Në faqet e gazetave dhe eteret e mediave po shtohen zërat që përflasin një rikthim mesianik të Fatos Nanos në Shqipëri dhe në politikë. Nuk është e vështirë të dallosh që shumica e këtyre zërave, që e lajmërojnë kthimin e liderit "gjigant" dhe historik si një shpëtim, i përkasin asaj kategorie politikanësh që për vite me radhë, janë ushqyer në grazhdet e pushteteve të Nanos. Ndaj ndonëse e komentojnë rikthimin e Nanos si një domosdoshmëri për bashkimin e së majtës dhe shpëtimin e Atdheut nga sundimi i sulltan Saliut, në fakt, hallin e kanë te rikthimi i parajsës së humbur korruptive që gëzonin kur Nano ishte në majë të pushtetit. Por ajo që habit nuk është kjo.
I habitshëm është guximi që kanë këta njerëz për t‘i ofruar si shpëtim së majtës dhe shqiptarëve, një lider të dështuar që me keqqeverisjen dhe papërgjegjshmërinë e vet proverbiale, bëri të mundur atë që nga shumëkush gjykohej dhe shpallej e pamundur (madje edhe nga vetë Nano), rikthimin në pushtet të Berishës, të një lideri tjetër edhe më të dështuar, edhe më katastrofik për fatet e Shqipërisë. Kjo është habia që lind nga ballafaqimi i bilanceve politike me rikthimin "shpëtimtar" të Fatos Nanos. Por është dhe një habi tjetër që buron nga ballafaqimi i këtij rikthimi në vjeshtë, me parimin demokratik të rotacionit të lidershipeve. Sepse nuk mund të mos habitesh sesi, pas 18 vjetësh që nga përmbysja e komunizmit, ka ende njerëz (që e quajnë veten politikanë) që kërkojnë të gjejnë shpëtimin e shtetit dhe demokracisë liberale, te liderët më fillestarë të tranzicionit dhe pra ironikisht, te përgjegjësit kryesorë për këtë tranzicion autoritarist të mbushur me trauma, turp dhe mjerim.
Ka mbi 10 vjet që demokracia në Shqipëri nuk po arrin t‘i largojë liderët e stërvjetruar nga timonët e shtetit dhe të politikës. Dhe largimi i Fatos Nanos dhe Sali Berishës nga majat e politikës dhe qeverisjes nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me performancën e tyre të dështuar. Është më shumë se kaq. Qëndrimi i tyre kaq gjatë në lidership mbetet një precedent i rrezikshëm antidemokratik, paçka se edhe Nano edhe Berisha, përpiqen ta maskojnë jetëgjatësinë e tyre anormale si udhëheqës me "demokraci". Tashmë duhet të kërkosh me qiri në gjithë tranzicionin lindor, që të gjesh në krye të ndonjë partie dhe ndonjë shteti, liderë të fillimit të viteve ‘90 të shekullit të kaluar.
Emrat Berisha dhe Nano ngjallin jo pak habi te të huajt, që, pas një kontakti në vitet e para të tranzicionit postkomunist, por të ndërprerë më pas, rivendosin lidhjet dhe informohen mbi zhvillimet e mëpastajme në Shqipëri. Berisha?...Nano? Pyesin dhe habiten kur mësojnë se janë po ata emra të fillimit të tranzicionit antikomunist pra, të një tranzicioni që do na çonte nga një sistem ku liderët nuk ndërroheshin deri në vdekje, në një sistem ku ata nuk mund të mos ndërrohen për shkak të vetë natyrës, thelbit konkurrues të sistemit, të demokracisë. Edhe në qofshin gjeni të politikës. Tashmë dihet se shumica e liderëve perëndimorë nuk largohen nga drejtimi i punëve për paaftësi. Herë është forca e sistemit demokratik ajo që e imponon një gjë të tillë, herë kufizim mandatesh qeverisëse në kohë. Kështu ndodh në SHBA, ku Xhorxh Uashingtoni nuk pranoi kur e lutën të qeveriste për një mandat të tretë, duke ndjekur shembullin e strategut romak Cincinati. Një herë tjetër është konkurrenca e brendshme partiake (si në rastin Bler në Britani) dhe në të tjera raste janë nevojat e ciklit politik që imponojnë largimin e liderit. Asnjëherë demokracia liberale nuk ka bërë gabimin ta shohë shpëtimin apo suksesin e saj afatgjatë, te një apo dy liderë të vetëm. Përkundrazi, te liderët afatgjatë demokracia liberale percepton rrezikun e fundit të vet. Prandaj ajo e kufizon pushtetin e një lideri, politikani apo qeveritari jo vetëm në hapësirë (pra në raport me pushtetet e tjera) por edhe në kohë, duke mos e lënë në pushtet aq gjatë sa të bëhet i rrezikshëm për demokracinë, duke klanëzuar politikën, duke akumuluar pasuri dhe servilizëm rreth vetes (thuajse e pashmangshme kjo në shtete shumë të varfra si Shqipëria me përqindje të ulëta shtresash të mesme dhe të lira qytetarësh) duke korruptuar dhe skllavëruar pushtetet që janë fabrikuar pikërisht që ta kontrollojnë. Demokracia nuk i ka mbështetur kurrë shpresat te një "shpëtimtar", te një "Mesia" që, pas një mërgimi të gjatë për qejfe e lodra, kthehet me pallë zhveshur si një "Skënderbe" për të dërrmuar armiqtë dhe shpëtuar demokracinë. Edhe vetë heroi kombëtar i shqiptarëve pati modestinë dhe zgjuarsinë t‘ia dedikonte çlirimin nga e keqja jo vetes së tij, jo kthimit të tij të magjishëm kur i thoshte shqiptarëve: "Lirinë nuk ja ua solla unë, atë e gjeta këtu mes jush". Mbi 700 vjet më vonë ne kemi ende njerëz, dhe për më tepër politikanë, që përpiqen të na mbushin mendjen se shpëtimi do të na vijë nga një "pallë".
Po ata bëjnë punën e Nanos dhe të Berishës që i kanë lidhur përfundimisht fatet e tyre. T‘i shërbesh sot Nanos do të thotë t‘i shërbesh Berishës. Do të thotë t‘i shërbesh dy klaneve politike me një të kaluar tashmë shumë të dyshimtë, të mbushur plot krime të pazbardhura dhe korrupsion të pandëshkuar. Të punosh që sot të rikthehet në lidership Nano do të thotë që të zgjatësh jetën e Berishës pikërisht kur ai po prek fundin për shkak të skandaleve me thelb mafioz (si Gërdeci) të qeverisjes së tij të dështuar. Do të thotë të rifutësh në skenë një tjetër lider jetëgjatë në momentin kur kupa e kohës për Berishën po derdhet. Të risjellësh një lider të ikur, për të shpëtuar një lider në ikje. Pse më kot thotë Berisha për Nanon se ai është lideri "de facto" i opozitës? Kjo harmoni interesash mes Berishës dhe Nanos është provuar edhe nga lëvizjet e atij që në Kuvend, u quajt grupi i deputetëve të Nanos. Vota e tyre shkoi sipas skemës së Berishës (madje u fol edhe për shitblerje të votave) kur ishte puna për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Edhe lëvizja më e fundit e një pjese të partizanëve të Nanos, që krijuan një grupim të ri parlamentar për të balancuar rrjedhjen e votave nga demokristianët, është pa koment në favor të Berishës.
Skenari si dje, edhe sot, është mjaft i qartë. Në vitin 1997, Nano rikthehet në pushtet për shkak të katastrofës së shtetit që kishte për kryeautor Presidentin autoritarist Berisha, i cili bëri një kalkulim pushteti sa të duash cinik, por fatalisht të gabuar, duke lënë të lulëzojnë, si askund në botë, piramidat financiare. Nano premtoi t‘i shpëtonte shqiptarët nga autoritarizmi i Berishës. Më pas ishte Berisha që, pasi kish kryer edhe një grusht të dështuar shteti (që askush se ndëshkoi) rikthehet në pushtet, duke premtuar të shpëtojë popullin dhe demokracinë (çfarë shakaje!) nga korrupsioni i qeverisë së Nanos. Sot është Nano që kërkon të ofrohet përsëri si "shpëtimtar", duke u përpjekur të gjejë terren te zhgënjimi i gjerë që ka shkaktuar korrupsioni shpërthyes dhe vrasës i Berishës. A nuk është ky një pingpong tragjikomik, ku fati i Shqipërisë është një top që herë ia gjuan Berisha-Nanos dhe herë Nano-Berishës? A nuk është ky një pingpong ku herë i fal Berisha pikë Nanos dhe herë Nano-Berishës? Kjo është demokracia? Ku është rotacioni i liderëve, ku janë lidershipet e reja që një situatë me të vërtetë demokratike në partitë politike do t‘i pillte me bollëk?
Që në PD as mund të flitet për demokraci të brendshme, për një lider të ri të partisë, është bërë e qartë prej kohësh. PD tashmë është formatuar si një klan, si një tribu ku kryetari mbetet i tillë deri sa, sikundër është shprehur vetë, "ta thërrasë Mëshirëploti". Figura të shquara në PD e thonë me plot gojë, pa u bërë më merak se një gjë e tillë përbën një sakrilegj leninisto-bolshevik, se tani për tani, nuk mund të ketë PD pa Berishën si kryetar të saj. Jo vetëm partitë bolshevike, por edhe mafiet i ndërrojnë ndonjëherë me shpesh kryetarët dhe padrinot e tyre. Ndërkaq e majta shfaq një dinamikë tjetër. Ndërsa e djathta duket më e totalitarizuar dhe e grupuar në mënyrë më satelitiste rreth PD, në gjirin e së majtës, për shkak të një diversiteti dhe lirie, pra dhe konkurrence më reale për lidershipin, janë krijuar parti me peshë të konsiderueshme në elektorat sikundër, LSI. Prandaj edhe bashkimi i së majtës nuk mund t‘i ngjasojë bashkimit të tipit tribalo-stalinist të së djathtës rreth Berishës.
Bashkimi i së majtës në zgjedhjet e ardhshme nuk mund të jetë rrjedhojë e vullnetit të një lideri, që aleatët i nënshtrohen edhe kur ky ia dhunon interesat. Bashkimi i së majtës nuk mund të jetë meritë e një lideri të vetëm qoftë ky edhe një "Skënderbe". Aq më tepër nuk mund të jetë meritë e liderëve jo që jo historikë, por historikisht të dështuar si Fatos Nano. Bashkimi i së majtës në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë fryt i politikës dhe negocimeve mes lidershipeve reale të partive të së majtës. Dhe kur flitet për politikë, flitet për harmonizim të interesave të veçanta partiake (pa i sakrifikuar ato) me interesin e prioritar që është rotacioni i pushtetit. Nëse lidershipet e partive të majta do të tregohen të paafta të gjejnë kohezionin që imponon momenti politik, atëherë humbja do të jetë e shumëfishtë. Berisha, ndonëse mjaft i diskredituar, nuk do të largohet nga pushteti. Por nuk do të largohet as nga lidershipi i partisë së tij. Fitorja e demokracisë liberale mbi autoritarizmin do të vazhdojë të jetë në pikëpyetje. Dhe nuk duhet harruar se këtij të fundit i rriten shanset për triumf dhe mposhtjen përfundimtare të demokracisë dhe institucioneve të saj, në raport të drejtë me kohëzgjatjen e qëndrimit në pushtet. Bashkë me Berishën do të qëndrojnë në qarkullim edhe legjendat e mitet me shpëtimtarë që pritet të mbërrijnë një ditë nga pushimet e gjata, me liderë "gjigantë", me Herkulë të politikës, me Mujë, Halilë dhe me... Nano që gjigant mund të jetë për ca sahanlëpirës, por gjigant nuk është. Madje edhe pamja dhe mbiemri i tij e kundërshtojnë këtë apelacion servilësh.