Ajo që ishte parathënë me kohë nga media po ndodh: Qeverisja autoritariste e Kryeministrit Berisha ka hyrë në një kontradiktë të papajtueshme me objektivat e partnerëve ndërkombëtarë për integrimin demokratik të Shqipërisë në NATO dhe BE. Shenjat ishin dhënë edhe më parë, por një deklaratë e ashpër e një diplomati të lartë amerikan ka konfirmuar çarjen. Dhe lista e mospajtimeve është e gjatë. Në shënjestrën e SHBA, aleates më të rëndësishme të Shqipërisë, janë ato që po emërohen si përpjekje të qeverisë Berisha për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, shërbimet inteligjente,
përpjekje të qeverisë për të kontrolluar sistemin e drejtësisë dhe atë të votimit në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Është një "zbulesë" që nuk surprizon thuajse askënd në Shqipëri, ku qëllimet dhe praktikat prej sundimtari autoritarist të Berishës nuk përbëjnë më lajm. Lajmi është që këtë e thonë tashmë edhe amerikanët. Ndaj, ndonëse kritikat e forta të SHBA janë shumë të mirëpritura dhe një shpresë për të gjitha ato forca që po përballen prej kohësh me dhunën e pushtetit, nuk mund të mos ngjallë habi një, në dukje dështim, i diplomacisë amerikane (dhe jo vetëm i saj) për të parë më shpejt atë që prej vitesh shihej qartë: Dedikimin konstant të politikanit Berisha dhe forcës politike që ai drejton, ndaj autoritarizmit dhe vënien në zbatim, edhe gjatë mandatit të tij të dytë, të një strategjie për kapjen partiake dhe korruptive të shtetit dhe institucioneve. Por, më mirë vonë se kurrë.
***
Krahas kritikave të forta në deklaratën e diplomatit amerikan lexohet edhe shpresa se Berisha dhe pushteti i tij mund të ndryshojë qëndrim, se mund të heqë dorë nga tentativa për të kontrolluar gjyqësorin, prokurorinë, zgjedhjet, mediat. Flitet vetëm për "sinjale dhe prova fillestare" dhe shpresohet se problematika dhe reminishencat e një kohe të shkuar (ndoshta është fjala për kohën kur Berisha burgoste gazetarë dhe rrihte opozitarët) të mos rishfaqen. Dhe shpresa nuk mund t‘i ndalohet askujt. Por është gabim ta kërkosh atë aty ku ajo nuk është. Sepse ka disa vjet që Berisha dhe pushteti i tij, kanë hyrë në një përplasje të ashpër me opozitën, segmente të shoqërisë civile dhe medias, me institucionet pikërisht për shkak të shfaqjes së reminishencave autoritariste që në momentin e rikthimit në pushtet.
Ata që rierdhën në pushtet bashkë me Berishën duke propaganduar ndryshimin e tij, gjithë Zogëria dhe Gencëria e Shqipërisë që betoheshin se do ta mbanin nën kontroll, u shndërruan në vegla të mjera të tij, njësoj si në kohët e vjetra kur i pat flakur me shkelma nga PD, duke i akuzuar (me po atë gjuhë që iu përvesh deputetit Balla) për karrigethyer, vetëm pse kishin guxuar ta kritikonin për hatanë që po i bënte Shqipërisë. Por sot, pas tre vjetësh qeverisje, një e keqe edhe më e madhe ka ndodhur. Pushteti i II-të i Berishës duket ka instaluar lidhje edhe më të thella me krimin. Gërdeci nuk ishte një aksident i zakontë. Ai ishte aksidenti por edhe fataliteti i një trafiku kriminal. Tashmë po shihet më qartë se, për shkak të lidhjeve me krimin, lëvizjet dhe politikat e qeverisë po kushtëzohen gjithnjë e më hapur nga nevoja e pengimit të hetimeve të pavarura të Gërdecit, nga një strategji që është e kundërt me atë të sugjeruar nga Uashingtoni "për të dalë përgjegjësit, cilët do qofshin ata". Jo rastësisht, pas tragjedisë së Gërdecit janë shtuar përpjekjet e "Tano Karidit" për të kontrolluar veprimet e Kryeprokurores "Silvia Konti", për të cilat amerikanët shqetësohen me të drejtë. Jo rastësisht edhe folësja arrogante e Kuvendit, Jozefina Topalli, i dërgon "udhëzime" skandaloze Kryeprokurores se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të hetojë. Pas këtyre tentativave tiranike që nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracitë liberale të NATO-s dhe BE-së, nuk mund të mos lindë natyrshëm dyshimi për një bashkëfajësi me këtë krim të llahtarshëm në kokë të qeverisë së PD dhe aleatëve të saj.
***
Faktet flasin se nuk duhet pasur iluzion për një ndryshim të tretë të Berishës dhe pushtetit të tij. Kjo u duk qartë nga reagimi i djeshëm i Kryeministrit kundrejt kritikave të SHBA. Ashtu sikundër pritej, Berisha jo vetëm hodhi poshtë kritikat për cenimin e pavarësisë së institucioneve, por këmbënguli se Shqipëria nuk ka pasur kurrë institucione më të pavarura se sot. Dëshmohet kështu se gjithë strategjia e kapjes së institucioneve që po kritikohet nga SHBA nuk është një gabim, por një bindje e Kryeministrit. Ndaj jo vetëm si deri më sot opozita, shoqëria civile, por edhe ndërkombëtarët duhet të përgatiten për ballafaqime të reja me pushtetin e një njeriu dhe klani, që në prag të katastrofës së vitit 1997 një gazetar britanik i "The Independent", e ka cilësuar si një regjim gangsterësh të përfshirë në kontrabandë armësh, droge dhe nafte. Kohët provuan se as Berisha dhe as pushtetet e tij nuk mund të ndryshojnë natyrë. Dhe një nga gjërat e para që duket se bëri sa u rikthye në pushtet, ishte rivendosja, nëpërmjet aleatit të tij më të ngushtë, e lidhjeve të vjetra të pushtetit me trafiqet.
Ndaj nuk ka shpresa se Berisha dhe pushteti i tij mund t‘i rikthehen me sinqeritet dhe devocion demokracisë. Nuk e kanë pasur kurrë atë qëllim dhe sot akoma më shumë. Demokracia është integrim, por nga ana e tij integrimi është armiku kryesor i autoritarizmit. Ndaj autoritarizmi berishist shfaqet sot si pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE, si armiku kryesor i integrimit. Është naivitet të shpresosh konsensus mes autoritarizmit dhe integrimit. Që të hyjë në NATO, që të fitojë integrimi, duhet të mposhtet autoritarizmi. Në fakt sot në Shqipëri, kryesisht për shkak të Berishës dhe klanit të tij por jo vetëm të tyre, ndodhen prej vitesh përballë dy alternativa: demokracia liberale dhe autoritarizmi. Demokracia liberale kërkon jo zgjedhje të lira e të ndershme, Berisha është përpjekur (mjerisht me sukses) prej vitesh t‘i manipulojë ato. Kështu lakmon të grabisë dhe zgjedhjet e ardhshme. Është pjesë e një plani djallëzor dhe jo një rastësi, që Berisha nuk e mbajti premtimin e bërë në shtator 2005 se do përgatiste infrastrukturën zgjedhore, listat e zgjedhësve dhe kartat e identitetit që në vitin e parë të qeverisjes.
Demokracia liberale kërkon kufizim pushtetit të qeverisë, Berisha është sot njeriu që komandon jo vetëm ekzekutivin por edhe legjislativin, ndërkohë që kërcënon gjyqësorin. Demokracia liberale kërkon ndarje pushtetesh, Berisha po i bashkon të gjitha pushtetet në një dorë të vetme. Prandaj edhe propozoi dhe arriti të ndryshojë (sa keq që me ndihmën e PS) edhe Kushtetutën në 21 prill. Demokracia liberale kërkon gjyqësor të pavarur, Berisha po përpiqet pa fund të kapë Gjykatën e Lartë dhe të mposhtë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Demokracia liberale kërkon prokuror të pavarur, Berisha po përgatitet të poshtërojë dhe denigrojë institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm me një ligj tjetër që përgatitet ta miratojë me dhunën e kartonit. Demokracia liberale kërkon media të pavarura, Berisha i shantazhon mediat me presione fiskale, shantazhon me largim të familjarëve nga punërat publike ata gazetarë që nuk pranojnë t‘i shërbejnë për t‘u shndërruar në kuaj Troje të Kryeministrit brenda kështjellës së pushtetit të katërt. Demokracia liberale nuk bëhet dot pa një klasë të pavarur biznesi, pa një borgjezi të pavarur nga pushteti, Berisha ka skllavëruar dhe trembur të gjithë botën e biznesit. Dhe pasi ka përdhunuar liberalizmin kushtetues në 21 prill, Berisha gjakon ta përdhunojë edhe një herë demokracinë në 2009-ën, si në maj të 1996-ës. Natyrisht nuk do që "ndërkombëtarët" të jenë dëshmitarë të këtij krimi, prandaj kërkon të kufizojë mandatin e OSBE-së. Sepse është një përplasje mes dy botësh.