Kryeministri Berisha ka dëshmuar edhe njëherë, tashmë në konfrontim edhe me aleatët më të rëndësishëm për Shqipërinë, se parimet e demokracisë dhe demokracia vetë, janë për të një fjalë goje, një gjethe fiku, për të maskuar hallatet e autoritarizmit. Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Withers, Kryeministri shqiptar (ndoshta ish-komunisti i vetëm në Lindje i toleruar çuditshëm deri më sot të zbatojë praktikat autoritariste të partisë shtet në demokraci), zgjodhi si mjet mbrojtës "diversitetin".
Nënteksti ishte ky: Ambasadori Withers nuk ka të drejtë, ato që ai thotë nuk janë të vërteta, por ne jetojmë në një botë plot larmi pikëpamjesh dhe askush nuk e ka monopolin e së vërtetës pra, as Withers. Avokatia është banale, sepse debati po zhvillohet mbi të vërtetën rreth parimit të ndarjes së pushteteve dhe jo për një të vërtetë universale që kërkon të monopolizojë të gjitha të vërtetat e kësaj bote. Edhe kur flet për të vërtetën Berisha gënjen. Por, për hir të së vërtetës duhet thënë se ambasadori Withers kritikoi ca hapa të qeverisë, që cenojnë ndarjen e pushteteve dhe në radhë të parë pavarësinë e prokurorisë. Demagogjikisht Berisha u kundërpërgjigj se pavarësinë e institucioneve nuk e kërcënon qeveria, por korrupsioni.
Një pyetje Kryeministrit: Po nëse qeverisja është e korruptuar? Pra, që të bindemi se nuk është qeveria ajo që kërcënon pavarësinë e institucioneve duhet të bindemi që ajo i ka vërtet duart e pastra. Dhe kjo nuk arrihet pa hetime të pavarura, që qeveria po përpiqet t‘i pengojë duke ngjallur kritika si ato nga SHBA-ja dhe ambasadori i saj në Tiranë. Por nuk po ndodh asgjë e re. E gjithë karriera politike e Berishës, tregon se parimet e demokracisë vihen në gojën e tij pikërisht në ato momente kur mund të manipulohen për të justifikuar praktika antidemokratike, fjala e demokracisë për të maskuar veprën kundër demokracisë, qeverisja - sundimin, "demokracia" - autoritarizmin, shumica - tiraninë, vota - vjedhjen e votës, "antikorrupsioni" - korrupsionin, "duart dhe paratë e pastra" - ato të pistat, vullneti popullor - vullnetin e Berishës, zemërimi popullor - grushtin e shtetit të Berishës, "reformat" - antireformat, "patriotizmi" - kontrabandën, "pavarësia e institucioneve" - kapjen e tyre, stabiliteti - skllavërimin, liria - nënshtrimin dhe së fundmi "diversiteti" - unitetin monolit jo vetëm të partisë, por edhe të shtetit e popullit rreth një Kryeministri që i ka hipur në kokë të bëhet Zot i shtetit, pra edhe i popullit.
Po çfarë tha ambasadori Withers që e ka zemëruar, por edhe dobësuar kaq shumë Berishën sa e bëri të braktisë për një moment arrogancën e tij tipike dhe t‘i referohet diversitetit të pikëpamjeve dhe të vërtetave? As më shumë dhe as më pak, por një kritikë që përforcoi një shqetësim jo vetëm të tij dhe qeverisë së SHBA-së, por edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të mjaft aktorëve politikë dhe të shoqërisë civile në vend, lidhur me një turravrap nervoz të ndërmarrë nga Berisha, ministrat dhe shumica e tij parlamentare për të bërë zap kryeprokuroren Ina Rama dhe krejt organin e hetimit. Ambasadori Withers kritikoi në thelb pikërisht tendencën konstante të Berishës për të mos lejuar as diversitetin në shtet, diversitetin e institucioneve të shtetit me pushtetin. Në këtë moment, hipokrizia politike e Berishës arrin paroksizmin e vet. Ai nis e mbrohet pikërisht me atë që urren më shumë, me diversitetin, apo me larminë e të vërtetave.
Po cila është e vërteta e Berishës lidhur me diversitetin? Edhe sot e kësaj dite nuk ka parti në Shqipëri dhe jo vetëm parti, por edhe koalicion që t‘i jetë nënshtruar Berishës si PD, apo aleatët e tij. "Diversiteti" në kampin berishist ngjason me heshtjen e fijeve të barit mbi varrin e vetë diversitetit. Asgjë s‘pipëtin atje. Dëgjohet vetëm zëri, vullneti, urdhri i një njeriu të vetëm, Berishës. Kush prish heshtjen prishet me Berishën dhe flaket si "karrigethyer". Kështu u flakën dikur Ruli, Pashko, Pollo, Shehu, Zogaj dhe të tjerë që më pas u rikthyen te Berisha për ta ndihmuar për turp në mashtrimin e tij të dytë me "demokraci".
E ndihmuan të paraqiste si ndryshim pandryshueshmërinë e tij, fiksimin ndaj autoritarizmit. Për faj të diversitetit u flak së fundmi edhe Ngjela. Kështu pritet të ndodhë edhe me Mustafajin. Pse? Sepse ka shfaqur ca diversitete ndaj Berishës dhe për këtë ka bërë një tradhti. Për Berishën, tashmë Besniku nuk është më besnik, ndaj duhet flakur. Nëse nuk do të jetë shumë oportune (për imazh) ka forma të tjera lufte. Përballë diversitetit të rrezikshëm të Besnik Mustafajit, lideri Berisha do të vendosë "demokracinë" në parti. Ushtria e skllevërve të Berishës nuk do ta votojë Mustafajin dhe ai do të humbë.
Dhe bashkë me të edhe diversiteti që Berisha e reklamon sot si "fryt të demokracisë". Kjo marrëdhënie e Berishës me diversitetin në PD është një përrallë e vjetër. Asnjë kamp politik sot në Shqipëri nuk i ngjason më shumë, për nga monoliciteti, sesa kampi berishist, unitetit të çelniktë komunist të PPSH-së rreth diktatorit. Berishizmi është enverizmi në "demokraci", enverizmi i kohës sonë. Ironikisht ky unitet i ngjizur me interesa korruptive dhe epshe sundimi (që të ngjason edhe me një piramidë mafioze që kulmon me Kumbarin e pazëvendësueshëm) sot tenton të shtrihet edhe në shtet.
Kemi një pushtet të akuzuar seriozisht për korrupsion dhe lidhje mafioze që kërkon të kapë prokurorinë, ose të paktën të bllokojë hetimet e saj rreth një biznesmeni, miku i dyshimtë i Kryeministrit (por jo vetëm këtë hetim), duke i paraqitur si të paligjshme. Ja edhe një rast tjetër, kur Berisha përpiqet të përdorë ligjin kundër drejtësisë. Sofizmi është sa radikal aq edhe skandaloz. Por ai denoncon edhe vendosmërinë e klanit berishist për të penguar hetimet dhe bashkë me të, edhe një implikim të frikshëm. Do të jetë një konflikt për jetë a vdekje me drejtësinë.
Dhe ja ku jemi sot, përsëri me po të njëjtin Kryeministër që po hyn si dikur në konflikt me Perëndimin, për shkak të korruptimit qeverisës dhe mendësisë së tij orientale prej sundimtari. Një zhvillim që kërcënon procese jetike integrimi për shqiptarët dhe demokracinë në Shqipëri. Sintezë e këtij konflikti gjithnjë e më të gjerë është bërë përplasja Withers-Berisha. A do të ketë ngushëllim mes tyre? Duket mjaft e vështirë. Sepse është përplasja e parimeve të demokracisë, të ligjit dhe lirisë në njërën anë, me ca interesa korruptive në harmoni me prirje autoritariste në anën tjetër.
Shkaqet që e bëjnë Berishën dhe ca kukulla të tij në qeveri të reagojnë me arrogancë autoritariste kundër kryeprokurores dhe institucionit të saj, nuk janë më thjesht ideologjike, nuk janë më thjesht instinkte autoritariste që pulsojnë nga genet mendore të një të kaluare, nga e cila Berisha nuk është shkëputur dot, duke mos arritur as statusin e një ish-komunisti. Kërcënimi tiranik i prokurorisë me hetim nga shumica parlamentare (gjë që solli edhe kritikat e përsëritura të SHBA-së dhe ambasadorit të saj në Tiranë) shfaqet më shumë si një përpjekje për të penguar një hetim të pavarur, që do ta vinte në pozitë të pashpresë vetë Berishën.
E reja në këtë konflikt të dytë me SHBA-në është se impulset e Berishës nuk janë më thjesht ato të një autoritaristi, por edhe të një qeveritari të korruptuar që përpiqet të pengojë veprimin e ligjit. Prandaj, është në konflikt edhe me lirinë. Se liria dhe ligji, liria dhe drejtësia janë një. Himni i SHBA-së thotë: Amerikë… besoja ligjit lirinë! Kjo i duhet sot Shqipërisë dhe këtë po kërkon edhe Withers. Mjerisht, në personin e Kryeministrit Berisha sot mishërohet aleanca më perfekte dhe e rrezikshme e korrupsionit dhe autoritarizmit kundër lirisë.
Berisha nuk mund të tërhiqet nga pozicioni i tij për të bllokuar hetimet e pavarura për çështjen e Gërdecit, Rrëshen-Kalimashit, Fazliçit, zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe të tjera skandale. Do t‘i vinte fundi dhe Berisha e di mirë këtë. Po nga ana tjetër nuk mund të tërhiqen as ndërkombëtarët, as Withers, as OSBE-ja apo BE-ja. Sepse për ta, sikundër deklaroi Withers, demokracia është një gjë shumë serioze, jo vetëm një fjalë, por edhe një vepër, jo një "gjethe fiku" sikundër po e përdor Berisha, jo një gënjeshtër.
Dhe pa pushtete të ndara, pa prokurori të pavarur, pa hetime të pavarura, të guximshme, por edhe të pakomanduara nga partia dhe pushteti (hetimet e komanduara nga partia ishin jo vetëm thelbi, por edhe arma e tmerrshme e stalinizmit dhe enverizmit) as mund të ketë demokraci dhe liri. Pra, as mund të mendohet që Shqipëria të marrë ftesën për në NATO. E kemi parathënë që kjo përplasje do të vinte një ditë, kemi protestuar duke parë Berishën të ecte me kokëfortësi drejt këtij momenti tragjik, duke shpresuar naivisht se edhe ndërkombëtarët nuk e kanë demokracinë në Shqipëri seriozisht, se do të çalonin në standardet e saj për interesa të tjera (gjë që nuk është se nuk ka ndodhur në çështje të shkëputura), se do të mbyllnin sytë përgjithnjë përpara kapjes së pushteteve nga një dorë e hekurt si kjo e Berishës, e cila do të sillte një stabilitet të dëshiruar nga ndërkombëtarët, pavarësisht se do të qe një stabilitet pa liri, pa ligj, pa drejtësi.
Berisha nuk e kupton se një stabilitet pa liri do të thotë stabilitet pa ligj, pa drejtësi pra, një stabilitet i korruptuar që nuk mund të mos prodhojë destabilitet edhe më të rrezikshëm. Edhe njëherë po provohet sesa pak e njeh ky politikan i stërvjetër dhe patriarkal, botën e Perëndimit dhe lidhjen "fatale" të kësaj bote me lirinë, me ligjin dhe drejtësinë. Në Shqipëri duhet që më në fund, jo liderët (kushdo qofshin ata), por ligji të bëhet ylli polar i lirisë për shqiptarët. Kjo nuk i intereson Berishës, kultit të tij lirivrasës dhe korrupsionit që ka akumuluar qeverisja e tij.
Prandaj kundërshton. Kryeministri po del fshatrave dhe kërkon që ta maskojë shkeljen e ligjit me asfalt dhe beton autostradash. Por të pengosh hetime të pavarura si në rastin e rrugës Rrëshen-Kalimash, do të thotë që bashkë me këtë vepër, vërtet të rëndësishme për vendit, të betonizosh duke e bërë të paprekshme edhe autostradën e korrupsionit që qëndron e fshehur brenda saj. Do të ishte një autostradë e rrezikshme për atdheun, demokracinë dhe integrimin e tij me botën e lirisë.