Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kodra pas bregut

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 17 vite më parë

Skënder Minxhozi
Kodra pas bregut

Një lojë shahu, sigurisht aspak elegante dhe etike, është luajtur në Kuvend parmbrëmë. Nga njëra anë opozita, e cila kishte vendosur t’i shkarkonte para kamerave në mënyrë të organizuar dhe agresive, të gjitha akuzat rreth skandalit Fazlliç, nga ana tjetër maxhoranca e dirigjuar nga kryeministri, e cila ka preferuar të flasë edhe për turizmin, bletët dhe ekologjinë, përveçse për temën qendrore – akuzat e rënda ndaj Damir Fazlliç dhe lidhjet e tij me zyrtarët më të lartë të qeverisë. Një metaforë e gjallë disaorëshe e hermetizmit në të cilin janë mbyllur aktualisht dy kampet politike, është shpalosur më mënyrën më të shëmtuar para zgjedhësve, të cilët shihnin kreun e qeverisë të dilte dhe të hynte pas perdes, sa herë që dikush nga opozita e ngrinte lart temperaturën e akuzave ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Natyrisht që kjo ka qenë një lojë nervash, por më shumë sesa e tillë, ka qenë një moment delikat e i vështirë për shumicën e djathtë. Ndaj Berishës opozita përdori të gjithë artilerinë e rëndë me të cilën e kishte pajisur afera Fazlliç. Kryeministri është provokuar për pesë orë rresht, kur janë thirrur në kauzë në mënyrë të përsëritur fëmijët e tij, ai vetë dhe ministrat e tij më të rëndësishëm, të cilët çoheshin për të bërë replika ndaj atyre që i akuzonin, duke evituar pikërisht thelbin e akuzave. Me pak malinjitet, dikush kujtoi në mesin e këtij shou aspak të bukur për qeverinë, atë që Berisha u bënte kundërshtarëve të tij para vitit 2005, kur përballë akuzave tejet të rënda që lëshonte nga goja në prezencë të Nanos e ministrave të tij, përgjigja që merrte ishte e njëjtë me përgjigjen që ai vetë dha parmbrëmë.

 Pra, heshtje dhe shpërfillje, replika personale dhe pickime që s’kishin asnjë lidhje me atë çfarë debatohej. Është interesant të vihet re sesa shpejt u rrotulloka disa herë rrota e historisë politike në këtë vend, ku shënjestër dhe tabelë qitjeje bëhet ai që e shpiku i pari këtë lloj praktike, e cila afron më shumë për nga linçimi, sesa për nga debati normal. Gjithsesi, Berisha po vuan, jo vetëm në këtë aspekt, atë që vetë e mbolli me stoicizëm në vite dhe që e përdori me ose pa kriter gjatë kohës kur gjuante me çfarë i zinte dora ata që ishin ulur në podiumin e Kuvendit. Kryeministri e la në baltë njeriun e tij nga Bosnja, sepse mesa duket e ka kuptuar më në fund që deklarimi i para do javësh “Fazlliçin e kam mik, po të doni ua sjell këtu”, ka qenë një gafë e rëndë, të cilën do të vazhdojë ta vuajë ai dhe shumica e tij e hutuar, që fliste kodra pas bregut.

Në fakt, problemi shqetësues që ekspozon debati i parmbrëmshëm, është se në këtë vend ka humbur totalisht nocioni i fajit dhe përgjegjësisë. Klasa jonë politike nuk është shquar kurrë për njohjen, pranimin dhe respektimin e përgjegjësive të saj, politike apo ligjore qofshin. Kemi pasur dhe kemi shefa qeverish e maxhorancash, që janë tallur dhe kanë bërë ironi me akuzat më të rënda që u bëheshin, duke shpërfillur në mënyrën më skandaloze faktin që e gjithë kjo rrokopujë konsumohej në sytë e një mase njerëzish që shihnin, dëgjonin, kuptonin dhe që një herë në katër vjet, edhe votonin.

Elementi tjetër thellësisht preokupues në këtë mes, është drejtësia. Specia e homos politicus shqiptar ka shirë në lëmë këto vite, sepse ka qenë e qetë dhe e imunizuar nga çdo rrezik që i vinte prej ligjit. Asnjë politikan i rangut të lartë në detyrë, nuk e ka parë deri më sot derën e drejtësisë. Edhe kur kjo ka ndodhur, si në rastin e Nanos në vitin 1993, pas ka qëndruar një montaturë politike që kërkonte të hiqte qafe nga skena kundërshtarin politik të drejtpërdrejtë, më shumë sesa të dënonte një zyrtar të lartë të korruptuar. Pozita apatike dhe përgjithësisht pasive e drejtësisë, është sot garancia direkte për të gjithë ata shtetarë dhe politikanë që e shohin veten në lista skandalesh dhe afera të dyshimta. Prej një viti, anëtarë të qeverisë janë pa imunitet për akuza abuzimesh prej miliona euro. Prej më shumë se tetë muaj, asnjë zyrtar me valencë politike nuk është fajësuar ende me akuza konkrete për tragjedinë e Gërdecit. E njëjta gjë po ndodh me aferën e armëve dhe degëzimet e saj në disa ministri të këtij shteti, për të mos folur për skandalin Fazlliç, për të cilin mund të thuhet se është ende herët për të pretenduar diçka konkrete.

Shumëkush në skenën politike të sotme ka tendencë për të mos e atakuar hapur këtë zvarritje të drejtësisë tonë, e kjo ka krijuar kushtet që në vend të proceseve gjyqësore me akuza konkrete, me prokuror dhe avokat për palët respektive, ne vazhdojmë të shohim shfaqje që i ngjajnë KPD-së së famshme socialiste, por që janë edhe më të shëmtuara, sepse ndodhin në mes të Kuvendit të Shqipërisë. Aty ku formalisht nuk duhet të ketë vend për linçime të ndërsjella publike, por për përplasje idesh e alternativash. Megjithatë të pretendosh këtë nga një parlament si ky që kemi, duket një luks krejt jashtë kohe. Sepse vetë koha e këtij Kuvendi ka kaluar në mënyrë të pakthyeshme. Sepse në vend të altarit të mendimit të kthjellët dhe të zgjidhjeve të mëdha për vendin, ajo sallë është tashmë kuvlia e të gjitha shpifjeve dhe thashethemeve më të rëndomta dhe vulgare që mund të prodhojë mendja e sëmurë e politikanit provincial shqiptar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama