Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zhgjëndërr e një nate vere

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 17 vite më parë

Fatos Baxhaku
Zhgjëndërr e një nate vere

A ju ka ndodhur ndonjëherë të silleni e të mbështilleni në shtrat, duke luftuar me djersën dhe vapën, në pritje që të vijë e t‘ju marrë gjumi i bekuar? Me siguri që po. Sidomos në këto netët e dreqosura të këtij gushti të vaposur. Asgjë nuk të bën derman, as koka në çezmë, as cigaret pa fund, as Digitalbi, as…, asgjë me pak fjalë. Vetëm ndonjë libër mund të të bëjë të harrosh disi ajrin mbytës. Kështu na ndodhi edhe ne këtu e do net më parë. Faqet e një libri, që ka dalë tash së fundi në libraritë tona, u mbyllën vetëm andej nga orët e para të mëngjesit. Libri ishte shumë mirë i kopsitur, por edhe hera-herës i frikshëm në kthjelltësinë e tij. Ishte nga ata që të shtyjnë gjatë në mendime. Të dhënat e tij janë: Robert D. Kaplan, "Anarkia që po troket. Shkërmoqja e ëndrrave të pas Luftës së Ftohtë", Albanian Institute for International Studies, Përkthyer nga: Alba Çela, Virgjil Muçi, Tiranë 2008, 220 faqe, 800 lekë. Kaplan është një ndër mendjet më pjellore të shtypit matanë oqeanit. Në librin e tij flitet për ndryshimet e mëdha që pasuan pas rënies së Murit të Berlinit, por më shumë shkruhet me frikë për ato që pritet të ndodhin në dekadat e ardhshme. Nuk është një libër optimist, përkundrazi, mbase ca si tepër pesimist.

I parë nga një këndvështrim thellësisht amerikan, por jo politikisht amerikan, realiteti që na përcjell Kaplan është një realitet që luhatet mes atyre që priste bota mbarë në gjithë këto vite, mes atyre që kanë ndodhur dhe mes atyre që priten të ndodhin. Këto të fundit Kaplan i ka përfshirë në një fjalë të vetme: anarkia. Në këtë libër bota është e parë që nga lart, nga shumë lart dhe mbase pikërisht për këtë Shqipëria jonë nuk përmendet në asnjë rast. E megjithatë, pyetjet e frikshme që shtron Kaplan kanë të bëjnë edhe me ne. Përse në vende të brishta demokratikisht e të varfra, si në Afrikë apo në Azi, sa herë që janë vendosur sisteme demokratike, liberale, sipas modeleve të huaja, në vend që të kishim stabilitet ka ndodhur gjithnjë e kundërta. Gjenocidi, kriza e urisë, puçet ushtarake kanë zëvendësuar sakaq sistemet e brishta parlamentare. Përse rritja ekonomike është shumë herë më e madhe në Kinën autaritariste njëpartiake sesa në Evropën lindore demokratike? A duhet të aplikojmë apo të pranojmë edhe ne sistemin e "diktaturës parlamentare", atë në të cilin gjërat vendosen jashtë parlamentit dhe vetëm formalisht riciklohen në Parlament? A na duhet ende një "dorë e fortë", figura e një lideri që vendos për gjithçka dhe për çdo gjë? Apo këto gjëra tashmë i kemi miratuar prej kohësh?

"Shkërmoqja e ëndrrave" shkruan Kaplan nën nëntitullin e librit të tij. "Endrrat e shkërmoqura" të Kaplanit nuk janë gjë tjetër veçse zhgjëndrrat tona. Teksa presim freskinë e agimit, rrimë e kujtojmë se sa shumë ëndrra kishim në dhjetorin e furishëm të ‘90-ës dhe pikërisht prandaj se sa shumë zhgjëndrra kemi tani. Asokohe ëndërruam se më në fund kishte ardhur koha që jeta jonë, e të gjithë shqiptarëve, të mos varej më nga ata që dilnin nëpër tribuna duke thënë fjalë të mëdha mashtruese. Zhgjëndrra përkatëse e kësaj ëndrre është zëvendësimi i tribunës së 1 Majit me shumë të tilla anë e mbanë vendit, apo me daljen në televizor të liderëve që përsërisin të njëjtat gjëra, që kanë vite që i thonë.

Një tjetër ëndërr ishte që jeta jonë të mos ishte kaq e ndikuar nga politika, por nga puna dhe aftësitë e gjithsecilit, duke qenë në garë me shanse të barabarta. Zhgjëndrra e kësaj ëndrre të kotë është varësia e thellë partiake. Nëse je mësues dhe do të ruash vendin e punës, duhet të votosh për partinë e ministrit, përndryshe ka shumë mundësi që nga mësues, në rastin më të mirë, të përfundosh bojaxhi. Mësuesit këtë e dinë shumë mirë dhe e pranojnë kokulur.

Ne ëndërruam se do të vinte shpejt një ditë, kur vullneti i popullit do të vendosej me zgjedhje të ndershme dhe të lira, madje duke shkuar aq larg sa që të besonim se vetë demokracia është baras me zgjedhjet e lira. Kjo nuk ka ndodhur dhe ka shumë gjasë të mos ndodhë sa kohë që parimi i vetëm i kundërshtarëve politikë është që "t‘ia fusim, sa kohë nuk na e kanë futur".

Ne besonim realisht se liderët shqiptarë të mijëvjeçarit të ri do të hiqnin dorë nga ideja ofenduese "populli s‘është gjë tjetër veçse një turmë". E kishim gabim, liderët tanë ende besojnë se mund të na e hedhin duke prerë shirita - janë të gatshëm t‘i presin ata qoftë edhe për së gjati, mjafton që të dalin sa më shumë në tv - sa herë që munden, duke sajuar ture nëpër fshatra e qytete, ku thonë broçkulla lloj-lloj, që nisin që nga mafia, vazhdojnë me NATO-n e përfundojnë me zarzavatet e stinës. Me një fjalë, atyre u është mbushur mendja se përballë kanë një turmë të etur për të dëgjuar broçkullat e tyre, apo për t‘i shtrënguar dorën. Puna është se shumë herë kanë të drejtë dhe kjo është një zhgjëndërr edhe më e fortë.

Ne kujtonim, si të marrë që ishim, se vitet që do të pasonin ‘90 do t‘u sillnin shqiptarëve dinjitetin e humbur prej një gjysmë shekulli. E kishim gabim, sigurisht. Njerëzit tanë që punojnë jashtë e dinë fort mirë se kjo nuk ndodhi. Shtoi këtu edhe zullumet që bëjnë disa prej nesh, ëndërrimtarë të një lloji tjetër, të pasurimit të shpejtë dhe me çdo mjet, pastaj edhe zënkat e politikës që sa herë nxehet në vend që të kritikojë kundërshtarin nis e shan pa të keq vendin e saj si vend trafiqesh të pista, kurvash të trishta dhe banditësh pa fre.

Këto radhë shumëkujt mund t‘i duken shumë pesimiste, sidomos në këtë kohë kur plazhet gjallojnë nga hareja e pushuesve. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Ne hamë më mirë, vishemi më mirë, pushojmë më mirë. Shtëpitë tona shumë herë janë fort të këndshme. Makina personale tashmë është shndërruar si biçikleta dikur. Kjo është e vërtetë, porse ëndrrat e vërteta, ato të mëdhatë, kanë kohë që na janë shndërruar në zhgjëndrra.

Mos ia vini shumë veshin këtij shkrimi. Fajin për pesimizmin e ka Kaplani dhe libri i tij, i mbështetur fuqimisht nga vapa. Për fat, nata e gushtit ka nisur të kthejë pak dhe kështu do të kemi rast të shkruajmë edhe për gjëra optimiste. Të paktën kështu shpresojmë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama