Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur Nexhmija trazon dynjane

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Kur Nexhmija trazon dynjane

E ndoqa copa-copa e me gjysmë vëmendjeje intervistën e Nexhmije Hoxhës. Dhe më duhet të them se, në ndryshim nga të gjithë ata që kanë reaguar me zemërim e me tërsëllëm gjatë ditëve të fundit, unë nuk e gjeta veten asnjë çikë të fyer apo skandalizuar. Në këtë vendin tim, i cili ka gati njëzet vjet që nuk jeton më nën hyqmin e Nexhmijes e burrit të saj, ka plot gjëra të tjera, të cilat të fyejnë e të skandalizojnë shumë më tepër se sa të shohësh fytyrën apo të dëgjosh zërin e Nexhmije Hoxhës.

Po ajo është skandaloze, pasi nuk thotë asnjëherë të vërtetën! - ky është një nga arsyetimet e bëra këto ditë. Po ç‘është ai shqiptar, që bëhet gati të ndjekë një intervistë të Nexhmije Hoxhës, dhe na jetoka me iluzionin se do të dëgjojë të vërtetën? Hoxha tha ato që pritej të thoshte. Ajo, ashtu si gjithë soji i saj, nuk di ç‘është introspeksioni e empathia, e kjo është arsyeja që në ligjërimin e tyre publik, ata nuk të zhgënjejnë kurrë; në rastin më të mirë, ky ligjërim është gjithë herën një litani e mërzitshme e monotone.

Më anë tjetër, edhe Rudina Xhunga bëri punën e vet. Po, s‘do bënte keq të ishte më tonike e s‘do bënte gabim t‘i bënte një mbulim më të rreptë finteve, dhelpërive e gjuhës së njelmët të personazhit problematik, por në këtë kuptim të gjitha intervistat janë të diskutueshme. Ah, nëse ndokush priste që Rudina ta rrihte apo tërhiqte zvarrë Nexhmijen, duhet thënë që kjo nuk është punë për gazetarë.

Shumëkush këto ditë ka shtruar pyetjen: A është e udhës të intervistohet Nexhmije Hoxha? Nuk mendoj se duhet të kemi ndërdyshje në këtë mes. Mund të ketë personazhe të neveritshëm, por censurimi i tyre është një gjë edhe më e neveritshme. Përveç kësaj, N. Hoxha, sado ta kemi zët apo të urrejmë, është një personazh i historisë sonë. Mund të ketë gazetarë që, për motive nga më të ndryshmet, profesionale apo jo profesionale, e refuzojnë apriori ngasjen apo shansin për të intervistuar një personazh të këtij lloji, por gazetarët e tjerë që nuk ia prishin kësaj ngasjeje e që mirëpresin këtë shans, bëjnë një punë të lavdërueshme. Është e sigurtë që në rrethana të tilla do të ketë plot njerëz që trazohen e lëndohen, por është më e sigurtë akoma që pas nja pesëdhjetë vitesh, intervista të kësaj natyre kanë një vlerë të pazëvendësueshme dokumentare. Dhe kjo vlerë dokumentare është më e madhe, kur personazhe të kallëpit të Nexhmije Hoxhës intervistohen në pleqëri të vonë apo në prag të vdekjes.

"Po ajo nuk tha gjë prej gjëje. Ku qëndron dëshmia në këtë mes?" - mund të thuhet. Po, është e vërtetë, ajo nuk tha ndonjë gjë të re, nuk hodhi ndonjë dritë tjetër mbi atë që ka ngjarë, nuk tregoi se ka ndonjë brerje ndërgjegjeje e nuk bëri ndonjë mea culpa, por prapëseprapë, gjithë kuturisja e saj, përtej e pavarësisht pohimeve e qëndrimeve të mbajtura, është pa asnjë dyshim një dëshmi për historinë; është një dëshmi për historinë edhe look-u pleqëror (por i kuruar), edhe mendja dogmatike (por qiqër), edhe e gjuha e hidhur (por shpuzë), edhe ftohtësia kriminale (por e programuar dhe e llogaritur) e kësaj vejushe të pacipë. E kështu, puna e Rudina Xhungës, jo vetëm është e përligjur, por është dhe e lavdërueshme.

E vetmja gjë e qortueshme në këtë histori ka të bëjë me faktin, që Nexhmije Hoxha është lënë e lirë të qëllojë e të lëndojë shumëkënd me një timing fatal: ajo na e dha këtë shfaqje në prag të 100 vjetorit të lindjes së burrit të vet nam e gjëmë zi, duke synuar kështu të përcjellë si pa dashje tek pjesa jo e latuar e publikut asosacjonin e një mjedisi përkujtimor apo - më keq akoma - festiv. Xhunga do kish bërë mirë ta evitonte këtë përkim, ndoshta të kërkuar nga vetë e intervistuara. Po kështu, Xhunga apo dhe të tjerë do të kishin bërë mirë, që pak më pas të organizonin ndonjë debat mbi këtë intervistë. Nuk ka asnjë arsye për të censuruar personazhe të këtij kallëpi, por nuk ka gjithashtu asnjë arsye që "të vërtetat" e saj të mos i nënshtrohen filtrit të debatit publik.

Pjesë e reagimit të fortë anti-Nexhmije u bë dhe një protestë, që një komision i Etikës gazetareske, i ka dërguar KKRT-së. Në këtë protestë, të nënshkruar nga F. Lubonja, R.Lani e B.Hoxha, ngrihej zëri kundër shkujdesjes e dashamirësisë, me të cilën trajtohen ngjarje e personazhe të diktaturës komuniste në mass-media-n shqiptare. Nuk ka diskutim, që shqetësimi i tyre është me vend. Gazetat tona janë të dominuara nga një kureshtje e shpifur voyeur-iste ndaj bëmave e njerëzve të diktaturës.

Ka dy gjëra që e zhvleftësojnë këtë protestë, megjithatë. Së pari, motivi që e polli këtë protestë, edhe pse nuk thuhet, është intervista e Nexhmije Hoxhës. E në këtë kuptim, duket sikur janë bërë pjesë e asaj histerisë kolektive që lindi në shtypin shqiptar, e që synonte të shprehte mospajtimin me të drejtën e Nexhmije Hoxhës për t‘u shprehur. Së dyti, letra ishte adresuar tek KKRT-ja. Ç‘ka këtu që nuk shkon? Në fakt, formalisht gjithçka është ok. KKRT-ja ka tagrin dhe instrumentat për të ndërhyrë lidhur me këtë çështje. Por - këtu është radha e një por-i të rëndësishëm - përpara se të qahemi tek KKRT-ja për çikërrima të kësaj natyre, ne duhet të qahemi për KKRT-në për gjëra shumë më të rëndësishme. Thënë me fjalë të tjera, përpara se të na revoltojë një intervistë e Nexhmije Hoxhës, alias eksponente e regjimit komunist, ne duhet të na revoltojnë strukturat e mendësitë komuniste, të cilat kontrollojnë e komandojnë institucionet e qeverisjen.

Ja, unë po pyes: Ç‘është më revoltuese në kohët që po jetojmë, intervista e Nexhimje Hoxhës apo fakti që TVSH-ja vijon të jetë si televizioni i burrit të Nexhmijes në kohë të tjera? Ç‘është më revoltuese, të shohësh njëherë në dhjetë vjet Nexhmije Hoxhën tek jep një intervistë, apo të shohësh çdo ditë lajme që fillojnë me Saliun e që mbarojnë me Jozefinën? Ç‘është më revoltuese, të shohësh Nexhmijen që intervistohet në shtëpinë e vet nga një televizion privat, apo të shohësh kryeministrin shqiptar, që bën spote propagandistike me paratë e Lubonjës, Lanit e Hoxhës në televizionin publik? Cili komunizëm duhet të na trembë më shumë, ai i Nexhmije Hoxhës, i cili tanimë është arkivuar, apo komunizmi i Sali Berishës, i cili është më i frikshëm se kurrë falë edhe disa strukturave institucionale të zgjedhura e të kontrolluara prej tij. Një nga këto është dhe KKRT-ja, ku qahen tre kolegët e mi.

Me këtë rast, mora vesh një prej gjërave që më ndan nga këta kolegë: ata qahen tek KKRT-ja për Nexhmije Hoxhën, ndërsa unë nuk di ku të qahem për këtë KKRT.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama