Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Oligopoli tiranik Rama-Berisha dhe reforma KQZ

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 17 vite më parë

Andrea Stefani
Oligopoli tiranik Rama-Berisha dhe reforma KQZ

E ashtuquajtura "reformë" zgjedhore po vetëdenoncohet gjithnjë e më shumë si një vendimmarrje tiranike e një shumice PS-PD, që, e bashkuar përkohësisht nga një pazar pushtetesh, nëpërkëmb interesat e të gjithë partive të tjera politike, me synim deri dhe zhdukjen e tyre të plotë. Por, propaganda vulgare, që i paraqet partitë e vogla si një "e keqe e madhe", që duhet shfarosur, në vend që t‘u ofrojë "të mëdhenjve" një justifikim, nxjerr më në pah konfliktin e tyre me parimet liberale të jetës pluraliste dhe lirisë, si dhe me ato kushtetuese të organizmit politik në një shoqëri. Pas lajmeve, lidhur me "reformimin" e KQZ, tashmë nuk mund të fshihet dot se liderët e PS dhe PD, Rama dhe Berisha, po imponojnë me forcën e kartonëve të tyre një "reformë" zgjedhore, që në fakt është një antireformë. Një antireformë që, në vend të lulëzimit, kërcënon me shfarosje të partive, që, në vend të konkurrencës dhe votës së lirë, ofron oligopolin mbi manipulimin e votës.

E reja në këtë "reformë" është se, për herë të parë në historinë e tranzicionit, është lidershipi i partisë më të madhe të opozitës (PS) që bëhet bashkautori i një pushteti tradicionalisht dhunues i votës, bëhet aksioner në oligopolin e manipulimit të ardhshëm të votave. E reja e hidhur është se për herë të parë lidershipi i PS në opozitë bashkohet me autoritaristin Berisha duke jo vetëm mos përfillur, por duke shkelur mbi interesat e aleatëve të vet të natyrshëm të së majtës. Për herë të parë, një lider i PS në opozitë, si Rama, po lufton duke përdorur tiranikisht edhe votat e autoritaristit Berisha, që një parti e majtë si LSI të shporret nga skena politike. Për herë të parë, një lider në opozitë po lufton një parti në opozitë. Pse? Sepse ia prish llogaritë e pushtetit të nesërm që e ëndërron, dhe me ç‘po duket, gjithnjë e më shumë si një pushtet absolut.

As mund të shpresohet që Berisha të investohet ndonjëherë për lirinë e gjërave, pra edhe për lirinë e votës. Por, deri më 21 prill të këtij viti, ka qenë e vështirë të besohej se Edi Rama dhe lidershipi i PS do të shkonin kaq larg në konsensusin (në fakt pazarin) e tyre me Berishën. Por, ato që po ndodhin sot, (edhe "reforma" në KQZ) janë në logjikën dhe vazhdën e atyre ndryshimeve të tmerrshme antikushtetuese që Rama udhëzoi të bashkëvotohen me Berishën, më 21 prill. Deri më sot, Rama nuk ka mundur të argumentojë publikisht se si mund të përfitojë demokracia liberale, parimet e saj të ndarjes, balancimit, kontrollit dhe pavarësisë së pushteteve nga të tilla amendime të pabesa. Ka lëshuar vetëm disa fraza boshe mbi "mirëqeverisjen" dhe "stabilitetin" por as edhe një argument të vetëm.

Pse? Sepse nuk ka. Sepse ato amendime ishin "demokratike" vetëm në procedurë (si çdo tirani e shumicës), por thellësisht antidemokratike dhe antiliberale në përmbajtje. Tani po shohim si po shpaloset më tej aksioni antiliberal-demokrat i tiranisë së shumicës rozablu në "reformimin" e KQZ. Tani po shohim se si heqja e KQZ nga Kushtetuta, ka qenë një akt djallëzor për ta shndërruar atë nga një organ në mos të pavarur të paktën në më pluralist, në një oligopol të shumicës së bashkuar PS-PD. Edhe për këtë hap që po ndërmerr, Edi Rama nuk ka përsëri asnjë argument demokratiko-liberal për të ofruar. Mos vallë politika e tij "e re" po respekton pakicat, sikundër e lyp demokracia liberale? Përkundrazi, ato po dhunohen në mënyrën më bolshevike të mundshme nga të njëjtat pazare kulisash, prapaskenash, intrigash dhe pabesish? Konsensusi PS-PD, aq i mburrur edhe nga disa diplomatë mediokër në Tiranë, është një konsensus tiranik i dy të mëdhenjve konfliktualë kundër më të vegjëlve, është oligopoli kundër pluralizmit, është paqja e përkohshme e një rivaliteti tiranik kundër lirisë. Edi Rama nuk mund ta fshehë dot që "reforma" edhe në KQZ, po priret (në emër të stabilitetit) drejt një shfarosjeje të florës pluraliste, drejt reduktimit të spektrit politik në dy ngjyra, në vetëm dy "lule".

Rama dhe Berisha janë prapa edhe Mao Ce Dunit për sa i përket lirisë së konkurrimit "të 100 luleve dhe 100 shkollave". Aktualisht Rama dhe Berisha po ndërtojnë një "reformë" diskriminuese, që favorizon vetëm PD dhe PS. Ndaj, as edhe rasti i SHBA nuk mund të shërbejë si argument. Sepse atje mbizotërimi i dy partive politike nuk u arrit duke diskriminuar partitë e tjera, duke përdorur "ligjin" e shumicës për të krasitur lirinë politike. Sikur binomi republikano-demokrat të ish arritur në SHBA duke qethur me "reforma" perverse lirinë e konkurrencës politike, sot demokracia në SHBA do të kish marrë fund. Se kur dy parti politike arrijnë të krasisin me sukses pluralizmin, nuk do të vonojnë të krasitin dhe njëra-tjetrën, derisa të mos ketë më pluralizëm dhe demokraci. Pluralizmin (që është konkretizim i lirisë së organizimit politik) e ruajnë vetëm ato parti që e konservojnë atë si vlerë dhe jo ato që e perceptojnë si pengesë. Në SHBA, sikundër shkruan edhe kandidati demokrat për President, Barak Obama, në një prej librave të tij, "historia ka përligjur mprehtësinë e themeluesve të kombit, që besonin se vetëqeverisja republikane mund të funksionojë më mirë, kur, sipas Hamiltonit, ‘grindja e partive‘ dhe ndryshimet në opinion nxisin diskutimin dhe maturinë".

Berisha, jo që jo, por as edhe Rama dhe politika e tij "e re" nuk udhëhiqet nga kjo mprehtësi. Rama po kontribuon për reformimin e sistemit drejt një autoritarizmi "të qetë", ku nuk do të ketë më grindje partish. Çfarë gjetjeje, çfarë "shpëtimi" po i ofrohet Shqipërisë, një shpëtim nga pluralizmi! Provat se PD dhe lidershipi i saj mbeten të dedikuar ndaj autoritarizmit janë pa fund. Këtë e ka pohuar edhe vetë Edi Rama. Por, edhe bezdia e Ramës nga pluralizmi dhe konkurrenca lexohet që larg në parulla që kërkojnë një bashkim populist "përtej të majtës dhe të djathtës". Edhe kreu i socialistëve, me reformat dhe konsensuset a realizuara në bashkëpunim me autoritaristin Berisha, po nxjerr kthetrat e autoritaristit, të sundimtarit që nuk do konkurrentë, fillimisht në oborrin e majtë, që e quan të tijin, dhe më pas, pse jo, edhe në shtet. Por, ndërsa shihet se ka gjetur, në mos mbështetje, shumë pak kundërshtime në lidershipin e PS (të paktën publikisht) mbetet të shihet nëse do të ketë edhe mbështetjen e PS, ashtu sikundër e ka gjetur Sali Berisha, për 18 vjet rresht, mbështetjen e verbër të PD. Diçka që nuk ka shumë probabilitet të ngjasë.

Ka një sërë çështjesh që Edi Rama dhe teknologët e tij të vjetër të "reformës së re" zgjedhore nuk i përgjigjen dot në përputhje me parimet e demokracisë liberale. Çfarë argumenti ka për të përligjur zvogëlimin e numrit të anëtarëve në KQZ dhe komisionet zonale? A nuk ishin po këta politikanë që pak kohë më parë votuan që nga me 7-të anëtarë KQZ të bëhej me 9-të dhe tani po kthehen prapë te 7-a? Çfarë argumenti ka për këtë kthim prapa? Asnjë. Eshtë thjesht forca e interesave dhe pazareve të ulëta, që i bën këta politikanë të shpallin kthimin prapa si "reformë". Si argumentohet që edhe ai pak përfaqësim që mbetet për të tjera parti, të bëhet vetëm me miratimin e dy të mëdhenjve? Kush do ta kontrollojë dhe balancojë pas kësaj në KQZ, vullnetin lakmitar të dy të mëdhenjve? Për të gjitha këto nuk ka përgjigje. "Reforma" po zhvillohet vetëm mbi parimin "shumica vendos". Por aty ku përbërja e një shumice si kjo PS-PD dhunon interesat e pakicës, para se të kemi një konsensus që duhet duartrokitur, kemi një arrogancë tiranike që duhet denoncuar.

Shumica që dhunon pakicat është bolshevizëm, sepse bolshevizmi është absolutizimi i "të drejtës" së shumicës. Aq më tepër të qenit në shumicë nuk mund të shërbejë si argument dominimi kur është fjala për të ngritur ato institucione (si KQZ) që duhet të shërbejnë si arbitër mes shumicës dhe pakicës. Formula që njoftohet se duan të zbatojnë PS dhe PD nuk i shërben rritjes së pluralitetit të përfaqësimit (pra edhe uljes së shanseve për të rrëmbyer votat e të tjerëve) në KQZ, por ngushtimit të tij. "Reforma" berishiste e "politikës së re" rrit shanset e PS dhe PD për të grabitur votat e partive të pa përfaqësuara në KQZ. Apo mos nuk duhet të na vijë keq për partitë e grabitura, sepse Rama na thotë se janë "të këqija" dhe pengesë për mirëqeverisjen? Ndaj të mos harrojmë historinë. Diktaturat, stalinizmat, enverizmat, hitlerizmat kanë nisur gjithnjë me ankesë për partitë, për pluralizmin "e tepërt", për rrëmujën që ato sjellin. Ato janë ushqyer nga nevoja për "rregull", "stabilitet", mirëqeverisje derisa kanë gllabëruar demokracinë dhe lirinë.

Një tjetër absurditet: Si është e mundur që dy të mëdhenjtë PS-PD, ndërsa pranojnë se një nga shkaqet e reformës zgjedhore ishte zhdukja e fenomenit të Dushkut, planëzojnë ta bazojnë këtë reformë në deformimet që ka sjellë "Dushku"? Si është e mundur që të përdorësh përfaqësimet e shtrembëruara nga mekanizmi i "Dushkut" (që fryu disa parti si të vogla me votat e të mëdhenjve) në Kuvend, dhe të mohosh realitetin e rritjes së LSI si forcë e tretë në vend? Ku ta gjejmë parimin e lojës së ndershme në këtë sjellje të lidershipit të PS? E shajmë "Dushkun" për të kërkuar një reformë zgjedhore dhe e përdorim po "Dushkun" si mekanizëm apo metër të reformës? Në fakt, duhej të ndodhte e kundërta. Përfaqësimi i shtrembëruar i forcave politike në Kuvend për shkak të Dushkut, duhet t‘i bënte "reformatorët" që për ta kapërcyer atë të ruanin një numër sa më të lartë anëtarësh në KQZ. Ndoshta edhe më shumë se 9-të. Qëllimi? Në pamundësi për të shmangur përfaqësimin në KQZ të partive parlamentare të fryra nga "Dushku", të bëhej i sigurt përfaqësimi i forcave politike si LSI që, edhe pse u grabit nga "Dushku", është sot padiskutueshëm forcë e tretë në Shqipëri. Po shihet qartë se Rama nuk ka këtë qëllim. Qëllimi i tij është të spastrojë LSI. Kemi parë pushtetarë që duan të spastrojnë opozitën, por që një lider opozitar të angazhohet në spastrimin e një partie opozitare është një dukuri e rrallë. Ndërkaq, Berisha fërkon duart, pranon "reformën" e KQZ dhe për të minimizuar dëmet për vete, "shkrihet" me Pollon.

Çfarë argumenti kanë PS-PD për të justifikuar heqjen e të drejtës së Presidentit dhe KLD për të ofruar një anëtar në KQZ? Ky është hapur një akt që nuk i vlen aspak balancimit të influencave të partive politike, duke futur në KQZ kandidatura të institucioneve të pavarura. Në këtë rast kemi një "hakmarrje" të Berishës kundër Presidentit Topi, por që Rama e pranon. Ndoshta mendon se çdo gjë që i shkon për shtat autoritaristit Berisha sot, do t‘i shkojë për shtat edhe vetë Ramës kur të vijë në pushtet. Ndoshta mendon se Berisha punon sot për të, se politika e vjetër po punon për "politikën e re", pushteti i sotëm i Berishës për pushtetin e nesërm të Ramës, autoritarizmi për "demokracinë". Rama ndoshta parashikon se në rast ngjitjeje në pushtet, ka më shumë shanse ta ketë Presidentin Topi përballë sesa në krah. Prandaj, bashkohet me Berishën në lëvizjet e tij kundër Topit. Në fakt nuk është e para herë që Rama po i ngjason Berishës në lëvizje dhe taktika ashtu si një vezë i ngjason një tjetre.

Pyetje: përse lidershipet e PS dhe PD priren të monopolizojnë kontrollin në KQZ dhe komisione zonale? Gjatë gjithë tranzicionit një tendencë e tillë është pasuar me manipulime herë nga PS dhe herë nga PD. Të mos dyshosh fort se një tendencë e tillë, e përsëritur edhe sot, nuk fsheh në bark manipulime të ardhshme, do të thotë të mos mësosh nga pësimet. Në fakt reformë e vërtetë në raportet e partive politike me KQZ dhe komisionet zonale, nuk është rivendosja e kontrollit PS-PD mbi KQZ, por ose çlirimi i KQZ nga ky kontroll politik ose (në pamundësi të pavarësimit) balancimi gjithnjë e më pluralist i kontrollit mbi KQZ duke zgjeruar spektrin e përfaqësimit politik dhe institucional në të. Projekti i dy të mëdhenjve të politikës për të larguar Presidentin, këmbëngulja e Ramës për t‘i mohuar LSI përfaqësimin duke përdorur shifrat e gënjeshtërta të Dushkut, duket qartazi që tentojnë ta vënë KQZ nën kontrollin e binomit PD-PS. Dhe ndoshta do të ketë zëra (jo vetëm në shqip) të interesuar apo të lodhur nga konfliktet e pafund mes PS dhe PD, që mund ta përshëndesin këtë zhvillim si "konsensus", si një arritje. Disa ndoshta pa kuptuar se është vërtet një arritje, por një arritje e rrezikshme tiranike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama