Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Geri, "armiku amerikan" i Nano-Berishës

Shkruar nga: Geri Kokalari  
Botuar më: 18 vite më parë

Geri Kokalari
Geri, "armiku amerikan" i Nano-Berishës

Keni më shumë miq apo armiq?

Nuk i kam numëruar asnjëherë. Herë pas herë dëgjoj për shumë njerëz që janë kritikë ndaj meje në lidhje me atë që bëj për çështje shqiptare. Edhe pse mendoj që gjithkush është i lirë të ketë mendimin e tij, zakonisht ata që më kritikojnë ose kanë lidhje me njerëz të cilët kanë qenë në qendër të kritikave të mia, ose janë vetë bazë e këtyre kritikave.Kështu që mund të them me siguri që këta nuk janë miqtë e mi.Fatmirësisht është gjithmonë një grup shumë më i madh njerëzish në Shqipëri dhe këtu në SHBA, pjesë e diasporës, që më inkurajojnë të vazhdoj të bëj presion për të kërkuar ndryshimin. Dikush mund t'i nxjerrë vetë rezultatet nga kjo përllogaritje aspak shkencore. Diçka sidoqoftë është e sigurtë; kështu Fatos Nano nuk do të më ftojë për kafe në një të ardhme të afërt dhe as Sali Berisha nuk do të nxjerrë njerëz të hedhin petale dhe lule, në këmbët e mianë aeroport, kur të bëj vizitën e rradhës në Shqipëri.

Cila është familja juaj dhe sa e rëndësishme është ajo për ju?

Edhe pse më duket sikur ka ndodhur dje, im atë Lemi na ka lënë më 1994.Ai kishte lindur në Gjirokastër dhe emigroi në Amerikë që kur ishte djalë i ri. Gjatë gjithë kohës ka qenë i përfshirë në Komunitetit Shqiptar në SHBA. Nëna ime Drita, e cila ka lindur në Amerikë, është gjithashtu e përfshirë në punët e këtij komuniteti dhe është Presidente e Qendrës Shqiptare të Nju Jorkut dhe gjithmonë ka bashkëpunuar me të tjera qendra shqiptare. Është e vështirë për dikë që të mos velerësojë prindërit e tij, por sidoqoftë unë mendoj që nëna dhe babai im kanë qenë njerëz me integritetin më të lartë të mundshëm. Familja ka qenë mjaft e rëndësishme për mua në shumë fusha të jetës. Së pari ata i dhanë rëndësi të madhe edukimit tim dhe gjithashtu shërbyen si modele dhe udhëheqës për të më rritur të moralshëmdhe të sjellshëm. Mendoj që më kanë ndihmuar të zhvilloj duke i dhënë prioritet të madh sensit për të ndarë të mirë nga e keqja dhe për ta jetuar jetën time në bazë të këtij kodi sjelljeje.Por kjo nuk do të thotë që unë kam qenë gjithmonë një engjëll, dhe nuk mendoj që dikush ka parë deri më tani aureolën e engjëllit në kokën time.

Si është një ditët tuaja normale?

Kur zgjohem, për shkak të natyrës së punëve të mia, gjëja e parë që bëj është të përpiqem të mësoj se çfarë po ndodh në botë dhe çfarë po ndodh në tregjet financiare. Kur arrij në zyrë, kryej transaksionet e nevojshme financiare të ditës, por jam gjatë gjithë kohës me një vesh për nga informacioni që mund të ndikojë tregjet. Sidoqoftë puna ime kryesore është të këshilloj klientët nëse duhet të kursejnë apo të kryejnë blerje apo të kryejnë investime. Në fund të ditës takoj miq dhe mund të ha ndonjë darkë pune, por jam i kujdesshëm që disa nga këto netë t'ia rezervoj nënës sime. Në kohën e lirë, lexoj dhe dëgjoj muzikë. Gjithashtu më pëlqejnë filmat, kështu që shkoj edhe në kinema. Nëse më pëlqen ndonjë koncert shkoj për ta ndjekur dhe së fundmi ndoqa një koncert të Roger Uaters, një ish i grupit Pink Floyd, që patjetër ka qenë një nga grupet më krijuese të rrokenrrollit. Ndërkohë duke kaluar krejt në anën tjetër të spektrit bashkë me nënën ndoqëm operën "Cosi fan Tuti", një opera e Mozartit, që flet për dy italianë që hiqen si shqiptarë në një skemë për të testuar besnikërinë e të dashurave të tyre. Më pëlqen të shkruaj dhe natyrisht shpesh herë shkruaj në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me Shqipërinë.Jam në dijeni të faktit që ajo që shkruaj mund të ndodhë të jetë ndonjëherë kontradiktore dhe disa mund të venë në dyshim edhe stilin edhe taktikat e mia, por unë besoj që kauzat që përkrah janë për të mirën e përgjithshme dhe unë nuk tërhiqem nga objektivat e mia.

Si është një ditë e juaj e jashtëzakonshme?

Një nga ditët e mia jo normale, ashtu si për çdo Njujorkas, ishte 11 shtatori 2001.Më kujtohet me detaje se si nisi një ditë e bukur dhe si përfundoi në katastrofë.Pak kohë pas sulmit në Kullat Binjake të gjitha zyrat në Manhatan u mbyllën dhe u evakuan. Trasporti u bllokua dhe unë së bashku me masën e madhe të njerëzve që kishin populluar atë zonë na u desh të ecnim për në shtëpi si një procesion i gjatë njerëzish. Unë nuk do ta harroj pasigurinë dhe konfuzionin që lexoja në aq shumë fytyra. Kur arrita në shtëpi u ngjita në tarracën e pallatit për të parë Manhatanin dhe mund të shihja tymin në atë që e quajmë niveli zero. Osama bin Laden ishte i pari ku unë dyshova dhe nuk ishte ndonjë surprizë për mua, për faktin se prej vitesh isha informuar për aktivitetin e tij terrorist. Në fakt shumë vite përpara se bota të dëgjonte për Osamën unë vizitova familjen e tij në Jedah në Arabinë Saudite. Në atë kohë ata ishin ndër familjet më të respektuara në Arabinë Saudite, dhe me ta më lidhi një miku po nga një familje e njohur Saudite. Ndërsa shihja tymin që dilte nga rrënojat që digjeshin të Kullave Binjake, unë reflektoja mbi atë takim të shkuar.

Çfarë ju lodh më shumë?

Të shkoj në palestër. Unë e urrej. Është e mërzitshme, por përpiqem të shkoj disa herë në javë që të mos shëndoshem shumë. Unë do t'i rekomandoja Fatos Nanos të bënte të njëjtën gjë.Përsa e kam parë, atij me siguri do t'i bënte punë ca palestër.

Çfarë urreni?

Njerëzit që marrin më shumë se sa japin.

Çfarë dashuroni?

Njerëz që japin më shumë se sa marrin.

Cilët janë personat që ju kanë dhënë më shumë kurajo?

Kur isha i ri sporti dominonte jetën time. Thuajse çdo ditë sipas sezonit unë luaja basketboll, bejsboll ose futboll amerikan.Kështu që normalisht sportistët ishin herojtë e mi.Dy që më kanë lënë mbresa dhe kanë ndikuar tek unë ishin që të dy pjestëraë të ekipit të bejsbollit të Nju Jork Jankis (Yankees). I pari është Babe Ruth dhe i dyti Mickey Mantle. Të dy e udhëhoqën skuadrën e tyre drejt fitoreve të mëdha dhe që të dy rastësisht vdiqën të rinj për shkak sëmundjesh të pashërueshme. Por që të dy treguan kurajo të madhe përballë vdekjes.Sa për shqiptarët dua të them që heroinat e mia janë Nënë Tereza dhe Musine Kokalari.Të dyja ishin gra me vullnet të hekurt dhe të pavarura.Nënë Tereza ishte e aftë që të përdorte vendosmërinë e saj dhe pasionin, duke hja dedikuar këto njerëzve të cilët ishin harruar nga shoqëria. Ndërsa Musine Kokalari, për kurajën që tregoi përballë komunistëve duke folur kundër tyre dhe duke vuajtur për pasojë një jetë plot tortura dhe persekutime. Kërkon një fuqi të madhe dhe një sens të fortë të së drejtës për të marrë qëndrime kaq kurajoze me kaq shumë sakrifica. Musineja duhej të ishte një simbol i atyre që u persekutuan dhe u vranë nga komunizmi. Ndërkohë është ironike, që servilë të Enver Hoxhës, si Sali Berisha dhe Fatos Nano, të cilët patën sukses si komunistë ndërsa Musineja ishte në burg, por si për t'u shtuar vuajtjeve një fyerje, komunistët si Nano dhe Berisha vazhdojnë të abuzojnë me Shqipërinë dhe politikën e saj.Në shumë mënyra Musine Kokalari më ka frymëzuar të sulmoj abuzimet e tyre sot. Por aktivitetet e mia nuk kërkojnë kurajo si ajo që i duhej Musinesë.

Cilët janë personat që ju kritikojnë më shumë?

Ka shumë nerëz që më kritikojnë në Shqipëri dhe shumë të tjerë mes shqiptarëve të SHBA-së, por pjesa më e madhe e këtyre shqiptarëve mbështesit liderët hajdutë si Berisha dhe Nano.Dhe nga vëzhgimet e mia, mund të them që Nano dhe Berisha kanë dy grupe të ndryshme përkahësish. Grupi i parë është ai i atyre që përfitojnë nga bashkëpunimi në korrupsion me djajtë që kanë vendosur të mbështesin. Grupi i dytë përbëhet nga ata që mund të quhen naivë dhe të verbër, sidomos ata pjesëtarë të së djathtës që besojnë se Berisha është antikomunist, këtyre njerëzve ju sugjeroj të mendojnë vetëm për vuajtjet e Musine Kokalarit dhe të persekutuarve të tjerë, në atë kohë kur Berisha rrinte në këmbët e Enver Hoxhës. Pjesa më e madhe e kritikës më vjen përmes postës elektronike dhe anonime, kështu që nuk para i jap shumë rëndësi, por unë i ftoj të gjithë ata që kanë për të më kritikuar ta bëjnë atë ballë për ballë.

Nga se keni frikë?

Jam i frikësuar nga merimangat dhe mostrat jashtëtokësorë. Kështu që shpresoj të mos ndesh kurrë ndonjë merimangë gjigante të ardhur nga Marsi.

Raportet tuaja me...

Më pëlqen shoqëria me njerëz inteligjentë dhe të informuar, me të cilët mund të debatosh rreth botës. Jam fatlum, pasi kam miq nga e gjithë bota dhe kjo më ka dhënë mundësinë të mësoj rreth gjërave nga perspektiva të ndryshme. Më pëlqejnë filmat dhe muzika. Kam një koleksion të gjerë CD-sh e më pëlqen të dëgjoj çdo lloj muzike, përfshirë klasiken, xhaz, rok& roll. Në fakt, kur isha adoleshent kam luajtur në kitarë bass për bandat e rok& roll-it dhe kam kënduar për korin e shkollës. Besoj se mund të më thërrisni edhe djali i korit..

Tiranën?

Sot, Tirana është një qytet kumbues, plot me energji. Por politikanëve u jap fare pak kredite për këtë, dhe sigurisht jo Nanos ose Berishës. Ia atribuoj pjesën më të madhe të këtij progresi natyrës njerëzore dhe dëshirës së njerëzve për të përmirësuar pozicionin e tyre në jetë. Shqiptarët e kanë bërë këtë, pavarësisht keqmenaxhimit, marrëveshjeve personale dhe korrupsionit të liderëve si Nano apo Berisha.

Unë kujtoj gjithashtu herën e parë që vizitova Tiranën në vitin 1994, teksa po përpiqesha të siguroja ndihmë humanitare për Shqipërinë. Kujtoj dëshpërimin që pashë në shumë fytyra. Për një minutë, mendova se isha zgjuar në mes të filmit "The Night of the Living Dead".Fatmirësisht, Tirana ka bërë një rrugë të gjatë që atëherë. Por kur udhëtoj në Jug të vendit, në qytete si Gjirokastra, ku shtëpitë e të parëve të mi, madje edhe vetë qyteti është shumë i bukur, ka ende shumë varfëri. Mund të them se edhe plehrat e shpërndara gjithandej nëpër çdo cep të vendit më trishtojnë. Nëse shqiptarët kanë ndonjë shpresë për ta promovuar vendin e tyre si tërheqës për turistët, ata duhet të zgjohen dhe të pastrojnë plehrat.

Gratë...?

E vështirë të jetosh me to, po aq sa e vështirë të jetosh pa to. Më duhet të them se Shqipëria ka shumë gra të bukura.

Paratë...?

Mund të të shkatojnë kënaqësi edhe dhimbje.

Pijet...?

Më pëlqen të kthej verë të kuqe të mirë, kur dal mbrëmjeve. Por që kur vizitova Shqipërinë, më pëlqen të pi edhe raki mani.

Cigaret…?

Unë nuk kam pirë kurrë duhan dhe më pëlqen të them: Pirja e duhanit vret. Megjithatë, mund të shijoj një cigare të mirë.

"Kam shumë armiq në politikë

"Jo se kam humbur shumë gjumë për të, por besoj se kam bërë armiq dhe kam sharë mjaft politikanë nga të dyja krahët në Shqipëri. Kjo është e lehtë për t'u bërë, pasi nuk është i pakët numri i politikanëve shqiptarë që e meritojnë të fyhen. Sa për Kosovën, në të kaluarën kam pasur marrëdhënie me disa politikanë, por pas luftës, nuk i kam kushtuar shumë vëmendje çështjes ndërkombëtare të Kosovës. Që prej mesit të viteve '80, unë kam punuar për një numër të madh çështjesh, mes të cilave edhe për Kosovën, përfshirë këtu lobimin për ndërhyrjen e ushtrisë amerikane në Kosovë dhe çështjen e pavarësisë. Gjatë luftës, unë mblodha fonde për të siguruar mbështetje humanitare për refugjatët kosovarë. Kam punuar gjithashtu me Major Xhulianin për të siguruar donacione ushqimi, uji dhe veshmbathjesh prej qytetarëve të Nju Jorkut, të cilat më pas i kam shoqëruar në një avion drejt kampeve të refugjatëve në Maqedoni.

Nano dhe Berisha

"Rrënjë kancerogjene komuniste, që duhen shkulur"

Ka disa gjëra që duhen bërë.Unë mendoj që rrënjët e fosileve të mbjella nga komunizmi duhet të shkulen, sidomos ato që janë rritur si kancer në politikën shqiptare, si Fatos Nano dhe Sali Berisha.Por ndoshta gjëja më e rëndësishme është krijimi i një rendi ligjorë, me një sistem të pavarur dhe të ashpër gjyqësorë, i cili duhet të jetë i paarritshëm nga politikanët, kriminelët dhe biznesmenët. Ne të gjithë e dimë që në Shqipëri ka politikanë hajdutë dhe kriminelë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi politikanë hajdutë në Uashington. Ne gjithashtu kemi, këtu në Amerikë, biznesmenë mjaft të fuqishëm që shkelin ligjin apo njerëz nga ata që ngritën skema piramidale si ato të Shqipërisë më 1997, por diferenca e madhe mes Shqipërisë dhe Amerikës është që këtu ata që kapen duke kryer krim, paguajnë çmimin... Në SHBA edhe njerëzit mjaft të pasur dhe ata që janë mjaft të fuqishëm, nëse shkelin ligjin shkojnë në burg.Unë mendoj që është ndryshe në Shqipëri, aty ai që është më i korruptuari nderohet me çmimin dhe pozicionin e kryeministrit.

Edi Rama

Nuk e njoh, kemi miq të përbashkët

Kjo është një pyetje e drejtë. Për të qenë i ndershëm, unë vetëm një herë e kam takuar Ramën dhe nuk kemi pasur ndonjëherë ndonjë bisedë të gjërë. Nuk është sekret që kemi miq të përbashkët, dhe mesa di unë këta njerëz janë inteligjentë dhe bëjnë pjesë në atë grup që punon fort. Unë gjithashtu mendoj që Rama ka bërë disa gjëra pozitive për Tiranën. Është thënë dhe unë jam në dijeni të atyre që thuhen se edhe ai është i korruptuar, por nukkam prova për këto. Deri tani unë jam marrë me aktivitetet korruptive të Nanos dhe Berishës, por nëse këta të dy kanë prova për Ramën, unë i ftoj që të mi ofrojnë, pasi unë nuk do të hezitoj t'i publikoj.E vetmja gjë që unë kam në axhendë është të shoh Shqipërinë të përparojë drejt demokracisë dhe për mua nuk është e rëndësishme të përkrah njerëz të ndryshëm, opërfshi edhe Edi Ramën.

Për Kosovën

Shpresoj në një pavarësi pa luftë, por shqiptarët duhet të jenë gati

Nuk diskutohet që Kosova do të jetë e pavarur, e vetmja pyetje që mbetet pa përgjigje tashmë është se çfarë fortme do të ketë Kosova.Ka palë që janë duke folur për një lloj ndarje që sipas tyre do të kënaqte menjëherë të dyja palët edhe serbët edhe shqiptarët. Diplomatët po përpiqen tu shesin kosovarëve konceptin se treçereku i diçkaje është më mirë se 100 për qind e asgjësë. Shqiptarët, që të mund të marrin sa më shumë që tëjetë e mundur prej Kosovës, duhet që të ngrihen në këmbë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të deklarojnë pavarësinë e në një farë mënyre të tregojnë dhëmbët. Me këtë kam parasysh që duhet të demostrojnë që janë gati të luftojnë për pavarësinë.Përgjithëshisht, bota e ka kuptuar pavarësinë e Kosovës dhe padyshim që bota nuk është e interesuar për ndonjë zonë tjetër të nxehtë. Unë shpresoj që pavarësia do të arrihet pa u përdorur ata që Riçard Hollbruk i quante "burrat me armë", por nëse për të pasur pavarësinë kjo (lufta) do të jetë e domosdoshme, atëherë le të jetë, shqiptarët në të gjithë globin duhet të jenë gati të përkrahin të kauzë.

Albtelekom

"Berisha më shkruante se tenderi ishte i korruptuar"

Unë gjithashtu kam punuar me Berishës si këshilltar sa i përket çështjes së telekomit dhe mund t'ju them, se janë dhjetra letra elektronike, nga njëri tek tjetri, në të cilat diskutohet sistemi i korruptuar i tenderimit që gabimisht ia dha Telekomin Çalikut në një çmim që në të dy e kemi pranuar se ishte vetëm një copëz e vlerës reale. Nëse Berisha e mohon këtë, unë i sugjeroj që të pyesë Prokurorin e Përgjithshëm, sepse ai ka kopje të këtyre e-maileve. Por unë di mirë gjithashtu se Berisha premtoi që do të hetonte qeveritarët e lartë të qeverisë Nano dhe do të ndalonte shitjen e Albtelekom, por ai gënjeu.

Intervistoi : Vladimir Karaj

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama