Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

SHBA-te dhe matrica konspirative e shqiptareve

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
SHBA-te dhe matrica konspirative e shqiptareve

-Do ta mbajnë apo do ta largojnë amerikanët Sali Berishën vitin e ardhshëm? - më pyeti dikush dje në mëngjes.

-Ku e ke fjalën? Për Berishën votojnë shqiptarët, jo amerikanët - ia bëra unë, duke u shtirur sikur s‘po merrja vesh ku donte të dilte. Por ai e nuhati natyrën shtinjake të përgjigjes sime, dhe m‘u drejtua me një ton çarmatosës:

-Ore analist, pse bën sikur s‘kupton? Ku kemi gjë në dorë ne? Janë amerikanët ata që vendosin.

U ndava nga ky qytetar, dhe zura të mendoja: Përderisa çdo gjë që ndodh këtejpari, ky gentleman e sheh si frut të vullneteve apo kapriçove të huaja, pse dreqin më thërret analist? Ç‘ka për t‘u analizuar në këtë mes? Apo thjesht humour-i i amerikanëve?


***

Nuk është hera e parë që ballafaqohem me një situatë të tillë. E nuk duhet menduar, që bartësit e kësaj logjike janë shqiptarë pak të rafinuar. Absolutisht jo. Edhe shumë njerëz të tjerë ku e ku më të sofistikuar në pikëpamje intelektuale e kulturore, janë po kaq të sigurtë mbi përthyerjen konspirative të zhvillimeve shqiptare. Dhe kjo vërehet tek shprehjet kapitullante të llojit: "janë amerikanët ata që e vendosin fituesin e zgjedhjeve parlamentare", ose "duhet besuar, që amerikanët nuk do të lejojnë manipulimin e zgjedhjeve", ose "Berisha/Rama i kanë punët keq/mirë me amerikanët", ose "hetimit të Gërdecit do t‘i shkohet deri në fund, pasi këtë punë e kanë marrë në dorë amerikanët", ose "suksesi/dështimi i politikanëve shqiptarë përcaktohet në Washington", e kështu me radhë.

Ky stil të menduari e të arsyetuari ka rrënjë të thella në historinë tonë. Gjithë trashëgimia jonë politike, ajo e kultivuara dhe ajo folklorike, karakterizohet më së shumti prej një fryme të thellë konspirative; dhe nuk merret vesh qartë, nëse është kjo frymë konspirative, që ka prodhuar e prodhon prore ligështim, dobësi, zbythje e dorëzim kolektiv, apo janë këto të fundit që prodhojnë frymën konspirative.

Por nuk është vetëm trashëgimia. Stili i të menduarit e të arsyetuarit konspirativ theksohet më shumë edhe nga një protagonizëm i skajshëm i ambasadorëve amerikanë, të cilët ushtrojnë pushtet e ndikim në Tiranë shumë më tepër se sa njerëzit e shquar apo të zgjedhur të këtij vendi. Dhe është mirë të mos na dalë nga mendja, që ky protagonizëm nuk e ka burimin tek ndonjë përpjekje e tyre për të shtypur e për të shpërfillur vullnete e energji të forta lokale; përkundrazi, e ka burimin tek mungesa e këtyre vullneteve dhe energjive lokale. E për këtë arsye, ky protagonizëm nuk na lëndon asnjë çikë; përkundrazi, na ngushëllon sa të duash. Dhe me këtë - po kthehem me ngut tek argumenti im - nuk bëjmë gjë tjetër, veçse motivohemi ca më shumë për të sajuar e besuar matricën konspirative.

Kjo matricë konspirative nuk është pa gjë, por në këtë mes është vendi për një saktësim, që nuk para bëhet: SHBA-të, ashtu si dhe vendet anëtare të BE-së (ndryshon pak puna me BE-në vetë, e cila është një entitet mbi e përtej nacional), përpara se të jenë në merak për fituesin potencial të zgjedhjeve apo për përgatitjen e ecurinë demokratike të këtyre zgjedhjeve, janë në merak për interesat e tyre kombëtare. Në këtë kuptim, nuk është çudi që në një numër rastesh e rrethanash, shqetësimet e tyre mbi dobësitë demokratike apo institucionale të vendeve si Shqipëria të jenë poza e dëngla për të maskuar motivimin e tyre kryesor, dmth interesat e vendit të tyre. Në terma më konkretë, nuk e teproj po të them, se për një ambasador amerikan në Tiranë, demokracia liberale në Shqipëri vlen më pak se sa investimi më shumë se një miliard dollarësh i kompanisë amerikane Bechtel. Me këtë shpjegohet heshtja e ambasadës amerikane, kur kryeministri ynë, i ndodhur përballë kërkesës së opozitës për të shpjeguar abuzimet e hamendësuara me fondet kolosale të rrugës Durrës-Kukës, u shpreh me një gjuhë coë-boys-ish: mos i krruani brirët me Bechtel-in.

Por le të ndjekim këshillën e Berishës, e le të mos "i krruajnë brirët" me Bechtel-in. Le të ecim më tutje. Përpara disa muajsh, ambasadori amerikan, teksa darkonte me një numër gazetarësh, i futi një goxha të pickuar kryeministrit tonë. Dhe ky pickim nuk ishte një lapsus linguae; përkundrazi, ishte një shpërthim i medituar dhe i programuar nga ana e tij. Mirëpo u mor vesh shpejt, se kishim të bënim me një kuturisje individuale, e me ç‘është dukur, për këtë i ka hequr veshin ndonjë big-wig i Washington-it. Po si është e mundur? Nuk e dinë në Washington se kush është Sali Berisha? E dinë që ç‘ke me të. Dinë edhe më shumë se sa kaq. Por puna është që Sali Berisha është shndërruar më në fund në një plastelinë, me të cilën ata mund të lozin si të duan. Dhe amerikanët janë të përgjëruar për burra shteti prej plasteline në vende si Shqipëria. Nuk është se ata janë të kënaqur që Sali Berisha ka ngritur një regjim autokratik, por nga ana tjetër nuk është se e vënë ujin në zjarr për kokëçarjet demokratike të një grushti shqiptarësh.

Ka dhe një gjë tjetër. Në axhendën e tyre, një Shqipëri e qëndrueshme është një përparësi më e madhe se sa një Shqipëri demokratike. Amerikanët janë përherë të prirur të bëjnë atë që është më e mundshme, e jo atë që është më e drejtë. Dhe një Shqipëri e qëndrueshme është më e mundshme se sa një Shqipëri demokratike. Kjo e fundit, dmth Shqipëria demokratike, është - për ta - tekanjoze dhe e pabesë, ngaqë mund të sjellë në pushtet politikanë, të cilët, në ndryshim nga Berisha, nuk dihet se cilët janë e se çfarë synojnë. Berisha pra, edhe për amerikanët është një plehrë, por një plehrë, me erën e së cilës janë mësuar; shkurt, për t‘i qëndruar besnik një cliché-je të njohur ndërkombëtare, "është një plehrë e tyre".

Me sa më sipër nuk është se "po krruaj brirët" me amerikanët, s‘ka gjë se do doja që diplomacia e tyre të kishte një frymëzim më idealist e më moral. Ata janë në të drejtën e tyre, ashtu siç ishte në të drejtën e vet Tom Ridge, i cili erdhi në Tiranë në rolin e një konsulenti për të lidhur një kontratë të majme punësimi me qeverinë shqiptare (edhe sot e kësaj dite nuk dimë se sa është paguar Tom Ridge, ashtu siç nuk dimë nëse paguhet ende). Por dimë amá, që Tom Ridge është reanimatori i Sali Berishës. Aq i bën atij që Sali Berisha është ky që është. Honoraret i ka futur tanimë në xhep. E në këmbim çfarë dha? Solli mikun e tij, George W. Bush, në Tiranë, i cili i bëri një bojatisje të mirë fytyrës së Sali Berishës. Dhe ishte Tom Ridge, ky klient par excellence i Sali Berishës, që për pak u zgjodh kandidat për zv.President i Partisë Republikane. S‘ke ç‘i bën. Kjo është Amerika, Amerika e institucioneve qindra vjeçare, Amerika e demokracisë, e ligjeve dhe e institucioneve, Amerika e vlerave dhe ideve të mëdha, por dhe Amerika e Tom Ridge-ëve dhe e mentorëve të tij (familjes Bush), të cilët ai na i bën edhe mentorë të Sali Berishës. Mjerë Amerika për ta? Afërmendsh, jo. Amerika ua ka gjetur ilaçin të paudhëve të tillë (e shumta, i mban tetë vjet, dhe i flak në koshin e historisë).

Pse sillen kështu amerikanët? Në radhë të parë, busulla e tyre janë interesat nacionale. Në radhë të dytë, atyre nuk u mbushet mendja asnjë çikë prej kapaciteteve politike, demokratike, civike e civile të shqiptarëve; ata gjithashtu nuk duan t‘ia dinë për atë Shqipërinë tjetër, për atë Shqipërinë e ndryshme nga establishment-i sundues, e cila beson se demokracia liberale, jo vetëm duhet, por edhe mund, të prodhojë stabilitet politik për vendin e tyre, dhe se stabiliteti politik "i dhuruar" nga regjimet autokratike është një stabilitet i rremë, mashtrues. Ky lloj stabiliteti, edhe sikur të injoronim faktin që ngrihet mbi dhunimin e parimeve të demokracisë liberale, mbetet megjithatë një stabilitet që nuk zgjat shumë e që mund të pëlcasë si një tollumbace nga një moment në tjetrin. Kështu ndodhi në vitin 1997, e nuk është çudi të ndodhë përsëri pas një viti. Farat e një drame të tillë ekzistojnë: Sali Berisha është në pushtet, dhe ca miq të tij amerikanë janë të kënaqur me këtë fakt po aq sa ai vetë.

Do të guxojë Berisha t‘i vjedhë zgjedhjet e vitit të ardhshëm? Do të guxojë që ç‘ke me të. Nuk ka rrugë tjetër. Këtë herë, për dreq ka dhe një motivim shtesë për të, i cili edhe i vetëm do të mjaftonte për ta bërë të tentojë grabitjen me çdo kusht të zgjedhjeve: familja e fisi i tij, me frymëzimin e me ok-in e tij, janë të nakatosur rëndë në një numër të pafundëm aferash të errëta. E në këtë kuptim, pushteti është panciri më i mirë për këtë familje të u-bu-bu-shme.

Çfarë do të bëjnë amerikanët në rrethana të tilla? Do të bëjnë sehir? Nuk është çudi të bëjnë sehir. Gjithçka varet nga pesha e miqve - më saktë, klientëve - të Berishës në Washington. Një shpresë mbetet tek ndërrimi i kuajve në shtëpinë e bardhë, por edhe kjo mbetet një shpresë e vogël dhe e vakët. Barack Obama, ashtu si të gjithë Peresidentët amerikanë, nuk mund t‘i shpallë luftë makinës së madhe të lobing-jeve, e cila përbën një rekuizitë të vjetër të demokracisë amerikane. Kjo është dhe makina e tij, në fund të fundit, që po e çon drejt fitores. Dhe ku ka lobing-je, nuk ka ideale e nuk ka moral. Ka vetëm interesa. Rrjedhimisht, soji i Tom Ridge-ëve është soji i pavdekshëm.

Vetëm shqiptarët mund e duhet t‘i dalin për zot vendit të tyre; vetëm kështu, edhe amerikanët do të kuptojnë se në këtë provincën tonë ka një vullnet, që është më i fortë e më premtues se sa vullneti i një familjeje mafioze. Nëse nuk shohin mobilizimin e shqiptarëve në mbrojtje të demokracisë, të ligjeve, të institucioneve, amerikanët do të vijojnë të bëjnë atë që kanë bërë e atë që dinë të bëjnë: të mbrojnë thjesht interesat e tyre. Këtë mund ta bëjnë edhe me një njeri si Sali Berisha. Madje, mund ta bëjnë më mirë me një njeri të tillë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama