e hetimit në Kongresin Amerikan etj., janë zezimi i ri i mëtejshëm që mbulon imazhin e qeverisë së Kryeministrit Berisha. Në një vështrim më të thellë, kjo seancë hetimore në Kongres, riaktualizon në skenën politike dhe në veprimin institucional të Tiranës procesin e Gërdecit.

Presioni jo vetëm politik, por më së shumti ai diplomatiko-institucional mbi organin e akuzës shqiptare, tashmë po rritet. Ky presion në raste të tilla, dihet shumë mirë që mbart edhe vektorë të tjerë dhe shkaktojnë njëherazi mundësi dhe variante për lëvizje dhe ndryshime në kabinete. Nuk është aspak çudi, që skema e ngrirë e plotësimit të vendeve të lëna bosh, pas dorëheqjes së kryetarit republikan Fatmir Mediu nga posti i ministrit të Mbrojtjes, për shkak të hetimit, të riaktivizohet, duke u përdorur si një alibi për moment të ri lëvizjesh në qeveri.

Kjo skemë është, pa mëdyshje, aneks i hapur lëvizjeje për Kryeministrin Berisha.

Gjithsesi, kjo situatë dhe zhvillimet komplekse, logjikisht kanë për të pasuar me një rikompozim pozicionimesh dhe aktivizim energjish oponenciale brenda skenës politike të vendit, në disfavor dhe në goditje të potencës kryeministrore.

Qeverisja e Kryeministrit Berisha tashmë është nën silurimin e pareshtur, madje të parathënë, të oponentëve opozitarë, të cilët përmes mekanizmit investigues do të tentojnë të çelin zhurmshëm dosje dhe akuza të reja në adresë të qeverisë, Kryeministrit dhe qeverisësve të shkallës së sipërme. Me një fjalë, sulmi politik do të përcillet sintonisht me artikulime akuzash dhe denoncime publike, të cilat pavarësisht prej vërtetësisë, në kushtet e një krize ekonomike dhe sociale, si dhe problemeve të shumta që mbart përditshmëria e një vendi të vogël, bëhen më të lehta për t‘u besuar dhe më të efektshme për reagim. Kjo skemë është shpallur jo vetëm përmes zërit të zëvendëskryetarit të grupit parlamentar të PS-së, por edhe përmes kërkesës së re të Ilir Metës për dorëheqje të Kryeministrit Berisha.

Behari i ngrohtë, mesa duket, do të mbartë edhe klimën e ngrohtë dhe shpërthyese politike. Opozita, e cila në adresë të kryesuesit zyrtar të saj, zotit Edi Rama, ka përcjellë kritika për mefshtësi, tërheqje dhe mbajtje rezervash në misionin e vet opozitar, sipas gjasave ka për të lëvizur dhe për t‘iu bindur vullnetit të shumicës së vetvetes. Këtë akt zoti Rama ka për ta ndërmarrë edhe për faktin se zërat kundër tij, në spektrin opozitar, janë duke zhurmuar dhe pse jo edhe duke u shtuar. Në muajt e fundit këta zëra kanë lëshuar kritika ndaj kryeopozitarit, për "mosndezje të motorit opozitar në të gjithë kapacitetin" sikundër edhe për mosshfaqjen e programit të tij për qeverisje të ndryshuar dhe për politikë të re, për periudhën e quajtur prej pasuesit të kryeopozitarit, zotit Meta, si "koha e mbaruar e Berishës".

Jo jashtë këtij konteksti dhe kësaj tabloje, vërehen nojma dyshuese diplomatike nga fqinjët dhe disa zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, të cilët në realitete të tilla kanë edhe misionin e tyre parathënës.

Kritikat e ardhura nga disa raporte zyrtare organizmash dhe institucionesh ndërkombëtare, recencat kritike mbi disa aspekte dhe fenomene të qeverisjes, sikundër edhe disa ndryshime në kalendarin multipartnerial diplomatik të qeverisë, të lenë të dyshosh se pakënaqës të veçantë diplomatikë e bëjnë edhe më të lexueshme inatin apo turiprishjen e tyre makiaveliste.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama